Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI KOSUMI KËRKON UNITET POLITIK DHE PREMTON NDËRTIMIN E SHOQËRISË SHUMË-ETNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, e ka quajtur dorëzimin e raportit të ambasadorit Eide në Këshillin e Sigurimit, si hyrje në periudhën më të rëndësishme në historinë e Kosovës dhe ka thënë se ky proces e hap perspektivën për të bërë shtetin e Kosovës. Këto vlerësime kryeministri Kosumi i ka bërë sonte në mbrëmje në një mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës, me rastin e dorëzimit të raportit të ambasadorit Eide në Këshillin e Sigurimit:
"Të nderuar qytetarë të Kosovës, këto ditë po hyjmë në periudhën më të rëndësishme të historisë së Kosovës - Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, e ka dorëzuar sot raportin e ambasadorit Eide për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, me të cilin rekomandohet fillimi i bisedave për statusin përfundimtar të Kosovës. Ky proces e hap perspektivën për të bërë shtetin e Kosovës".
Në vazhdim të mesazhit të tij, kryeministri i Kosovës tha se lufta për ta bërë shtetin ka qenë e gjatë dhe e mundimshme dhe në këto gjashtë vjet të pasluftës është ndërtuar një rend demokratik i bazuar mbi vlerat qytetare.
"Kemi përmbushur standard pas standardi, kemi hartuar ligj pas ligji, në mënyrë që ta përgatisim Kosovën për të qenë shtet. Ne kemi ditur ta bëjmë luftën së bashku dhe së bashku do ta bëjmë shtetin dhe paqen. Nuk e kemi harruar për asnjë çast asnjë njeri që ka flijuar jetën për Kosovën, nuk i kemi harruar të pagjeturit, ata që kanë bërë vite burgu, ata që kanë shkrirë dijen, djersën dhe pasurinë e tyre për shtetin e Kosovës, por asnjëherë nuk kemi harruar se rruga drejt lirisë së Kosovës ishte dhe është thelbi i punës sonë. "
Mirëpo, tha kryeministri Kosumi, ky nuk është fundi i rrugës:
"Ka ende shumë punë për të bërë – qëllimi ynë është ta bëjmë shtetin tonë dhe ta gjejmë vendin e tij në Evropën e bashkuar. Shteti i Kosovës do të jetë i bazuar mbi rendin dhe ligjin, mbi respektimin e vlerave njerëzore dhe mbi ndërtimin e një demokracie qytetare. Kosova e pavarur do të jetë faktor stabiliteti në rajon – ajo do të ketë perspektivë të madhe dhe do të bëhet fuqi ekonomike, por e tillë mund të jetë vetëm nëse bëhet shtet. Kosova nuk do të jetë vend i shtypjes dhe i mbyllur - ajo do të jetë shembull i shumëkombësisë dhe i respektimit të drejtave njerëzore të secilit qytetar të saj, pavarësisht nga përkatësia e tij kombëtare."
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha në vazhdim, se në këtë fazë kur të gjithë kanë kthyer sytë kah ne, Kosova ka nevojë të flasë me një zë. Ajo ka nevojë që qytetarët dhe politikanët të lënë anash të gjitha lojërat dhe inatet politike, e të bashkohen rreth qëllimit të përbashkët:
"Delegacioni i Kosovës për statusin përfundimtar është shembull i krijimit të unitetit, ndërsa institucionet e Kosovës janë garanci për këtë. Qytetarë të nderuar të Kosovës, ta shndërrojmë patriotizmin në pragmatizëm, lë të krijojmë një pakt të mirëkuptimit ndërmjet vetes dhe ta ndërtojmë shtetin bashkërisht ".
Kryeministri Kosumi tha se deri në atë kohë të gjithë duhet të përballen me sfidat dhe vështirësitë, për t’i tejkaluar ato pa tensione dhe kjo duhet të bëhet mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijëve.


XS
SM
MD
LG