Ndërlidhjet

MARRËVESHJA E DAYTONIT, SHPËRBLIM PËR BARBARIZMIN


International Herald Tribune

Edhe tetë vjetë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Daytonit për Bosnjë e Hercegovinën, zbatimi i saj vazhdon të përballet me probleme, për faktin se me të është bërë përpjekje që të barazohen dy gjëra të pabarazueshme: qytetërimi dhe barbarizmi. Serbët e Bosnjës, pas luftës së pamëshirshme që zhvilluan kundër fqinjëve të tyre, u shpërblyen me krijimin e shtetit të tyre, Republikën Serbe, edhe pse në marrëveshje ky territor quhet entitet. Politika e përndjekjes së mijëra qytetarëve të pafajshëm nëpër kampet e përqëndrimit fitoi njohje dhe pranim ndërkombëtar. Pavarësisht nga përpjekjet e politikanëve në Republikën Serbe për të luajtur rolin e tyre ashtu siç duhet gjatë vizitave të delegacioneve të huaja, historia e këtij shteti – entitet nuk duhet dhe nuk guxon të injorohet. Ky entitet ka dështuar në të ashtuquajturin testin gjerman. Asnjë program i ngjashëm me programet e denazifikimit të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore nuk është prezantuar në Republikën Serbe. Pikëpamjet raciste në vijë me ato që kishte ish presidentja e kësaj Republike, Biljana Plavshiç, vazhdojnë të gëzojnë respekt, edhe pse ato nuk promovohen në mënyrë shumë të hapur. Dhe mbi të gjitha, nëse Partia Radikale në Serbi vazhdon të jetë e suksesshme ashtu siç ka qenë në zgjedhjet paralamentare të dhjetorit, bashkëmenduesit e tyre në Republikën Serbe të Bosnjës do të mund të trimëroheshin. Nën këto rrethana, megjithë përparimet e arritura në Bosnjë, duket se ka ardhur koha për ta rishqyrtuar Marrëveshjen e Daytonit, tre nënshkruesit e së cilës janë ose të vdekur ose në burg. Një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, Iniciativa për Stabilitet në Evropë, ka propozuar shkrirjen e dy entiteve të Bosnjës në një shtet federal, duke shfrytëzuar modelin e Zvicrës. Përderisa entiteti boshnjako-kroat ishte i hapur për ndryshime kushtetuese, Republika Serbe nuk dëshiron ta ndryshojë marrëveshjen e Daytonit, e cila shpërbleu barbarizimin e autoriteteve të kësaj Republike. Kjo iniciativë mund të jetë model i mirë për fillim, por vetëm nëse entiteti i Republikës Serbe zhbëhet. Entitetet në Bosnjë do të duhej të ndaheshin në disa pjesë, autoritetet e të cilave do të duhej t’i përgjigjeshin strukturave shtetërore. Të akuzuarit për krime lufte Ratko Mladiç dhe Radovan Karaxhiç duhet t’i dorëzohen Tribunalit të Hagës dhe arsyetimet në stilin nuk e dimë se ku gjenden nuk duhet të tolerohen. Por, para së gjithash, Republika Serbe duhet të institucionalizojë një program të denazifikimit, nëpërmjet të të cilit popullata do të shkarkohej nga demonët e urrejtjes që vazhdojnë të jenë të pranishëm në kokat e shumë njerëzve.





XS
SM
MD
LG