Ndërlidhjet

ÇFARË SIGURIE KANË GAZETARËT NË IRAK?


Charles Recknagel

Vrasja e dy të punësuarve në rrjetin televiziv amerikan CNN, e ka ri-aktualizuar çështjen nëse gazetarët dhe të punësuarit në organizatat joqeveritare në Irak, duhet të shoqërohen nga truproje të armatosur.
Sulmi në autokolonën ku gjendej automjeti me ekipin e rrjetit televiziv amerikan CNN tregon se të huajt e kanë shumë vështirë të udhëtojnë nëpër autostradat e Irakut.
Derisa automjeti i afrohej Bagdadit pas një xhirimi në jug të Irakut, papritur iu afrua një automobil, prej ku një i armatosur hapi zjarr pa kurrfarë paralajmërimi. Dy persona, përkthyesi dhe producenti irakien Duraid Isa Mohammed dhe vozitësi Yasser Khatab u vranë në vend nga breshëria e plumbave.
Korrespodenti i CNN-it Michel Holmes, i cili gjendej në automobilin tjetër, tha se sulmi ishte vrasje e paramenduar, kurse një zyrtar i rrjetit në Londër e quajti pritën "sulm të paramenduar terrorist".
Severine Cazen nga organizata 'Reporterët pa Kufij', me seli në Paris, thotë se një kohë të gjatë, që nga fillimi i luftës në Irak, gazetarët e huaj përpiqen të sigurohen sa më mirë që munden. Ajo thotë se nga mesi i Prillit, forcat irakiene e sulmuan ekipin e CNN-it afër një postblloku në qytetin Tikrit, por shoqëruesit e gazetarëve u kundërpërgjigjën dhe ekipi nuk pësoi gjë. Asokohe, CNN-i u kritikua ashpër nga organizatat e tjera mediatike se e ka rrezikuar imazhin publik të gazetarëve si vëzhgues të pa-armatosur.
"Në atë kohë, organizata Reporterët pa Kufij tha se kjo e rrezikon tërë profesionin, sepse fakti që gazetarët kishin truproje të armatosur, i vinte në rrezik të gjithë gazetarët e tjerë, për të cilët njerëzit do të mendonin se gjithashtu shoqërohen nga njerëz të armatosur", thotë Cazen.
Por ajo shton se kjo edhe nuk mund të gjykohet aq lehtë, sepse gazetarët janë të detyruar të eksperimentojnë me sigurinë e tyre.
"Ajo që ndodhi dje, është tjetër sepse automjeti nuk dallohej se në të udhëtojnë gazetarë. I inkurajojmë mediat të punojnë për sigurinë e personelit të tyre", thotë Cazen.
Hiwa Osman nga Instituti për Paqe dhe Luftë me seli në Londër, thotë se gazetarët e tyre në Bagdad nuk qarkullojnë me truproje dhe shfrytëzojnë makina të vjetra për të mos tërhequr vëmendjen.
Për dallim prej tyre, gazetarët e mediave të mëdha i parapëlqejnë modelet më të reja, thotë ai.
"Ata udhëtojnë me makina luksoze, të bukura dhe të shtrenjta. Shumica e sulmeve bëhen për plaçkitje dhe nuk janë politikisht të motivuara. Por disa edhe mund të jenë të tilla dhe kryen nga militantët islamikë, të cilët thonë se të huajt e ndotin tokën e pastërt të Irakut", thotë Osman, duke shtuar se përkundër sulmeve, siguria në Bagdad është përmirësuar.
Por ai thotë se loajalistët e Saddamit dhe grupet e huaja militante, ende mund të rekrutohen lehtë për t'i sulmuar forcat amerikane dhe të koalicionit.
"Sulmet kriminale, si plaçkitjet apo rrëmbimet, kanë shënuar rënie drastike, sepse tashmë veprojnë forcat policore të Irakut, të cilat po bëjnë një punë mjaft të mirë", thotë Osman.
XS
SM
MD
LG