Ndërlidhjet

UASHINGTONI MIRËPRET LAJMET INKURAJUESE NGA "SHTETET E PAPËRGJEGJSHME"


Jeffrey Donovan, Uashington Brenda vetëm disa javësh, Irani, Libia dhe tash edhe Korea Veriore kanë sinjalizuar, në mënyra të ndryshme, një gatishmëri për të bashkëpunuar në aspektin e zbutjes së shqetësimit ndërkombëtar për programet e dyshuara për prodhimin e armatimit për shkatërrim në masë. Këto risi nga fusha e mos-zgjerimit të armatimit, administrata e presidentit amerikan, George Bush po i mirëpret kujdesshëm, megjithqë vazhdojnë shqetësimet për Pakistanin.

Administrata amerikane duket se po e ndjek me interesim të madh serinë e jashtëzakonshme të kthesave të dukshme nga të ashtuquajturat "shtete të papërgjergjshme" lidhur me programet e tyre të dyshuara për prodhimin e armatimit për shkatërrim në masë. Libia, një kohë të gjatë në listën e Uashingtonit për terrorizëm dhe e përfshirë në bombardimin e aeroplanit amerikan në vitin 1987, ka ofruar çarmatim në shkëmbim për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ekonomike dhe politike me Perëndimin. Irani është pajtuar të bashkëpunoj me Kombet e Bashkuara për programin e tij bërthamor, ndërsa Korea Veriore, ka bërë "koncesione të theksuara" – siç janë shprehur përfaqësues të këtij vendi - duke ofruar suspendimin e programit të saj bërthamor energjetik.

Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, në mënyrë të kujdesshme i mirëpriti prirjet e reja nga Teherani, Tripoli dhe nga Pheniani:

- Ne tash kemi pasur një kthesë me Libinë. Presioni i madh që i është bërë Iranit ka ndikuar që Irani tash e ka nënshkruar Protokolin shtesë të marrëveshjes për mos-zgjerim dhe Bashkësisë ndërkombëtare i ka bërë disa premtime të tjera. Iraku tashmë nuk do të jetë burim i armatimit për shkatërrim në masë. Shpresoj se kolegët tanë në Phenian po i ndjekin të gjitha këto zhvillime.

Për disa, ndryshimi i qasjes së këtyre tri vendeve do të duhej të shihej si fitore e administratës së presidentit George Bush. Analisti Kenneth Allard, ish kolonel i armatës amerikane dhe oficer i zbulimit, i tha radios Evropa e Lirë se, megjithqë çmimi në jetë njerëzish dhe vuajtjet kanë qenë të mëdha për luftën në Irak, në anën tjetër tash janë eliminuar dy nga burimet më brengosëse të mos-zgjerimit.

Në këtë aspekt, Kenneth Allard thotë:

- Janë mënjanuar dy nga zgjeruesit më të mëdhenjë të armatimit, Iraku dhe qartasi Libia.

Analisti Ted Galen Carpenter nga instituti Kato, me seli në Uashington, beson se veprimet nga Pheniani dhe Teherani duhet të shihen me një skepticizëm të thellë:

- Ekziston një dyshim i fuqishëm se iranianët thjeshtë po i zvarrisin gjërat, se ata po angazhohen në të njejtën mënyrë të bashkëpunimit jo të sinqertë me evropianët dhe me Agjencinë ndërkombëtare për energjinë atomike, siç bënte Korea Veriore në vitet e 90-ta.

Ky analist mëtutje thotë se oferta e fundit e Koresë Veriore mund të jetë vetëm propozim për kthim në parametrat e marrëveshjes së vitit 1994 me Shtetet e Bashkuara, për ngrirjen e programit bërthamor të Phenianit.

Sa i përketë Pakistanit, njëri nga aleatët kryesor të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit, administrata e presidentit Bush, ka bërë të ditur se Libia ishte furnizuar me teknologji të armatimit bërthamor nga ana e Pakistanit. Por administrata amerikane ka këmbëngulë se nuk ka shenja të përfshirjes së presidentit Pervez Musharraf. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan ka thënë se ekziston mundësia që ishte vështirë të kontrolloheshin "individë të papërgjegjshëm" në Pakistan.
XS
SM
MD
LG