Ndërlidhjet

NGECJA E DECENTRALIZIMIT, DO TË RRISË PRESIONIN NDËRKOMBËTAR MBI KOSOVËN


MILAZIM KRASNIQI

Qortimet publike që i bëri Soren Jessen Peterseni udhëheqësve të Kosovës qenë më të ftohta se vetë era që frynte të mërkurën në aeroportin e Sllatinës.
Përfaqësuesi special që sapo kthehej nga mbledhja e Grupit të Kontaktit në Paris e di më mirë se çfarë kritikash janë dhënë atje për ngecjen dhe konfuzionin që po shoqëron decentralizimin.
Qëndrimi i tij, që procesi i decentralizimit do të udhëhiqet nga Prishtina, por që duhet të merren parasysh edhe shqetësimet e propozimet Beogradit ka të bëjë me ngecjet evidente që ka shënuar kjo punë muajt e fundit.
Mosmiratimi nga ana e grupit negociator i një takimi të dy ministrave të pushtetit vendor të Kosovës e Serbisë në Vjenë, po ashtu ka ndikuar në ashpërsimin e kritikave të kryeadministratorit Petersen. Edhe Albert Rohan zëvendësi i kryenegociatorit Marti Ahtisari gjatë qëndrimit në Prishtinë kritikoi mjaft ashpër udhëheqësit e institucioneve edhe për çështjen e decentralizimit. Me këtë rast ai bëri të ditur se një takim i ministrave Haziri e Llonçar megjithatë është planifikuar të mbahet në Vjenë gjatë janarit të vitit të ardhshëm. Mungesa e qëndrimeve të qarta dhe e iniciativave më konkrete të ekipit negociator dhe institucioneve të Kosovës lidhur me decentralizimin është mjaft shqetësuese. Kjo çështje është përfshirë fuqimisht në të gjitha dokumentet kryesorë me të cilat është filluar procesi negociator për statusin e ri të Kosovës.
Raporti i Kai Eides dhe 10 parimet e Grupit të Kontaktit i kushtojnë rëndësi të dukshme çështjes së decentralizimit dhe përgjithësisht standardeve për Kosovën. Analistët më herët kanë vlerësuar se përfshirja e decentralizimit në tematikat e negociatave është e favorshme për Kosovën. Sipas këtij interpretimi zgjidhja e kënaqshme e kërkesave të komunitetit serb të Kosovës do të evitonte kërkesa të tjera më maksimaliste siç është ai për krijimin e dy entiteteve apo dhe i ndarjes së Kosovës. Deklarata e presidentit serb Boris Tadiç në takimin tre palësh të para pak ditëve në Ohër se Serbia nuk angazhohet për ndarjen e Kosovës, do të thotë se në mënyrë implicite ai ka hequr dorë nga ideja e krijimit të dy entiteteve. Por kjo do të thotë se në periudhën e ardhshme Beogradi do të koncentrohet në çështjen e decentralizimit. Këtij supozimi i shkon në favor dhe kërkesa e ditëve të fundit e Listës së deputetëve serbë të udhëhequr nga Oliver Ivanoviqi, që të përfshihen në delegacionin qeveritar të Serbisë. Përfaqësuesi i kësaj liste Goran Bogdanoviç, pas takimit me Albert Rohanian, ka deklaruar se përfshirjen e serbëve në grupin punues "mund ta bëjë vetëm ekipi negociator i Beogradit, i cili do krijojë dhe grupin punues për decentralizimin ku do jenë dhe përfaqësuersit e serbëve të Kosovës". Prandaj pozicioni bllokues ndaj decentralizimit do të rrisë presionin ndërkombëtar mbi Kosovën.
Në fakt bllokimi do vlerësohej si mungesë e dëshirës së shumicës shqiptare për sendërtimin e konceptit të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën multietnike. Ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme me asnjë çmim të heq dorë nga ky koncept në të cilin ka angazhuar investimet dhe autoritetin e saj prej disa vitesh.
XS
SM
MD
LG