Ndërlidhjet

MASTERS: DECENTRALIZIMI SHPEJTOHEN HAPJEN E BISEDIMEVE PËR STATUSIN


Owen Masters, ekspert për çështjet e decentralizimit

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është i zbatueshëm decentralizimi në Kosovë nëse merret parasysh fakti se shumë vëzhgues thonë se nuk mund të ketë decentralizim në një vend, që nuk e ka të përcaktuar statusin e saj politik?

OWEN MASTERS
Besoj se shumë shpesh mund të ketë një strukturë lokale qeverisëse, një strukturë të decentralizuar, para egzistimit të një strukture të centralizuar.
Unë shpesh kur e shoh Irakun, kur e shoh Çeçeninë dhe vendet e tjera të botës, që janë ballafaquar me shumë më tepër sfida se Kosova, se si ata kanë filluar me qeverisjen lokale, me decentralizimin dhe afrimin i qeverise me popullin, atëherë mendoj se decentralizimi në Kosovë do të jetë i suksesshëm. Mendoj se kur të shohim se decentralizimi ka filluar të zbatohet, ka filluar të përmbush nevojat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, unë mendoj se pas kësaj mund të lëvizet më shpejt me negociatat për bisedimet. Kështu që nuk mund të thuhet se dy gjëra nuk mund të ecin paralelisht, por unë them se duhet pritur rezultatet e decentralizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni dinamikën e deritashme të procesit të decentralizimit?

OWEN MASTERS
Mendoj se decentralizmi në Kosovë ishte i ngadalshëm dhe kishim një periudhë të shpejtë vitin e kaluar, për t’iu kthyer sërish një periudhe të ngadalshme. Supozimi im është se brenda disa muajve do të shohim se si ky proces do të shpejtohet shumë. Dhe unë shpresoj se kjo do të ndodhë pasi qytetarët kanë nevojë që të shohin rezultatet e decentralizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta zbatojnë decentralizimin para se të hapen diskutimet për statusin përfundimtar. Çfarë mund të ndodhë nëse nuk zbatohet decentralizimi?

OWEN MASTERS
Unë kurrë nuk them se ju nuk mund të zbatoni diçka, mendoj se ku është vullneti mund të arrihet gjithçka dhe unë jam i sigurt se në Kosovë ka vullnet për t’u zbatuar decentralizimi.
Pavarësisht se si flet, për cilindo komunitet, qytetarët duan shohin se po i ofrohen shërbimet më afër tyre, kështu që ata kanë ide se çka po ndodh qoftë ajo në arsim, kujdesin shëndetësor, zhvillimin e ekonomisë lokale. Unë mendoj se kjo mund të arrihet dhe mendoj se ka vullnet në mesin e njerëzve dhe ajo që duhet është vullneti politik për ta bërë këtë, për të cilin mendoj se egziston, por unë mendoj se duhet që sërish të fillojë të ecë ky proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni zhvillimet e fundit politike ne Kosovë, dhe sa ndikojnë këto në procesin e decentralizimit?

OWEN MASTERS
Ka shumë gjëra që po ndodhin dhe decentralizimi ka qenë diçka që është pritur, unë kam punuar në një kohë në Kosovë dhe Maqedoni dhe ka qenë interesant që të ndiqet konflikti i 2001-ës. Ne patëm filluar veprimet në shumë fusha dhe decentralizimi ishte vetëm një nga to dhe tani këtë vit, në Maqedoni u mbajtën zgjedhjet për një strukturë të decentralizuar, kështu që unë mendoj se është e mundur të ndiqen rrugë të ndryshme dhe në fund megjithatë të arrihet qëllimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë vit priten të hapen bisedimet për statusin politik të Kosovës, mendoni se do të përcaktohet statusi vitin e ardhshëm?

OWEN MASTERS
Unë mendoj se bisedimet do të fillojnë këtë vit dhe ky është fillimi. Nuk do të thosha se është fillimi i fundit, dhe as fundi i fillimit, por thjesht është fillimi dhe të gjithë ata, që e duan Kosovën dhe popullin e saj dëshirojnë, që këto bisedime të kenë sukses, pavarësisht se sa mund të zgjasin. Më e rëndësishmja është suksesi për Kosovën, për popullin e saj, paqja dhe prosperiteti për të gjithë njerëzit.

Intervistoi: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG