Ndërlidhjet

BLENDI FEVZIU: SISTEMI GJYQËSOR – NJËRI NGA PROBLEMET MË TË MËDHA NË SHQIPËRI


"Kam përshtypjen që qeveria ka patur vështirësi ose dobësi në zhvillimin apo rritjen ekonomike të vendit, dobësi që kanë ardhur nga kriza energjetike, që nuk arriti ta menaxhonte në kohë ashtu siç duhet. Kështu që kjo është për mua pika e dobët e qeverisjes, ndërsa pika e fortë është lufta kundër korrupsionit dhe shkurtimi i shpenzimeve", thotë, pos tjerash, analisti nga Tirana, Blendi Fevziu duke folur për punën e deritashme të qeverisë së Shipërisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Fevziu, si e komentoni punën e qeverisë në 100 ditët e para të saj? Sa nga premtimet që i ka bërë gjatë fushatës elektorale i ka mbajtur kjo qeveri?

BLENDI FEVZIU
Besoj se që të bësh kontrollin e të gjitha premtimeve që ka bërë qeveria në parlament në datën 9-10 shtator është e vështirë, pasi bëhet fjalë për rreth 70-të e ca premtime, që kryesisht u takojnë iniciativave ligjore dhe rritjes së pagave. Kështu që duhen parë një nga një dhe mendoj se një bilanc i tillë duhet bërë pas Vitit të Ri. Por në linja të përgjithshme aty ku duhet të përqëndrohemi, duhet të themi që puna e qeverisë ka qenë efikase në dy drejtime, që kanë qenë, natyrisht, edhe premtimet bazë. Ai që lidhet kryesisht me luftën kundër korrupsionit dhe e dyta me shkurtimin e shpenzimeve të mëdha qeveritare, kryesisht qeveritare ose shtetërore po i quaj. Në këto dy drejtime unë besoj që qeveria ka qenë absolutisht në nivelin e duhur, domethënë ka patur një sërë nismash dhe ka dukshëm një frenim të korrupsionit, sidomos atij të vogël që vjen nga kontrolli i sigurimit qeverisës, si dhe të shkurtimit të shpenzimeve. Është pak e vështirë të thuash, por kam përshtypjen që qeveria ka patur vështirësi ose dobësi në zhvillimin apo rritjen ekonomike të vendit, dobësi që kanë ardhur nga kriza energjetike, që nuk arriti ta menaxhonte në kohë ashtu siç duhet. Kështu që kjo është për mua pika e dobët e qeverisjes, ndërsa pika e fortë është lufta kundër korrupsionit dhe shkurtimi i shpenzimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Përqëndrohem tek lufta kundër korrupsionit duke patur parasysh dhe disa shifra që ka nxjerrë USAID-i përmes Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, ku sistemin në drejtësi e nxjerr të korruptuar. Ndërkohë ka patur edhe reagime nga ana e pushtetit ekzekutiv dhe nga vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Çfarë duhet të bëhet tani? Çfarë mendoni ju se mund të bëhet me sistemin gjyqësor?

BLENDI FEVZIU
Unë e di që sistemi gjyqësor ka qenë një nga problemet më të mëdha në Shqipëri, për arsye se vetë thelbi i korrupsionit ose pjesa më e madhe e korrupsionit të një lloj niveli, pra e korrupsionit të madh është ai i gjykatave. Në përgjithësi unë nuk jam shumë i informuar për konfliktin e pushtetit gjyqësor me pushtetin parlamentar, sepse ka qenë në terma shumë profesionalë, gjë që një gazetar e ka pak të vështirë që t'i hyjë në brendësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Flitet edhe për çështjen e regjimit të vizave, që disa media e kanë komentuar si korrupsion brenda ambasadave, apo thjesht për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit në Shqipëri, ka një lloj bllokimi të lëvizjes së lirë të qytetarëve. A mendoni ju se bllokimi i lëvizjes së qytetarëve vjen pikërisht nga këto statistika që jepen herë pas here? Apo ka diçka tjetër?

BLENDI FEVZIU
Nuk besoj që vjen nga këto, por natyrisht se mund të ketë korrupsion brenda ambasadave, natyrisht ka dhe korrupsion në Shqipëri, por unë nuk besoj se ky është thelbi. Thelbi qëndron në atë që sa më tepër Evropa e bashkuar zgjerohet dhe sa më tepër vende i asociohen asaj, aq më pak vende mbeten jashtë Evropës, pra aq më pak vende janë të detyruara të kenë regjim vizash dhe aq më i ashpër bëhet regjimi ndaj tyre. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që dhjetë vjet përpara vizat kanë qenë më të lirshme, të paktën nga këndvështrimi im, për arsye se ne ishim së bashku me një komunitet shumë të madh, i cili detyrohej të merrte viza dhe Evropa ishte pak më e lirshme në këtë drejtim. Tani që kanë mbetur vetëm shumë pak vende, kryesisht vendet e Ballkanit që detyrohen të udhëtojnë me viza, regjimi është më i rreptë. Nga ana tjetër, një përgjegjësi absolute mban vetë Shqipëria, e cila sot nuk ka asnjë sistem të regjistrimit të popullsisë, asnjë sistem të kartave të identitetit. Kështu që sot i gjen shqiptarët me katër ose pesë pasaporta me emra të ndryshëm një pjesë të tyre. Unë po i kthehem një batute të famshme të një ambasadori, i cili thoshte që nuk është problem që ne të fusim 3 milionë shqiptarë në Evropë pa vizë, por problemi është që në momentin që ne heqim vizat popullësia e Shqipërisë shkon 60 milion. Pra aludonte që me pasaporta shqiptare mund të pajiseshin edhe nënshtetas të vendeve të tjera, duke mos pasur një sistem shumë të fortë kontrolli. Nga ana tjetër është shumë e padrejtë që ambasadat e huaja i kanë shtrënguar shumë dhe i kanë kthyer formalizmin në një formë absolute të funksionimit të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të na thoni në lidhje me nënshkrimin e Marëveshjes së Stabilizim Asocimit në pranverë? Sa shance do t'u krijojë shqiptarëve nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje apo thjesht mbetet një çështje teknike?

BLENDI FEVZIU
Ka një procedurë. Në momentin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit dhe në momentin kur gjithë Shqipëria firmos marrëveshjen, fillon një procedurë, e cila nuk e di sa mund të zgjatë, por besoj se mund të zgjatë për një vit për heqjen e vizave. Natyrisht Shqipëria duhet të obligohet që të plotësojë disa standarde statistike të nevojshme për vizën.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni shpresë që nën drejtimin e qeverisë Berisha Shqipëria do të arrijë të integrohet në Bashkimin Evropian? Ka gjasë kjo të arrihet brenda këtyre katër vjetëve?

BLENDI FEVZIU
Mund të priten edhe lajme të mira, por që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian nuk bëhet fjalë, sepse është një procedurë shumë më e gjatë, kështu që është shumë e vështirë që të thuhet. Por ka një thënie shumë të bukur e cila thotë që shpresa vdes e fundit në këtë rast.
Intervistoi: Alma Çupi
XS
SM
MD
LG