Ndërlidhjet

B. KOSUMI: ZGJIDHJA E STATUSIT, E DREJTË E POPULLIT TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zgjidhja e statusit të Kosovës në pajtim me vullnetin e popullit të saj, është rruga e vetme për të dalë nga rrethi vicioz i standardeve para statusit, ndërkohë që Beogradi nuk mund të vendosë për të ardhmen e Kosovës, edhe pse nuk do të jetë i përjashtuar nga procesi, kanë thënë sot pjesëmarrës të një konference me temë “Statusi kundër status-quos”, mbajtur në Prishtinë, nën organizimin e Forumit 2015, që mbledh rreth vetes disa organizata joqeveritare.
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës nuk guxon të shtyhet dhe se bisedimet për statusin duhet të fillojnë këtë shtator e të përfundojnë në qershor të vitit të ardhshëm:
"Zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës është e drejtë demokratike e popullit të Kosovës. Ajo që kemi realizuar në Kosovë në gjashtë vjetët e fundit është vepër e popullit të Kosovës dhe e bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo vepër duhet të finalizohet në radhë të parë me vullnetin e popullit të Kosovës dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare."
Kryeministri Kosumi tha se përcaktimi më i shpejtë i statusit përfundimtar të Kosovës, do të ndihmonte për ta forcuar besimin e popullit të Kosovës në të drejtën demokratike për të vendosur vetë për fatin e vet.
"Nuk është Beogradi ai që duhet të vendosë më për Kosovën. Ne nuk besoj se mund ta përjashtojmë Beogradin nga ky proces – në disa çështje nuk kemi as interes ta përjashtojmë, ne do të jemi fqinj me Beogradin dhe ne detyrohemi të kemi marrëdhënie të mira, mirëpo për të vendosur për fatin e Kosovës, se si do të jetojë populli i Kosovës në të ardhmen, se si do të jetojnë fëmijët tanë pas dhjetë vjetësh, Beogradi nuk e ka më atë të drejtë dhe populli i Kosovës duhet ta ushtrojë këtë të drejtë deri në fund."
Ndërkaq, zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Larry Rossin, tha se zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës do të fillojë shumë shpejt, por kjo varet edhe nga raporti që do ta përpilojë i dërguari i posaçëm i sekretarit Anan, ambasadori Kai Eide. Zoti Rossin njëkohësisht ka kërkuar nga liderët vendorë që të ndërmarrin hapa konkretë, për të dinamizuar procesin e adresimit të çështjeve që paraqiten në rrugën e këtij proces, përfshirë edhe dialogun e brendshëm me komunitetet etnike:
"Është e vërtetë se përkrahja për pavarësi është dërrmuese në Kosovë, mirëpo nuk ka konsensus të plotë për këtë në mesin e gjithë popullit të Kosovës," tha Rossin, për të shtuar se komuniteti ndërkombëtar do ta ndihmojë dialogun konstruktiv ndërmjet të gjitha komuniteteve.
Në anën tjetër, profesori kosovar që punon në Francë, Muhamedin Kullashi, tha se zgjidhja për të dalë nga ai situata, që ai e quajti rreth vicioz, është statusi:
"Është një rreth vicioz, pasi nëse nuk ka mundësi dhe investime, është vështirë të realizohen standardet, së paku për zhvillimin ekonomik, por edhe realizimi i standardeve të tjera pa një komunikim të fortë të institucioneve kosovare, edhe arsimore, edhe kulturore, me ato të bashkësisë ndërkombëtare është i vështirë. Pra, ky është një rreth vicioz nga i cili duhet të dilet dhe rrugëdalja është në përshpejtimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, për kapërcimin e këtij izolimi".
Ndërkaq, për këshilltarin juridik të presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, zotin Halit Muharremi, ka argumente të mjaftueshme për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera:
"Në fakt, kemi të bëjmë me përcaktimin e popullit të Kosovës për një shtet të pavarur dhe sovran dhe kërkesa është që të njihet ai realitet politik dhe kushtetues-juridik i Kosovës, që Kosova të njihet ndërkombëtarisht si shtet i pavarur dhe sovran."
Madje, zoti Muharremi i quajti të tepërta kërkesat për ushtrimin e të drejtës së referendumit, pasi sipas tij Kosova dhe disa njësi të tjera të ish-federatës jugosllave, këtë të drejtë tashmë e kanë konsumuar përmes referendumeve që kanë mbajtur në vitet ’90.
Ndërkaq, në konkluzionet e kësaj konference, u tha se pavarësia do të hapte mundësitë për zhvillim ekonomik dhe social, si dhe për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane. Çdo zgjidhje tjetër, thuhet në konkluzione, do ta linte të hapur rrugën për destabilitet. Ndërkaq, zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të bëhet sa më parë, për të evituar shpërthimin eventual të pakënaqësive të shkaktuara nga status-quo-ja. Ekspertët kanë përmendur edhe sondazhet, ku gati 100 për qind e shqiptarëve dhe pakicave joserbe përkrahin pavarësinë si zgjidhje, ndërkohë që serbët e Kosovës parapëlqejnë autonominë apo ndarjen e Kosovës.



XS
SM
MD
LG