Ndërlidhjet

MEJDANI: POZITA DHE OPOZITA SHQIPTARE ME TË NJËJTIN MENDIM PËR SHTETIN E PAVARUR TË KOSOVËS


RexhepMejdani, ish president i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mejdani si i vlerësoni ndikimet e anasjellta të zhvillimeve në Kosovë dhe Shqipëri gjatë 15 viteve të fundit?

REXHEP MEJDANI
Natyrisht që zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë diku kanë qenë konvergjente dhe kanë ndikuar tek njëri tjetri. Diku ato kanë qenë fare divergjente pa ndonjë ndikim të ndërsjellë. Zhvillimet në Kosovë dhe zhvillimet në Shqipëri sidoqoftë kanë një lidhje. Mund të them që nëqoftëse ky ndikim i ndërsjellë në momente të caktuara ka qenë i dyanshëm, përgjithësisht në mesataren e tij, ndikim shumë më të madh në zhvillimet në Kosovë ka patur vetë Shqipëria për arsye historike, për arsye të faktit që Shqipëria është formësuar si shtet pothuajse një shekull më parë, ndërkohë që populli shqiptar i Kosovës ka qenë një popull i kolonizuar, praktikisht Kosova ka qenë një koloni serbe. Kështu që ndikimi i Shqipërisë, i zhvillimeve politike shqiptare në Kosovë ka qenë shumë më i madh sesa e kundërta. Por nuk mund të mohohet që edhe zhvillimet kosovare kanë ndikuar në zhvillimet shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mejdani, në këtë moment kur Kosova ka hyrë në fazën e përcaktimit të statusit. Cili duhet të jetë roli i diplomacisë shqiptare dhe i shtetit shqiptar në përgjithësi sipas këndvështrimit tuaj?

REXHEP MEJDANI
Natyrisht që ky është problem kompleks. Nuk është që Shqipëria mund të ketë një peshë maksimale në tavolinën e diskutimeve, por nga ana tjetër, Shqipëria duhet të shkëputet nga kompleksi i inferioritetit. Shqipëria duhet që, pas një analize të thellë politike diplomatike, të mbajë pozicionin e qartë të saj dhe ta deklarojë këtë pozicion pa këto komplekse në mënyrë publike, sepse gjykoj që në këtë drejtim, duke patur parasysh situatën shqiptare, duke patur parasysh dhe interesat e vetë Shqipërisë, zakonisht përdoren dhe formulime të gëzuara ose formulime që fillimisht janë përcaktuar edhe nga të tjerët. Ndërkohë që kjo fazë, në gjykimin tim, është kapërcyer dhe Shqipëria duhet ta thotë hapur. Kur them Shqipëria, natyrisht nënkuptoj që politika dhe diplomacia shqiptare, duhet të thotë hapur se çfarë është në të mirë të rajonit, jo vetëm në të mirë të popullit shqiptar të Kosovës, por çfarë është mirë edhe në të mirë të popullit serb. Shqipëria, atë që ndien, pra atë që ndien politika dhe diplomacia, nuk ka pse ta formulojë me dorëza, por pa asnjë kufizim të bëjë formulimin që Kosova ka vetëm një zgjidhje, që stabiliteti dhe rajoni kanë një zgjidhje, që procesi demokratik në Serbi dhe çlirimi i shoqërisë serbe nga nacionalizmi i kultivuar në shekuj ka vetëm një zgjidhje, që zhvillimi ekonomiko-politik i Serbisë dhe proceset më të shpejta integruese të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO kanë vetëm një zgjidhje dhe kjo është që ato duhet të pranojnë pavarësinë e Kosovës. Një pranim sa më i shpejtë i pavarësisë së Kosovës do të thotë dhe një zhvillim normal i një fqinjësie të mirë midis popullit shqiptar të Kosovës dhe popullit serb. Çdo vonesë në këtë drejtim unë gjykoj se është në dëm, jo vetëm të shqiptarëve në Kosovë sepse ata jetojnë në liri, ata praktikisht janë shkëputur nga Serbia, por në radhë të parë është në dëm të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke ndaluar tek roli i shtetit shqiptar. Është vënë re kohët e fundit një kakofoni, nëse mund të shpreheshim kështu lidhur me qëndrimet midis presidencës, kryeministrit dhe ministrit të jashtëm, të cilët praktikisht përmendin pavarësinë, të drejtën për vetëvendosje dhe pavarësinë e kushtëzuar. Për çfarë flet kjo dhe a mund të ketë një bashkërendim të qëndrimeve të politikës shqiptare?

REXHEP MEJDANI
Bashkërendimi i qëndrimeve është i domosdoshëm dhe gjykoj që edhe rezoluta që do të nxjerrë parlamenti ecën në këtë drejtim. Nuk mund të kenë institucionet që mbulojnë politikën e jashtme qëndrime ose të paktën formulime të ndryshme. Në gjykimin tim formulimi i pavarësisë së kushtëzuar, në qoftëse interpretohet ashtu siç është interpretuar, mund të mos jetë problematik, por një terminologji e tillë, e cila detyrimisht kërkon komente dhe mund të krijojë dhe shqetësime në mjedisin jo vetëm shqiptar, por edhe në mjedisin politik diplomatik.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni ndonjë dallim në qëndrimin e pozitës dhe opozitës në Shqipëri lidhur me çështjen e Kosovës?

REXHEP MEJDANI
Natyrisht në pozitë ose në qeverisje kërkohet një formulim përgjithësisht më diplomatik. Pozita në formulimet e veta e ka brenda si të thuash kujdesin diplomatik. Ndërsa opozita formulimet mund t'i ketë më të hapura dhe në këtë kuptim mund të ketë njëfarë ndryshimi nuancial përsa i përket deklarimeve lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, por thelbi është i njëjtë. Vullneti politik i popullit shqiptar, që natyrisht shprehet përmes gjuhës së politikanëve si të pozitës dhe opozitës, është një dhe ai është që Kosova duhet të jetë një shtet i pavarur dhe në thelb qëndrimet e pozitës dhe opozitës janë konvergjente lidhur me çështjen e Kosovës.

Intervistoi Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG