Ndërlidhjet

PRISHTINË: DISKUTOHET ÇËSHTJA E SIGURISË PËR FAZËN PAS ZGJIDHJES SË STATUSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shqyrtimi i sektorit të sigurisë së brendshme do të jetë përcaktues për atë se si do të duken forcat e ardhshme të sigurisë në Kosovë, thanë sonte zyrtarë të UNMIK-ut, qeverisë së Kosovës dhe organizatave joqeveritare, që kanë marrë pjesë në takimin e parë të grupit për shqyrtimin e sigurisë së brendshme. Lulzim Peci, udhëheqës i organizatës KIPRED nga Prishtina që merr pjesë në këtë grup punues, tha në një konferencë shtypi se ky shqyrtim është një proces i rëndësishëm për disa arsye:
"Se si do të duken forcat e ardhshme të sigurisë në Kosovë, do ta përcaktojë ky proces, prandaj ne nuk jemi në gjendje që tash të japim përgjigje, por procesi do ta japë përgjigjen për këtë," tha zoti Peci, sipas të cilit në diskutimet e sotme që janë bërë pa praninë e gazetarëve, ka mbizotëruar bindja se kërcënimet e brendshme të sigurisë në Kosovë janë shumë më të rëndësishme sesa ato të jashtmet.
Në anën tjetër, Helena Vasquez, nga zyra këshillëdhënëse e UNMIK-ut për siguri, tha se ky proces është i lidhur edhe me Ministrinë e Rendit që pritet të formohet gjatë dhjetorit:
"Shqyrtimi i sektorit të sigurisë së brendshme do të shqyrtojë dhe vlerësojë të gjitha vendimet që janë marrë lidhur me formimin e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë," tha Helena Vasquez, për të shtuar se shqyrtimi nuk do të mund të kryhet së paku edhe gjashtë muaj. Prandaj gjatë kësaj kohe pritet të formohet ministria dhe natyrisht se ky proces nuk do ta përcaktojë dinamikën e formimit të ministrive.
Kryeadministratori Jessen Petersen tha se ndërtimi i kapaciteteve për udhëheqjen e Kosovës së pas statusit është ndër çështjet më të rëndësishme, bashkë me përgatitjet për bisedat për statusin dhe përmbushjen e vazhdueshme të standardeve:
"Është me shumë rëndësi që të punojmë të gjithë bashku për të mbështetur ndërtimin e kapaciteteve që do të jenë të nevojshme për ta udhëhequr Kosovën pas statusit," tha zoti Petersen, sipas të cilit një nga kapacitetet më të rëndësishme që ka nevojë të ndërtohet është aftësia e Kosovës për të ndërtuar një shoqëri të mbështetur mbi sundimin e ligjit.
Shqyrtimi i sektorit të brendshëm të sigurisë është një ushtrim i rëndësishëm i ndërtimit të kapaciteteve në fushë të sigurisë dhe është nisma e parë konkrete për ta bërë Kosovën të përgatitur për fazën pas përcaktimit të statusit, tha zoti Petersen:
"Qëllimi i sektorit për shqyrtimin e sigurisë së brendshme është ndërtimi i arkitekturës së sigurisë së Kosovës së re," tha Petersen. Ai tha se të gjithë duhet të japin kontribut të madh për të ndërtuar një sistem shoqëror në Kosovë, i cili do të jetë i mbështetur në sundimin e ligjit, bashkë me të gjitha institucionet, strukturat, standardet dhe etikën e nevojshme për një sistem sigurie, siç u shpreh Petersen.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se Kosova tashmë ka hyrë në fazën vendimtare të përcaktimit të statusit të saj. Në këtë drejtim, krijimi i shtetit demokratik dhe evropian të Kosovës, kërkon themelimin e strukturave dhe mekanizmave moderne dhe efektive të sigurisë, tha kryeministri Kosumi:
"Hyrja në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës, kërkon nga institucionet vendore një angazhim dhe përkushtim gjithëpërfshirës në disenjimin e arkitekturës së sektorit të sigurisë, e cila për ne përbën çështjen më themelore për ndërtimin e një Kosove moderne dhe evropiane".
Kryeministri Kosumi tha se rol të rëndësishëm në këtë arkitekturë do të duhej të kishin edhe Trupat e Mbrojtjes së Kosovës:
"Qeveria e Kosovës beson se në procesin e rishikimit të sigurisë në vend një rol të rëndësishëm duhet të luajë edhe TMK, e cila krahas pranisë së NATO-s në Kosovë dhe në bashkëpunim me të do t’u kontribuonte këtyre proceseve që kanë nevojë për siguri, paqe dhe stabilitet".
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se formimi shumë shpejt i Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë dhe mekanizmave të tjera të sigurisë e bën këtë proces më të besueshëm dhe më stabil.
Sektori për shqyrtimin e sigurisë së brendshme ka për qëllim identifikimin e nevojave për ndërtimin e strukturave të sigurisë në Kosovë.
Zyrtarët ndërkombëtarë më herët patën thënë se këto dy ministri do të mund të formoheshin deri në fund të këtij viti, në mënyrë që të rrumbullakësohej bartja e të gjitha kompetencave më të rëndësishme nga UNMIK-u tek institucionet vendore.
XS
SM
MD
LG