Ndërlidhjet

FATMIR LIMAJ DHE ISAK MUSLIU U KTHYEN SOT NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pafajësinë tonë për të cilën ishin të bindur të gjithë qytetarët e Kosovës, e vërtetoi edhe drejtësia ndërkombëtare, tha sonte në mbrëmje Fatmir Limaj, duke iu drejtuar dhjetëra mijëra qytetarëve, që ishin mbledhur për ta pritur atë te Fakulteti i Filologjisë në qendër të Prishtinës. Fatmir Limaj dhe Isak Musliu, të cilët dje u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Hagës, duke u liruar nga të gjitha akuzat me të cilat i ngarkonte prokuroria, kanë arritur në aeroportin e Sllatinës rreth orës katër, ndërsa më pas u janë drejtuar qytetarëve që prisnin kthimin e tyre që nga orët e mesditës:
"Ne u liruam sepse para së gjithash ju kishit besim në pafajësinë tonë. Siç e dini në kohën e ngritjes së aktakuzës ne shprehëm bindjen tonë për pafajësinë tonë, por më e rëndësishmja për ne ishte dhe ajo që përcaktoi fatin tonë ishte se populli i Kosovës për asnjë çast nuk e humbi besimin në ne dhe na besoi se jemi të pafajshëm dhe më në fund këtë e vërtetoi edhe drejtësia ndërkombëtare", tha zoti Fatmir Limaj, në fjalimin e tij të parë publik, pas gati trevjetësh, pasi qe arrestuar në shkurt të vitit 2003 nën dyshimet për krime lufte, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atëbotë, zoti Limaj që ishte deputet në Kuvendin e Kosovës dhe shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pati thënë se ishte i pafajshëm dhe se besonte në drejtësinë ndërkombëtare. Limaj tha sot se asnjëherë nuk kishte tentuar t’i merrte asgjë Kosovës, por kishte qenë i gatshëm t’i jepte asaj gjithçka, por kjo e drejt i ishte cunguar për gati tre vjet, siç u shpreh ai, për të vërtetuar gatishmërinë për angazhim në ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë dhe duke bërë thirrje për unitet:
"Ftoj çdo familje të Kosovës, çdo prind, burrë, djalë, student, nxënës, mos lejoni të përçaheni në momentet më vendimtare për Kosovën. Asgjë më të rëndësishme nuk ka sesa ndërtimi i realitetit të ri. Ju ftoj që nga tash e deri në ndërtimin e vendit tonë të mendojmë vetëm për Kosovën dhe si shqiptarë të Kosovës ta ndërtojmë shtetin tonë bashkë me të tjerët".
Më pas, qytetarët e shumtë i ka falënderuar për pritjen edhe Isak Musliu, i liruar po dje nga aktakuza:
"Nga ajo që tha zoti Limaj nuk mbeti të thuhet gjë tjetër, veçse t’ju falënderojmë për këtë tubim madhështor".
Limaj dhe Musliu, të shoqëruar nga zyrtarë të lartë të PDK-së dhe të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, që i kanë pritur edhe në aeroport, kanë vizituar edhe familjen Jashari në Prekaz, si dhe familjen e Haradin Balajt, i cili dje është dënuar më 13 vjet burg, por Limaj shfaqi bindjen e tij se mbrojtja e Haradin Balajt, do të paraqesë faktet plotësuese dhe edhe ai shumë shpejt do të jetë i lirë.
Lirimi i Fatmir Limajt është përshëndetur nga krerët e institucioneve dhe të partive politike të Kosovës, të cilët këtë e kanë quajtur fitore të drejtësisë ndërkombëtare.




XS
SM
MD
LG