Ndërlidhjet

IRAK: BETEJA ME KOHËN PËR HARTIMIN E KUSHTETUTËS


Kushtetuta e parë në Irakun e pas Sadamit, sipas parashikimeve do duhet të hartohet deri të hënën e ardhshme. Por megjithë kohën e kufizuar, për momentin ai që është dokumenti themelor i shtetit mbetet në formën e projektit në duart e Komitetit hartues. Ende mbeten të pazgjidhura disa nga çështjet kyçe. Në mesin e këtyre çështjeve janë ato që kanë të bëjnë me sa autonomi do t'i jepet kurdëve që popullojnë veriun e Irakut; dhe çfarë përgjigje do ketë për kërkesën e disa partive shiite, të cilat kanë shumicën në parlament, për të njëjtën shkallë autonomie për shiitët në jug të Irakut, ashtu si dhe për kurdët. Por për këtë të fundit duket se përballjet janë më të ashpra.
"Arabët sunitë thonë se i kuptojnë veçantitë që lidhen me rajonin e Kurdistanit dhe federalizmin e tyre, i cili realisht ka ekzistuar prej kohësh. Por ata nuk e kuptojnë dhe nuk janë dakord me zbatimin e parimit të federalizimit për pjesën tjetër të Irakut, veçanërisht për jugun e vendit. Ata thonë se një gjë e tillë do çojë në fragmentarizimin e vendit dhe ndoshta do të çojë në rajone që do jenë nën ndikimin e Iranit", tha për Evropën e Lirë, Mahmud Otman, përfaqësuesi kurd në Komitetin e hartimit të kushtetutës.
Nuk është e qartë se sa e fortë është dëshira për autonomi në mesin e popullsisë shiite në jug pasi nuk ka anketa që masin opinionin publik. Megjithatë është i njohur fakti se shumë shiitë i druhen një qeverie të fortë në Bagdad, madje e shohin si kërcënim, nisur nga përvojat e së kaluarës. Por federalizmi nuk është vetëm një çështje etnike e politike. Ai lidhet dhe me mënyrën se si duhen ndarë të ardhurat nga fushat e naftës, të cilat janë kryesisht në jug dhe veri të vendit.
Duke kaluar sërish në dallimet politike, një tjetër problem mbetet kërkesa e partive fetare shiite që ligji islamik të jetë në thelb të kushtetutës së re irakiane. Këtu qëndron dallimi kryesor mes kurdëve dhe shiitëve.
Për këto dallime, përfaqësuesi kurd Otman sqaron:
"Ata thonë islami është burimi kryesor i legjistlacionit, ndërsa ne themi se islami është një nga burimet, por jo ai kryesori. Ata vazhdojnë me kërkesën se nuk duhet të ketë ligje që kundërshtojnë mësimet islame. Ne jemi dakord, por kërkojmë që njëherësh ligjet të mos jenë në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe demokracinë", thotë Otman.
Nga ana tjetër, ndërkombëtarët po përpiqen që të shtyjnë Komitetin hartues të kushtetutës që të respektojë afatet kohore. Michael Clarke, drejtor i Institutit të politikave ndërkombëtare në Londër thotë:
"Ky afat është absolutisht i rëndësishëm për t'u respektuar, jo thjesht për hir të respektimit të një date, por se mund t'i japë fund vakumit të qeverisë që është krijuar aktualisht në Irak. Problemi me të cilin përballet Iraku nuk është se çdokush po rend drejt luftës civile, kjo nuk është e vërtetë. Por mbeten sërish jo pak grupe më këto tendenca. Dhe sa më shumë zgjat vakumi qeveritar aq më shumë rriten gjasat që këto tendenca të shtohen", sqaron Clarke. Megjithatë e hëna është vetëm një nga afatet për projektkushtetutën irakiane. Në tetor ajo duhet t'i nënshtrohet referendumit.

Charles Recknagel, Radio Evropa e Lirë
XS
SM
MD
LG