Ndërlidhjet

KOSUMI: DO TË ISHTE MIRË QË KRYEMINISTRI I KOSOVËS TË MARRË PJESË NË MBLEDHJEN E KS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Draft propozimi i kryeadministratorit Soren Jessen Petersen për bartjen e kompetencave në fushën e drejtësisë dhe policisë tek qeveria e Kosovës, do t'i dërgohet për vlerësim dhe zyrës ligjore të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, para se të fillojë të zbatohet. Kështu është thënë sot pas një takimi të zhvilluar ndërmjet kryeadministratorit Soren Jessen Petersen dhe kryeministrit Bajram Kosumi. Kryeministri Kosumi tha se pret që qeveria e tij të formojë sa më shpejt këto dy ministri, të cilat sipas tij do të kenë efekte të drejtpërdrejta në përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë.
"Projektin për Ministrinë e Rendit dhe Ministrinë e Drejtësisë që UNMIK-u është dashur ta përgatisë në fund të muajit të kaluar, është përgatitur dhe përfaqësuesi special zoti Petersen do ta bisedojë këto ditë me zyrën ligjore në Nju Jork dhe pastaj ne do ta diskutojmë në qeveri. Ashtu si kemi thënë dhe më herët, do të kemi projektin në dorë, do ta diskutojmë dhe do të shohim pastaj kohën për zbatimin e këtyre dy projekteve për krijimin e dy ministrive."
Ndërkohë që Petersen ka pohuar se pret qëndrimin e Nju Jorkut, para se të vazhdojnë bisedimet për transferimin e këtyre kompetencave. Gjithashtu Petersen ka pohuar sot se ka përparime sa i përket krijimit të forumit politik, i cili do të mblidhte në vetvete kryetarët e partive kryesore politike dhe do të shërbente për arritjen e konsensusit ndërmjet të gjitha palëve në Kosovë, para se të hapen diskutimet për statusin e Kosovës. Petersen tha se i ka marrë tashmë në formë të shkruar komentet e partive politike dhe nuk sheh rrezik për dështimin e idesë së tij për formimin e këtij mekanizmi.
"Tani do t'i shqyrtoj këto komente, por ajo që mund të thuhet tani, është se ka një pajtim të përgjithshëm për formimin e forumit," ka thënë Petersen.
Pasi të përfshihen komentet e partive politike në draftin përfundimtar që parasheh formimin e këtij mekanizmi, Petersen tha se do t'i ftojë javën e ardhshme kryetarët e partive politike për themelimin e forumit, i cili sipas shefit të UNMIK-ut, duhet që patjetër të mblidhet menjëherë pas seancës në Këshillin e Sigurimit për Kosovën, që do të mbahet në fund të këtij muaji.
Duke u ndërlidhur me seancën e radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, ku pritet të bëhet dhe vlerësimi politik i standardeve, kryeministri Kosumi tha se ende nuk janë përcaktuar detajet e përfaqësimit të Kosovës në këtë seancë, por ai shprehu interesimin që në Këshillin e Sigurimit të ketë të drejtën e fjalës edhe kryeministri i Kosovës.
" Pritet që në javën e ardhshme të merren përfundimisht vendimet se si do shkojmë dhe qysh do shkojmë, por dëshiroj të them vetëm se unë jam i interesuar të shkoj dhe të kem një fjalë timen në Këshillin e Sigurimit dhe ky është interesi im që të paraqes Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Zoti Petersen do ta bëjë këtë punë, gjithsesi e ka bërë edhe më përpara shumë mirë, por unë gjithashtu dëshiroj të them se do të provoj që të paraqes Kosovën si kryeministër në Këshillin e Sigurimit dhe të kem një pjesë të fjalës", tha zoti Kosumi.
Pas përmbylljes së raportit të vlerësimit teknik të standardeve nga ana e UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës, para se të jepet dhe një vlerësim politik nga Këshilli i Sigurimit, pritet që Kofi Anan të caktojë një të dërguar të posaçëm, i cili do të bëjë një vlerësim të pavarur të standardeve, duke u bazuar në perceptimet e tij, që do t'i fitojë gjatë vizitave nëpër viset e ndryshme nëpër Kosovë. Duke marrë vlerësimin pozitiv politik të përmbushjes së standardeve, Kosova do të siguronte hapjen e diskutimeve për statusin e saj gjatë kësaj vjeshte, kurse e kundërta vlerësohet se do të sillte një proces më pak të parashikueshëm në Kosovë.

XS
SM
MD
LG