Ndërlidhjet

BERISHA: NANO KA POSHTËRUAR SHQIPTARËT


Alma Çupi, Tiranë

Kryeministri Fatos Nano nuk ka shpresë më për të qëndruar në pushtet. Kjo ka qenë përgjigja e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhënë pyetjes së bërë nga Evropa e Lirë se sa janë shanset e opozitës
këtë radhë që të detyrojnë Fatos Nanon që të japë dorëheqjen apo ta rrëzojë me vota në kuvend.
"Është i pashpresë, do përdorin çdo mjet për ta shpëtuar, por sërisht është i pashpresë. I ka poshtëruar shqiptarët, ka poshtëruar qytetërimin perëndimor. E deklaroj këtu se kjo që ka bërë ai është një poshtërim për qytetërimin. Nuk ka vend perëndimor, nuk ka popull perëndimor, nuk ka komb perëndimor, që mund të pranojë një qëndrim të tillë poshtërues nga kryeministri i tyre".
Nesër mbasdite kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme lidhur me tragjedinë e datës 9 janar të ndodhur në detin Jon. Byroja parlamentare vendosi të pranojë kërkesën e 29
deputetëve të opozitës për një debat mbi tragjedinë dhe për mocionin e mosbesimi ndaj kryeministrit Fatos Nano.
Kryetari i Partisë Socialiste për degën e Tiranës, Musa Ulqini, nuk pranon të bëjë komente për ngjarjen e ndodhur në detin Jon, por thotë se me këtë ngjarje nuk duhet të abuzojë politika:
"Bëj thirrje publike që askush mos abuzojë me këtë tragjedi, por të gjithë të kontribuojnë sipas mundësive, ashtu siç kanë bërë dhe mediat."
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bën përgjegjës për tragjedinë e Jonit, direkt kryeministrin Nano, i cili sipas tij e ka zhytur Shqipërinë në një varfëri të madhe.
" Ai është autor kryesor i kësaj tragjedie, sepse me vjedhjen, babëzinë, shpërdorimin dhe abuzimet, ka zhytur shqiptarët në varfërinë dhe mjerimin më të thellë. Fatos Nano, viktimat e Jonit nga pushimet e Sinait apo Sheim El Sheikut, me një urrejtje të papërmbajtur, i etiketoi drogaxhinj, dhe bllokoi operacionin e kërkimit dhe shpëtimit të tyre."
Ndërsa kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ka kërkuar që familjarët e viktimave të jenë në sallën e kuvendit. Kreu i republikanëve deklaron për Evropën e Lirë se opozita këtë radhë do të bashkojë votat kundër kryeministrit Nano.
" Në qoftë se opozita del kundër qytetarëve ajo nuk është opozitë dhe nuk është vetëm opozita, por janë gjithë qytetarët që kërkojnë largimin e kryeministrit Nano."
Opozita do të kërkojë edhe ngritjen e një komisioni hetimor për trafikun e paligjshëm. Në mbasditen e nesërme në kuvend deputetët do të kenë vetëm 10 minuta në dispozicion për të diskutuar mbi tragjedinë ku humbën jetën 21 persona dhe shtatë konsiderohen të
humbur. Ndërkohë deri më tani janë përshjashtuar nga puna dhe janë në hetim 30 persona nga radhët e policisë, të cilët akuzohen për implikim në trafikun e klandestinëve.
Kërkimi për trupat e humbur nuk rezultoi i suksesshëm dje. Zona e kërkimit është shtrirë edhe përreth bregdetit grek, por ende nuk ka konfirmime për gjetjen e trupave të tjerë që konsiderohen të humbur nga familjarët. Sot sërisht në orët e para të mëngjesit dy anije të flotës detare shqiptare janë vënë në kërkim të trupave që mund të kenë gjetur vdekjen në datën e 9 janarit.
Kryeqytetasit edhe sot vazhduan protestat, duke shkruar parrulla kundër kryeministrit dhe ngushëllime për viktimat, mbi fletët e bardha të vendosura mbi shiritin e zi përpara kryeministrisë. Lëvizja e të rinjve “Mjaft” ka kërkuar që kryeministri Nano të kërkojë ndjesë publike për faktin se kur ndodhi tragjedia, ai nuk ndodhej në Shqipëri.



XS
SM
MD
LG