Sipas ligjit federal, identifikimi i agjentëve të zbulimit është krim, ngase konsiderohet se diç e tillë jo vetëm që i kufizon përpjekjet për mbledhjen e informacioneve të zbulimit por edhe për arsye se veprimet e tilla rrezikojnë jetën e agjentit. Në këtë aspekt, Departamenti i drejtësisë ka premtuar hetime.
Tash së fundit, dhjetë ish oficerë të CIA-së u kanë shkruar disa anëtarëve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara duke kërkuar nga ata që të zhvillojnë hetime të ndara. Në letër ata kanë shkruar se zbulimi i identitetit të agjentes Plame është "i turpshëm".
Por legjislacioni lidhur me këtë çështje është i diskutueshëm, thotë Todd Gaziano, drejtor i qendrës për studime juridike në fondacionin Heritage, me seli në Uashington.
- Sikur që secili në Kongres duhet ta dijë, hetimet e këtilla, ku përfshihet siguria kombëtare, do të duhej të bëheshin me kujdes, thotë Gaziano.
Gjenerali i pensionuar, Edward Atkeson, ish oficer ushtarak i zbulimit, që ka shërbyer në Evropë gjatë Luftës së Ftohtë, thotë se ai personalisht mendon se hetimi i Kongresit nuk është i domosdoshëm. Por, ai poashtu i tha Radios Evropa e Lirë se ai ka një ndjenjë për motive edhe më të mëdha politike në vendimin e Shtëpisë së Bardhë për ta zbuluar identitetitn e zonjës Plame, pasi, sipas fjalëve të tij, personi që e ka dhënë intervistën, me ç'rast është zbuluar identiteti i agjentes, ka vepruar sipas ndonjë urdhëri nga autoritetet e larta në administratën e Bushit për ta goditur kundërshtarin politik.
Edward Atkeson mëtutje thotë:
- Shtëpia e Bardhë nuk është një ekip ku ju keni shumë operues të pavarur. Është një organizatë e drejtuar dhe e integruar mirë. Unë nuk mendoj se ishte ndonjë person i pavarur…mendoj se kjo ka shumë pak gjasë. Ata ndodshta më vonë kanë ndërmarrë masa ndaj dikujt por nuk mendoj se ky është i tërë tregimi.
Ai mëtutje thekson se zbulimi i tillë mund të jetë i rrezikshëm për zonjën Plame dhe për kontaktet e saj.
- Identifikimi i saj si agjente e CIA-së menjëherë rrezikon të gjithë ata me të cilët ajo ka biseduar dhe kjo gjë është shumë e rrezikshme.