Ndërlidhjet

"Flaken etiketat e prangosura"


EXPRESS
Flamuri mbi të cilin do të japin betimin deputetë të Kuvendit e oficerë të ushtrisë kosovare ende nuk ka domethënie. Përkundër hartës dhe yjeve, rrëfimi i flamurit të ri duket ashtu siç edhe është: i krijuar nga burokratë, për nevoja zyrtare. Dizajneri në TV shpjegoi që sfondi i kaltër simbolizon aspiratat integruese evropiane. Ngjyra e arit (e reprodukuar në ngjyrë të verdhë) simbolizon pasurinë e Kosovës. Yjet janë elementi më misterioz i interpretimit të flamurit...
Ç'është e vërteta, çfarëdo vija apo ngjra të përmbajë, është një faqe e bardhë. Domethënia do t'i jepet me vitet që shkojnë, me lotët e gëzimit që do të derdhen në të nga sportistët e Kosovës, me djersën që do të derdhet mbi të nga policët e ushtarët, që do ta përfaqësojnë Kosovën në misione paqeruajtëse...

KOHA DITORE
Rusisë i ka dështuar përpjekja që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të anulojë pavarësinë e shpallur të Kosovës, meqë nuk ka arritur të marrë shumicën e anëtareve për të nxjerrë një rezolutë. Blloku perëndimor ndërkaq ka argumentuar se një gjë e tillë nuk është e arsyeshme dhe i ka bërë thirrje Rusisë që të lërë mënjanë përfitimet e mbledhjes së pikëve politike. Ambasadori rus në KS të OKB-së, Vitaly Churkin, ka thënë se "Rusia vazhdon ta njohë Serbinë brenda kufijve të vet ekzistues dhe të njohur ndërkombëtarisht (përfshirë Kosovën)". "Shpallja e pavarësisë së Kosovës është një akt i shkeljes së të drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit e integritetit territorial të Serbisë. Për neve ky akt është ilegal", ka thënë Churkin gjatë debatit në KS të OKB-së...

ZËRI
Mbrëmja e 18 shkurtit, kështu, doli që do t'i përmbajë në vete orët më të rendësishme të historisë së re të Kosovës,.sepse shtetet më të mëdha perëndimore bënë të ditur që e kanë njohur shtetin e Kosovës. Në mesin e tyre, natyrisht, kosovarët nuk.mund të mos e spikasin rolin shumë të veçantë që e ka pasur SHBA-ja", e cila që prej dhjetorit të vitit 1992 e ka pasur Kosovën, në vazhdimësi, preokupim të dorës së parë. Kosova e vogël është shumë e pasur me miqësinë që ka me SHBA-në, me Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe shumë shtete të tjera perëndimore. Po i jetojmë ditët e mëdha të Kosovës. S'do mend...

EPOKA E RE
"Shteti i Kosovës po gëzon dhe po fiton të drejtën e njohjes ndërkombëtare nga qendrat vendimmarrëse botërore", ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se tani ka filluar njohja e fazës kualitative dhe është duke vazhduar procesi i fazes numerike. Ai ka bërë të ditur se ka biseduar me shumicën e kryeministrave të vendeve përreth, me përjashtim të Serbisë, por edhe të vendeve të Evropës Juglindore, në mënyrë që në ditët apo në orët e ardhshme të vazhdojë njohja edhe zyrtare e pavarësisë nga këto vende dhe vënia e marrëdhënieve diplomatike. "Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, sot u njoh dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, nga vendi i demokracisë dhe fuqisë në botë, nga vendi që lidhet me emrin e lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Faleminderit President Bush, faleminderit Qeveri dhe popull amerikan!", është shprehur Thaçi...

INFOPRESS
Letra e Presidentit amerikan George Bush, dërguar Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
I nderuari zoti President,
Në emër të popullit amerikan, unë njoh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ju përgëzoj Ju dhe qytetarët e Kosovës që keni marrë këtë hap të rëndësishëm në zhvillimin tuaj demokratik dhe kombëtar. Në këtë rast historik, unë përkujtoj lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë. Kjo miqësi, e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë. Prej asaj kohe, Kosova ka punuar për ta rindërtuar shoqërinë e shkatërruar nga lufta, për të ngritur institucionet demokratike, për të mbajtur zgjedhje të suksesshme për një qeveri të re dhe për të avancuar prosperitetin. Si shtet i pavaraur, Kosova tash merr përgjegjësi për fatin e vet...

LAJM
Pjesëtarët e TMK-së, krahas atyre të SHPK-së dhe KFOR-it, janë treguar shumë të suksesshëm në mbarëvajtjen e sigurisë në Mitrovicë, gjatë ditëve të Festës së Pavarësisë. Grupe të vogla të pjesëtarëve të TMK-së kanë qëndruar në hyrje të zonës së sigurisë, diku rreth 200 metra larg urës së Ibrit, në jug të qytetit dhe ashtu siç kishin preferuar drejtuesit komunalë dhe ata të strukturave të sigurisë, qytetarët iu kanë shmangur festimit në afërsi të urës. Përveç së dielës, ditës kur u shpall pavarësia, pjesëtarët e TMK-së janë vendosur në pikat e caktuara edhe të hënën, përderisa në pjesën veriore të qytetit, serbët mbanin një protestë, për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës...

NACIONAL
Disa nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës kundërshtuan, të hënën, vendimin për shpalljen e pavarësisë, duke thënë se kjo nuk do të pranohet asnjëherë nga serbët. Ata i kanë dërguar një letër shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker, nga i cili kërkojnë anulimin e vendimit të djeshëm të Kuvendit, me arsyetim se serbëve nuk u është dhënë fjala në Parlamentin e Kosovës. Kryetari i Partisë Demokratike Serbe, Sllavisha Petkoviq, në një konferencë për gazetarë në Çagllavicë, tha se deklarata e djeshme e Parlamentit është e kotë, pasi, sipas tij, Kosova asnjëherë nuk do të jetë shtet...

KOSOVA SOT
Komisioneri per Zgjerim i BE-së, Oli Ren, tha se do të ketë hapa të tjerë në të ardhmen për të realizuar të ardhmen evropiane të Kosovës. Ai paralajmëroi se Komisioni Evropian, së bashku me BE-në, do të mbajnë një konferencë donatorësh, në të cilën do të konfirmohet gatishmëria për ndihmë financiare. Ai tha se mbi një miliard euro do të ndahen për Kosovën për periudhën deri më 2010, qoftë për ndihmë ekonomike apo misionin e saj në Kosovë. "Këshilli ka kërkuar nga Komisioni Evropian që t'i përdorë instrumentet e veta, që të ketë lehtësira për viza dhe tregti. Po ashtu, të propozojë masa
konkrete për zhvillim ekonomik jo vetëm për Kosovën, por edhe në rajon", tha Ren...

BOTA SOT
Pas pesë shekujve e më shumë, shqiptarët u çliruan nga epitetet propagandistike që ua mbathte si "etiketa të prangosura" aleanca sllave... Ditën e Pavarësisë, të përkrahur nga Perëndimi, Evropa e riktheu brenda territorit të vet një vend dhe një popull që i takonte edhe si gjeografi, edhe si kulturë, e riktheu një vend dhe një popull, të cilin padrejtësisht e kishte "harruar" nën trysninë e madhe që kishin bërë vendet sllave mbi diplomacinë e saj, duke e lënë në mëshirën e okupatorëve lindorë. Akti historik i shpalljes së pavarësisë është një deklarim historik i ripërsëritur i gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë përanash kufijve të ndryshëm, është një rideklarim se shqiptarët kanë rezistuar dhe kanë luftuar që të integrohen në gjeografinë e tyre kulturore, të bashkohen me Evropën, së cilës i takojnë...
XS
SM
MD
LG