Ndërlidhjet

SHKUP: BERISHA DHE BUÇKOVSKI DISKUTOJNË STATUSIN E KOSOVËS


Sefer Tahiri, Shkup

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, pas bisedimeve që i pati me kryeministrin e Maqedonisë Vlado Buçkovski, deklaroi që ky vit është mjaft i rëndësishëm për rajonin, sepse do të fillojnë negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës. Zoti Berisha theksoi se qeveria shqiptare vlerëson se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të bëhet duke i respektuar kufijtë ekzistues të Ballkanit, të cilët janë të njohur ndërkombëtarisht.
"Statusi duhet të zgjidhet në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar, që qytetarët e Kosovës në mënyrë të përsëritur janë shprehur për pavarësinë e tyre. Shqipëria insiston në garantimin e të gjitha lirive dhe të drejtave të serbëve në Kosovë dhe minoriteteve të tjera, sikundër konsideron dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit si një faktor të domosdoshëm për statusin, për problemet e tjera, në mënyrë që këto dy vende të hapin në kapitull të ri të bashkëpunimit miqësor ndërmjet tyre," tha kryeministri shqiptar Sali Berisha.
Ndërsa kryeministri Vllado Buçkovski, duke e shpalosur qëndrimin e qeverisë së Maqedonisë rreth statusit të Kosovës, deklaroi:
"Është shumë e rëndësishme të përforcohet parimi themelor se çfarëdo zgjidhje e statusit, e cila do të çojë drejt pavarësisë së Kosovës, nuk duhet të shkaktojnë ndryshime të kufijve, ndërsa në fund të fundit vendimi për statusin e Kosovës nuk do të merret as në Shkup e as në Tiranë", tha kryeministri i Maqedonisë Buçkovski.
Në takimin e sotëm kryeministrat Berisha dhe Buçkovski kanë arritur pajtim rreth përforcimit të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, përparimit të bashkëpunimit rajonal në kuadër të grupit të Adriatikut, ku përveç Maqedonisë dhe Shqipërisë merr pjesë edhe Kroacia dhe rreth procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kryeministri Berisha tha se në Maqedoni janë bërë shumë zhvillime pozitive politike.
"Shqipëria përshëndet progresin e madh që është bërë në drejtim të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, shndërrimin e saj në një marrëveshje paqeje e stabiliteti për vendin fqinj mik. Ne gjithashtu ramë dakort për të liberalizuar më tej lëvizjet e qytetarëve midis dy vendeve tona. Bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar është një fushë tjetër me interes të përbashkët. Konstatojmë me kënaqësi se marrëdhëniet ushtarake midis dy vendeve në kuadrin e Kartës së Adriatikut janë të shkëlqyera. Vendet tona janë më shumë se partnerë për NATO", tha zoti Berisha.
Ndërkohë kryeministri Vlado Buçkovski theksoi se me zotin Berisha ka rënë dakort edhe rreth thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.
"Për një bashkëpunim më të mirë ekonomik nevojitet realizimi i projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe për këtë shkak na duhet mbështetja e institucioneve evropiane, por edhe e institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare," tha kryeministri Buçkovski.




XS
SM
MD
LG