Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS RIPOHOJNË MOSPJESËMARRJEN NË GRUPET PUNUESE PËR STANDARDET


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pavarësisht nga takimet e shumta me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe nga ftesat që u janë bërë nga kryeadministratori Holkeri dhe kryeministri Rexhepi, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për mospjesëmarrje në grupet punuese për implementimin e standardeve. Dragisha Kërstoviç, shef i grupit parlamentar Kthimi, ka thënë se nuk do të ketë pjesëmarrje pa plotësimin e disa parakushteve:
"Kurrfarë ndryshimi nuk ka ndodhur në dokumentin e quajtur standardet, prandaj edhe qëndrimi ynë ka mbetur i pandryshuar, pasi kemi thënë se nën këto kushte ne nuk do të marrim pjesë në grupet punuese, tha Dragisha Kërstoviç. Ai tha se ditët e fundit kanë pasur takime të shumta, me koordinatorin e Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, me koordinatorin e UNMIK-ut për standardet, Carne Ross, me shefat e Quintit në Prishtinë, me ambasadorin britanik në Beograd dhe me 30 ambasadorë të tjerë të akredituar në Beograd, ku përfaqësuesit e koalicionit Kthimi kanë mbetur në qëndrimet e tyre të mëparshme.
Ne mendojmë se standardet nuk janë bërë mirë, nuk janë siguruar garancione dhe definime të tjera që do të përcaktonin afatet, subjektet që punojnë për standardet, ato që vlerësojnë përmbushjen e standardeve e të tjera, tha Kërstoviç:
"Kjo do të thotë se ende nuk është dëshmuar vullneti që këto kërkesa të merren parasysh, edhe pse ka disa paralajmërime se po punohet në drejtim të definimit më të mirë të këtyre gjërave," tha Kërstoviç duke mbetur këmbëngulës se serbët nuk do të marrin pjesë në grupet punuese pa plotësimin e këtyre kushteve.
Mirëpo, zëdhënësja e UNMIK-ut, Izabela Karlovicz tha se kërkesat e serbëve nuk mund të përmbushen, nëse ata vazhdojnë të bojkotojnë punën e grupeve punuese dhe u ka sugjeruar përfaqësuesve të koalicionit Kthimit që të marrin pjesë në grupet punuese, pasi përmbushja është një proces demokratik dhe demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen:
"Nuk ka asnjë pengesë për serbët që t’i adresojnë çështjet që duan në forumin e duhur dhe forumi i duhur janë forumet institucionale që janë krijuar pikërisht për atë qëllim e këto janë grupet punuese," tha zëdhënësja e UNMIK-ut, Izabela Karlovicz, sipas të cilës secili mund t’i paraqesë pikëpamjet e veta në forumet e formuara për këtë qëllim dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes pjesëmarrjes.
Sidoqoftë, serbët e Kosovës kërkojnë nga zyrtarët e UNMIK-ut që t’i shqyrtojnë më me kujdes kërkesat e serbëve:
"Mendoj se ata që punojnë lidhur me standardet do të duhej të kishin më shumë ndjesi për kërkesat e serbëve, pasi standardet do të duhej të përmirësonin para së gjithash jetën e komunitetit serb," tha Kërstoviç.
Mirëpo, zëdhënësja Karlovicz ka thënë se shpreson që serbët ta kuptojnë se pjesëmarrja është mënyra më e mirë. Standardet janë përcaktuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe janë miratuar nga Këshilli i Sigurimit dhe nga Grupi i Kontaktit, tha zëdhënësja Karlovicz, duke përkujtuar se me këtë është menduar edhe për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, prandaj edhe zoti Holkeri disa herë ka përsëritur se dyert në grupet punuese janë të hapura për serbët, ndërsa kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, disa herë i ka ftuar ata t’u bashkangjiten inetitucioneve në punë të përmbushjes së standardeve.

XS
SM
MD
LG