Ndërlidhjet

MILIONA TË PREKUR NGA URAGANI KATRINA


Robert McMahon

Njëra nga stuhitë më shkatërrimtare në historinë e Shteteve të Bashkuara, me gjasë ka lënë qindra të vdekur, qindra mijë pa kulm mbi kokë dhe ka shkaktuar dëme prej disa miliarda dollarësh.
Zyrtarët amerikanë tani kanë filluar të përballen me bilancin e përgjithshëm të dëmeve që shkaktoi uragani Katrina, i cili i shkretoi brigjet jugore amerikane dhe shkaktoi përmbytje masive.
Ndër shqetësimet më të mëdha mbetet New Orleansi, ku punëtorët humanitarë përpiqen t'i evakuojnë dhjetra mijë banorë nga ujërat që kanë vërshuar qytetin.
Një pjesë e madhe e brigjeve amerikane të Gjirit të Meksikës janë shndërruar në skena të shkatërrimit.
New Orleans, qyteti me rreth 1 milion e gjysmë banorë, në pjesën më të madhe gjendet nën ujë. Mijëra shtëpi në shtetet Luiziana dhe Misisipi janë zhdukur nga themeli nga erërat e forta apo rrebeshet e ujit të papërmbajtur.
Rrugët kryesore janë shkatërruar dhe me komunikime të kufizuara, autoritetet nuk kanë shumë ide se sa njerëz e kanë humbur jetën.
Një ditë pasi uragani Katrina e përfshiu qytetin, guvernatorja e Luizianës Kathleen Blanco, deklaroi:
"Shumë njerëz e kanë humbur jetën, por ne ende nuk kemi një ide të qartë sepse jemi fokusuar te të mbijetuarit", tha Blanco.
Në mesin e prioriteteve, ajo theksoi mijëra njerëz që tash kanë kërkuar strehim në stadiumin kryesor të qytetit, rreth të cilit është rritur niveli i ujit. Në disa pjesë të qytetit, uji ka arritur nivelin prej 6 metrash.
Në një prononcim në Kaliforni, presidenti George Bush tha se përgjigja humanitare ende është në fazën fillestare.
"Këtë mëngjes, zemrat dhe lutjet tona janë me bashkëvendasit tanë përgjatë brigjeve të Gjirit, të cilët vuajtën aq shumë nga uragani Katrina. Kjo është kohë e sprovës për njerëzit e atyre komuniteteve. E dimë se me padurim presin të kthehen në shtëpitë e tyre, por kjo për momentin nuk është e mundur. Tash prioriteti ynë është të shpëtojmë jetë dhe t'i kërkojmë të mbijetuarit", tha presidenti Bush, i cili e ndërpreu pushimin dhe u kthye në Uashington që të përqëndrohet në operacionet e shpëtimit.
Raporti i fundit thotë se të paktën 80% e New Orleans është përmbytur. Në shtetet Alabama, Misisipi dhe Luiziana, 2 milionë banorë kanë mbetur pa energji elektrike, dhe mijëra kanë nevojë për tenda, ujë dhe ushqim. Lesly Simmons, zëdhënëse e Kryqit të Kuq amerikan, i tha Radios Evropa e Lirë se organizata ka ndërmarrë një ndër operacionet më të mëdha humanitare në histori.
"Ne kemi vendosur strehimore në gjithë zonën prej Floridës deri në Teksas. Mendoj se do të vendosim strehimore edhe në Xhorxhia. Ende po bie shumë shi, prandaj duhet të sigurohemi se mund t'u ndihmojmë këtyre njerëzve", tha Simmons.
Në përpjekjet për shpëtimin e të mbijetuarve janë angazhuar Garda Kombëtare, Roja Bregdetare dhe shumë agjenci federale. Zyrtarët ndërkaq thonë se do të duhen javë të tëra për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmeve.
Vlerësimet e para sugjerojnë se industria e sigurimeve do të përballet me kërkesa për 26 miliardë dollarë dëmshpërblim. Kjo do t'i tejkalojë edhe dëmet e shkaktuar nga uragani Andrew në vitin 1992 dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
XS
SM
MD
LG