Ndërlidhjet

KOSOVARJA E NOMINUAR PËR NOBEL


Bekim Bislimi, Prishtinë

Një fëmijë, i goditur nga lufta për shkak humbjes së motrës dhe vëllait, megjithatë tash e 6 vite po punon për paqen, tolerncën, bashkëjetesën dhe lirinë e të gjithë njerëzve në Kosovë. Kjo është arsyeja për të cilën 17 vjeçarja, Fatmire Feka, nga fshati Koshtovë i Mitrovicës, këtë vit ishte gjetur në mesin e 1000 grave të botës, të cilat u nominuan për çmimin Nobel. Fatmirja, thotë se liria e të gjithë njerëzve në Kosovë ka qenë edhe ëndrra e vëllait dhe motrës, të cilët siç thotë ajo, i kishin përpirë flakët e luftës dhe atë ditë e sot, ata kanë mbetur të zhdukur pa gjurmë. Ajo, 6 vjetë më parë, si fëmijë 11 vjeçar ishte përballur me tmerret e luftës.
“E kam përjetuar luftën. I kam përjetuar shumë gjëra të vështira për shkak se kemi parë edhe kufoma, të vrarë. Si fëmijë ne nuk dinim, por nëna na thoshte: ata kanë fjetur. Ka qenë situata e vështirë, jo vetëm për mua, por për të gjithë. Dhimbja më e madhe ka qenë për motrën dhe vëllanë, sikur m'u nda zemra përgjysëm”.
Pas luftës Fatmire Feka dhe familja e saj ishin kthyer në fshatin e tyre ku kishin gjetur shtëpitë e djegura dhe sikurse shumë kosovarë të tjerë, ishin strehuar përkohësisht në objektin e një fabrike. Fatmirja tha se nuk e kishte ditur kuptimin e paqes, derisa nuk e kishte takuar drejtorin e projektit për paqe në Kosovë të organizatës “World Vision”, kanadezin Rudi Skalert.
“E shihja që shkonte herë në jug e herë në veri të Mitrovicës dhe një ditë, edhe pse nuk e dija gjuhën angleze, e kishte përkthyesen, e pyeta: Çka po bën, pse po endesh kaq shpejt? Ai më tha: Unë po punoj për paqen...Unë mbeta...Çka është ajo paqe? Nuk e kam ditur”.
Fatmirja e kishte lutur kanadezin Skalert që ta ndihmojë për ta mësuar kuptimin e paqes dhe të punojë për të dhe ashtu, si fëmijë 11 vjeçar, kishte nisur hapin e parë për krijimin e një mjedisi paqësor.
“Ka qenë shumë e vështirë,për mua dhe për prindërit e mi, për shkak se çfarë kemi përjetuar gjatë asaj kohe të luftës, nuk kanë mundur t’i thonë “Po” paqes. Me angazhimin tim, pastaj kam marrë pjesë në disa konferenca dhe mbledhje, të cilat janë organizuar në Kosovë. Të gjitha kanë qenë në lidhje me paqen, por kanë qenë për të rriturit. I vetmi fëmijë kam qenë unë”.
Tërë angazhimin e saj, Fatmirja e kishte mbajtur fshehur nga familja e saj dhe nga rrethi, për shkak të frikës se do t’ia ndërprisnin, siç e quante ajo, punën për paqen. Megjithatë në vitin 2002 projekti i Fatmire Fekës për formimin e klubeve “Fëmijët për paqen” kishte fituar mundësinë e zbatimit dhe në vitin 2003 ishin formuar 8 klube në 5 komuna të Kosovës, ku tashmë janë pjesëmarrës rreth 350 fëmijë me përkatësi të ndryshme etnike. Atëhere Fatmirja kishte vendosur ta shpërfaqë punën e saj.
“Kur kanë dëgjuar kojshitë dhe familja, së pari prind e mi, thoshin: I ke harruar motrën dhe vëllanë dhe tash po do të na i sjellësh serbët prapë në Kosovë. S'po ndien kurrfarë dhimbje, sikur mos të kishte humbur askush”.
I tërë ky ballafaqim me rrethin dhe familjen, Fatmirën e kishte vënë, siç tha ajo, në pozitë të papërshtatshme.
“Më ka ndodhur të qaj, shumë shumë herë. Nëna nuk i kuptonte disa gjëra, kështu që babai më tha: si e ke filluar përfundoje. Ti e di, por unë nuk të mbështes. Edhe pse më kishte thënë: nuk të mbështes, ai përfshihej prap”.
Këto kundërshtime të rrethit nuk ia kishin humbur vullnetin Fatmirës që ta realizonte qëllimin e saj, për të cilin, siç tha ajo, kishte dy arsye:
“Njëra është për motrën dhe vëllanë. Ata kanë pasur ëndërr që të shkollohen, të jetojnë në qetësi, në liri dhe në një vend paqësor. Por për, shkak të luftës dhe zhdukjes së tyre, ëndrra e tyre nuk ka mundur të realizohet, kështu që unë jam ajo që do t’ua vazhdoj ëndrrën e tyre dhe nuk do të ndalem deri në fund. Arsyeja e dytë, ka qenë për të gjithë fëmijët e Kosovës. Mua më pengonte fakti se të rriturit, gjithmonë na thoshin: Ju jini e ardhmja dhe e ardhmja është në duart tua. Une pyesja veten: Ppe po më thonë e ardhmja është në duart e mia, ndërkohë që nuk më lënë të bëjnë asgjë?”
Angazhimit të Fatmirës për paqen tashmë i janë bashkangjitur edhe vëllai dhe motra e saj, ndërkaq që ajo ka krijuar edhe 4 klube të tjera “Të rinjtë për paqen”, të cilat janë të shtrira në 4 komuna të Kosovës. Angazhimi i Fatmirës që të marrë pjesë dhe kontribuojë për krijimin e paqes dhe tolerancës në Kosovë, nuk ka kaluar i pavërejtshëm. Kohë më parë emri i saj ishte në mesin e 1000 emrave të grave, të nominuara për çmimin Nobël.
“Për shkak se një fëmijë me zemër të plasur, po punon në këtë drejtim, domethënë, për paqe, po mundohet që ta ndërtojë një Kosovë paqësore, një Kosovë ku të gjithë fëmijët të jenë të lirë me të gjitha të drejtat e barabarta. Kjo ka qenë esenca”.
Rreth një javë më parë, Fatmirja ka mbetur edhe pa babanë e saj, i cili, siç tha ajo, vdiq nga sulmi në zemër dhe iku me mallin se nuk i gjeti dy fëmijët e zhdukur.
“Pavarësisht se çfarë situate të vështirë kam kaluar kur ai ka qenë gjallë, edhe pse nuk më ka lënë amanet asgjë, unë do ta marrë këtë si amanet të tij, se kurrë nuk do ta ndërpres, për shkak se ai kurrë nuk më ka ndërprerë mua...edhe unë nuk do ta ndërpres”.
Të gjithë ne duhet të bëjmë një Kosovë të lirë dhe me paqe dhe të mos na përsëriten fatet sikur i familjes sime dhe shumë familjeve kosovare, thotë Fatmire Feka duke cituar vargun e këngës “Dikush vështron mbi mua”.
“Someone is watching over me, është një këngëtare e re e Amerikës, Hilary Duff. Kryesisht këngët i ka për jetën, familjen. Ngjarjen e ka kryesisht sikurse me atë që i ka ndodhur familjes sime. Unë ashtu e marr”.

XS
SM
MD
LG