Ndërlidhjet

PETERSEN: E ARDHMJA E KOSOVËS NË DUART E KOSOVARËVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

E ardhmja e Kosovës është tashmë tërësisht në duart e autoriteteve vendore dhe qytetarëve të Kosovës, ka thënë sot pasdite shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Shefi i UNMIK-ut i ka bërë këto komente me të arritur në aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga Nju Jorku, ku mori pjesë të premten në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Ai tha se besonte që Sekretari i Përgjithshëm Kofi Anan të emëronte të martën ose të mërkurën të dërguarin e posaçëm për vlerësimin e thellësishëm apo gjithëpërfshirës të standardeve dhe se procesi i vlerësimit do të fillojë shumë shpejt, duke qenë një hapje e rrugës për fillimin e procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës:
"Tash më shumë se kurrë, e ardhmja e Kosovës është gati në tërësi në duart e autoriteteve vendore, përkatësisht të qeverisë, opozitës, autoriteteve komunale por edhe qytetarëve," tha Jessen Petersen. Ai tha se të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë gjatë dy-tre muajve të ardhshme dhe duhet të përqendrohen në përmbushjen e plotë të standardeve posaçërisht standardeve prioritare. Në këtë drejtim Petersen tha se priste përparim në mbrojtjen e pakicave dhe në lëvizjen e tyre të lirë. Mirëpo, shefi i UNMIK-ut tha se ende nuk ka vend për shumë kënaqësi, pasi vlerësimi i thellësishëm nuk është një punë e kryer që më parë:
"Rezultati i vlerësimit të thellësishëm nuk është konkluzion që dihet më parë dhe kjo është bërë e qartë në Këshillin e Sigurimit, mirëpo pasi deri më tash kemi kapërcyer secilën pengesë, dhe të premten e kaluam edhe një, jam i bindur se do të ketë përparim të mëtejshëm," tha Jessen Petersen, duke shfaqur shpresën se edhe vlerësimi gjithëpërfshirës do të jetë pozitiv.
Ai shprehu bindjen se do të ketë përparim të mëtejmë në Kosovë, por tha se është i nevojshëm një unitet brenda Kosovës, pasi, siç u shpreh Petersen do të ishte e pakuptimtë që në kohën kur kemi qëndrime të unike të Grupi të Kontaktit, të kemi ndarje në Kosovë:
"Me bashkim ka mundësi që të ecet përpara, ndërsa çfarëdo ndarjeje këtu do të vinte në dyshim përparimin," tha zoti JessenPetersen, i cili të enjten do të mbledhë në Prishtinë përfaqësuesit kryesor politik, për të filluar punën e Forumi politik joformal, pjesë e të cilit do të jenë kryetari i Kosovës dhe krerët e katër partive më të mëdha parlamentare, përfshirë edhe dy të opozitës. Qëllimi i Forumit është diskutimi i çështjeve të interesit nacional për Kosovën, siç ka deklaruar më parë zoti Jessen Petersen. Ai u bëri thirrje edhe serbëve të Kosovës që t’u bashkohen institucioneve demokratike, si rrugë e vetme për zgjidhjen e problemeve të komunitetit serb në Kosovë.
Zoti Jessen Petersen tha se ishte tepër herët të spekulonte lidhur me efektet e mundshme të jo-së franceze për kushtetutën evropiane, në raport me zhvillimet në Kosovë, pasi sipas tij, punë e Kosovës është që të përqendrohet tani në vlerësimin e thellësishëm të standardeve.

XS
SM
MD
LG