Ndërlidhjet

ANDERSON: KOMUNAT VERIORE TË GËZOJNË AUTONOMI PRAKTIKE, PA TË DREJTË NDARJEJE


Alex Anderson, shef i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson a do t’i përshkruanit në mënyrë të përgjithshme çështjet kryesore të raportit tuaj të sotëm për Mitrovicën?

ALEX ANDERSON
Po, ne e kemi lëshuar një raport për veriun e Mitrovicës, për shkak se retorika e bashkësisë ndërkombëtare për nevojën që Kosova të ketë integritet territorial, me çka ne pajtohemi plotësisht, deri më tash nuk është mbështetur nga masa konkrete që do ta realizonin atë integritet. Posaçërisht, bashkësia ndërkombëtare, UNMIK-u dhe KFOR-i nuk e kanë përmbushur në të vërtetë mandatin e tyre në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Në tre komunat veriore Zubin Potok-Leposaviq dhe Zveçan kemi një prani shumë të zbehtë të UNMIK-ut, që në të vërtetë tregon atë, që vazhdon të jetë ushtrim i pushtetit nga Serbia në shumë aspekte. Ajo që kemi propozuar është një seri veprimesh që synojnë ta ndryshojnë situatën me qëllim të arrihet një situatë në veriun e Kosovës që e sjell veriun në të ardhmen e Kosovës, pa mundësuar që shumica shqiptare të mbizotërojë në zonat që efektivisht janë të banuara nga serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rekomandimet, raporti përmend një lloj autonomie për pjesën veriore. Në çfarë drejtimi duhet të arrihet kjo autonomi?

ALEX ANDERSON
Ne jemi nisur nga nevoja që komunat veriore të dominuara nga serbët të gëzojnë një autonomi praktike, por pa të drejtën për t’u ndarë apo për të formuar ndonjë lloj entiteti të natyrës çfarë kemi në Bosnjë, që do të lejonin ndoshta ndarjen në faza të mëvonshme. Ajo që kemi propozuar është një seri mekanizmash institucionale, që do t’u mundësonin këtyre komunave që të kenë një autonomi të konsiderueshme si komuna, ashtu si edhe komunat e tjera të Kosovës, për të përdorur burimet në qeverisjen lokale, ku kemi propozuar njohjen e më shumë departamenteve qeveritare të orientuara kah serbët, si për shembull ndoshta që zëvendëskryeministri t’u lihet të përcaktohet nga serbët, dhe për t’i shfrytëzuar këto mekanizma burimesh të koordinuara që t’u mundësohet një autonomi vetanake, pa lejuar të drejtën kushtetuese për t’u shkëputur apo për të formuar ndonjë lloj të entitetit formal të ndarë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se këto komuna në pjesën veriore duhet të jenë të lidhura mes vete në çfarëdo mënyre, për të formuar ndonjë strukture homogjene territoriale?

ALEX ANDERSON
Ne nuk mendojmë se do të ishte ide e mirë që të kishte ndonjë aranzhim të tillë formal, ndërsa në baza joformale kjo është e mundur, për shembull që nëse këto komuna duan të kenë ndonjë program të përbashkët, apo ta miratojnë ndonjë ligj komunal që duan ta koordinojnë mes vete. Ata mund ta bëjnë këtë, duke shfrytëzuar këto elemente të reja në qeverisjen qendrore të Kosovës, që do të jetë më e orientuar kah shëbrimet për serbët, puna e të cilëve do të jetë po ashtu për të absorbuar strukturat aktuale paralele të Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, cili duhet të jetë roli i Beogradit për të jetësuar këto ide dhe në cilat fusha duhet të përfshihet Beogradi?

ALEX ANDERSON
Ne mendojmë se ka një hapësirë të kufizuar për Beogradit që të përfshihet përmes marrëveshjeve dhe koordinimit përmes strukturave të autoriteteve qendrore të Kosovës, në fushat si arsimi, kujdesi shëndetësor, politikat sociale, politikat kulturore dhe mendoj se ka një hapësirë për këtë. E rëndësishmja sipas meje është që bashkësia ndërkombëtare t'i dërgojë porosi të qartë Beogradit, jo vetëm përmes retorikës, por përmes veprimeve lidhur me veriun e Kosovës, se ndarja nuk është në rendin e ditës dhe se rruga e vetme e mundshme përpara për Beogradin, duhet të jetë ajo e bashkëpunimit dhe e përkrahjes së bashkësisë serbe në Kosovë përmes bashkëpunimit përmes strukturave të autoritete qendrore të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A nuk mendoni se ideja për autonominë e pjesës veriore është në kundërshtim me qëndrimet e Grupit të Kontaktit se nuk do të ketë copëtim apo ndarje të Kosovës?

ALEX ANDERSON
Duhet të shihet se si do të ndërtohet ajo autonomi. Ajo që kemi propozuar është për një autonomi të konsiderueshme praktike, pa të drejtën kushtetuese për t’u ndarë apo shkëputur, apo pa të drejtën të pasur një strukturë të entitetit zyrtar për veriun.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, cili do të jetë roli i komisionarit special për pjesën veriore, në kohën e proceseve aktuale të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës?

ALEX ANDERSON
Zgjidhja e statusit të Mitrovicës dhe statusit përfundimtar të Kosovës duhet të shkojë dorë pas dorë në mënyrë proaktive, dhe jo në ndonjë lloj situate si ajo e tashmja kur kemi një hezitim, pasi një problem shkakton tjetër problem, edhe më të pazgjidhshëm. Roli që kemi paraparë për komisionarin special është një figurë e fortë, që nën mandatin e përgjithshëm të UNMIK-ut për negociatat për statusin, do të jetë i aftë të kombinojë pushtetin civil dhe para së gjithash ushtarak në veri, për të dëshmuar vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare në veri dhe që përmes një serie masash ta riintegrojë Mitrovicën dhe veriun në mënyrën që do ta ruajë integritetin territorial të Kosovës, por që gjithashtu nuk do të lejojë që zonat e banuara nga serbët t’i ekspozohen dominimit që ata ia kanë frikën nga Kosova e mbizotëruar nga shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni përmendur në raport nevojën për të larguar stacionet policore dhe gjyqet paralele në pjesën veriore. A është ky një sugjerim se strukturat e tilla paralele në të vërtetë egzistojnë?

ALEX ANDERSON
Nuk është një sugjerim, por është një gjendje e fakteve, pasi natyrisht se strukturat e tilla egzistojnë. Për shembull në veriun e Mitrovicës ka stacion policor paralel serb, stacion të Ministrisë të Brendshme të Serbisë dhe kemi dhjetëra zyra të tjera, shumica e të cilave merren me punë administrative. Sidoqoftë, prania e tyre përbën një shkelje të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në disa vitet e fundit kemi parë UNMIK-un dhe KFOR-in që kanë qenë mjaft të lumtur të jetojnë me këtë dhe e kanë pranuar si një realitet, pa kuptuar tërësisht apo pa dashur të kuptojnë se prania e këtyre elementeve të sigurisë dhe gjyqeve paralele, në të vërtetë shkel mandatin që UNMIK-u dhe KFOR-i kanë marrë për ta përmbushur në Kosovë.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG