Ndërlidhjet

CARPENTER: SHBA DHE BE E KONSIDEROJNË BALLKANIN ÇËSHTJE DYTËSORE


Ted Carpenter, analist i Institutit CATO me seli në Uashington

RADIO EVROPA E LIRË
Ky vit, nga analistët shihet si viti i një rëndësie të veçantë për procesin politik në Kosovë, në aspektin e përmbushjes së standardeve, të përcaktuara nga UNMIK-u. Çka mendoni a do ta shohim arritjen e tyre gjatë këtij viti?

TED CARPENTER
Unë jam një pesimist i moderuar. Mendoj se mund të ketë një farë progresi drejt realizimit të standardeve, por ai, me gjasë, do të mbetet i ngadalshëm. Tensionet mes shqiptarëve dhe komunitetit serb vazhdojnë të jenë të mprehta dhe do jetë shumë e vështirë të bëhet një përparim domethënës drejt afrimit të diferencave mes këtyre dy komuniteteve brenda një periudhe kaq të shkurtër.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke ju pyetur për këtë çështje kam parasysh se këtë vit në Kosovë mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Sipas jush, në këto rrethana a mund të ndodhë që fushata zgjedhore e partive politike do ti mbizotëroj përpjekjet për arritjen e standardeve?

TED CARPENTER
Mendoj se ka gjithmonë një mundësi për këtë gjë, por duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një proces që do të jetë shumëvjeçar. Statusi i Kosovës thjesht nuk do të zgjidhet brenda një periudhe të shkurtër. Dhe për të qenë të sinqertë, kjo çështje nuk ka vend kryesor në agjendën e Shteteve të Bashkuara për momentin, gjithashtu nuk është në vendet e para të agjendës së Bashkimit Evropian. Si Shtetet e Bashkuara ashtu dhe Bashkimi Evropian kanë çështje të tjera që duan zgjidhje të menjëhershme në këto momente të cilave po u kushtojnë shumë më tepër vëmendje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë "një proces shumëvjeçar"…por gjatë vitit të kaluar, zyrtari i lartë amerikan, zoti Grosman tha se nga mesi i vitit të ardhshëm do të hapet procesi për statusin final të Kosovës, natyrisht pasi të bëhet vlerësimi i arritjeve të standardeve. Çka mendoni ju për këtë çështje?

TED CARPENTER
Mendoj se, para se gjithash, zoti Grossman ka qenë më shumë optimist se ç'duhet. Do të isha vërtet shumë i befasuar nëse ne do arrijmë në këtë pikë kurdoqoftë gjatë vitit që vjen. Shtetet e Bashkuara aktualisht duan që kjo çështje të mbetet ende në heshtje, sepse ndiejmë që çdo vendim përfundimtar, me gjasë, do të rriste tensionet në vend që t'i ulte. Me siguri vendimi për t'i dhënë Kosovës pavarësinë do të krijojë krizë të madhe me Beogradin dhe duke marrë parasysh zhvillimet në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, çdo gjë që do të minonte forcat reformiste pro-perëndimore atje konsiderohet si tepër e padëshirueshme nga Uashingtoni. Ofrimi i pavarësisë, mendoj se do të ishte diçka që në masë të madhe do të minonte ato që kanë mbetur nga forcat pro-perëndimore në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
I përmendet zgjedhjet në Serbi…Një tjetër standard që duhet të arrihet është ai i dialogut teknik me Beogradin. Duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Serbi a ka ndonjë mundësi për vazhdim e dialogut?

TED CARPENTER
Ndoshta ka shumë pak hapësirë, por jo më tepër. Në rastin më të mirë do kemi një qeveri të partive demokratike që nuk do jetë shumë e fortë, por më tepër një koalicion i atyre që kanë mospajtime dhe që do jetë i frikësuar të angazhohet në çfarëdo negociata serioze lidhur me këtë çështje, sepse nëse bisedimet nuk do rezultojnë në favor të interesave të Serbisë, gjë që duket se nuk do ndodhë, ajo do të minonte më tepër pozicionin e tyre dhe fuqia e partisë Radikale në zgjedhjet e fundit është një shkak për t'u alarmuar shumë. Kjo paralajmëron se forcat ultranacionaliste në Serbi janë në mënyrë të habitshme mjaft të forta dhe në rast se do krijoheshin kushtet, ato do të mund të riktheheshin.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë kosovarë thonë se ndër standardet kryesore është kthimi i serbëve dhe aspekte të tjera të ndërlidhura me kthimin. Liderët shqiptarë të kosovës ishin unik duke i ftuar serbët që të kthehen në Kosovë dhe, siç thane ata, të bëhen pjesë e procesit politik atje. Si i parashihni zhvillimet në këtë çështje?

TED CARPENTER
Në rastin më të mirë do ketë një kthim të vogël të serbëve. Ata nuk ndihen të sigurt, gjë që e kanë shprehur në shumë raste. Dhe deri sa kushtet të jenë të tilla që serbët të ndihen të sigurt nuk mund të imagjinoj një numër të rëndësishëm të të kthyerve.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshiroj të kthehem te fjalët "proces shumëvjeçar". Çka mendoni sa do të zgjasë kjo?

TED CARPENTER
Mendoj se flasim për një periudhë 2-4 vjet dhe ndoshta më afër periudhës më të gjatë sesa asaj më të shkurtër. Në një moment këto çështje do të duhet të shqyrtohen në mënyrë gjithpërfshirëse. Por me Shtetet e Bashkuara të lidhura në Irak apo të angazhuara në një krizë gjithnjë në rritje të Koresë Veriore, me Bashkimin Evropian të angazhuar në përpjekjet për arritjen e një uniteti dhe kohezioni më të madh dhe të fokusuar në çështjet e zgjerimit të BE-së, çështjet e Ballkanit në përgjithësi janë çështje sekondare si për Shtetet e Bashkuara ashtu dhe për Bashkimin Evropian, pra nuk mendoj se do ketë ndonjë urgjencë për t'i zgjidhur këto çështje.

Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG