Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KFOR: DEKLARATA E STOJANOVIÇ ËSHTË PROPAGANDË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare dhe zyrtarë të forcës paqëruajtëse në Kosovës, mendojnë se deklaratat e kreut të shërbimit të kundërzbulimit të Ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi, kolonelit Stojanoviç, nuk janë shkelje e marrëveshjes tekniko-ushtarake, e cila ua ndalon praninë në Kosovë të gjitha forcave ushtarake e policore si dhe shërbimeve të zbulimit të Serbisë dhe të RFJ-së, siç thuhet në marrëveshje. Zëdhënësi i KFOR-it, Chris Thomson tha se vërtetimi i pranisë së tyre do të ishte shkelje e marrëveshjes:
"Do të ishte shkelje e marrëveshjes tekniko-ushtarake vetëm nëse forca të tilla ekzistojnë në Kosovë, mirëpo në KFOR mbrojmë qëndrimin se forca e vetme legale ushtarake në Kosovë është KFOR-i," tha zëdhënësi Chris Thomson, duke i quajtur thjesht një propagandë deklaratat e fundit të përsëritura të kolonelit Stojanoviç. Ndërkohë, komandanti Thomson tha se është e ngatërruar çështja nëse deklaratat e tilla të zyrtarëve të lartë ushtarakë të Serbisë mund të konsiderohen si shkelje e marrëveshjes tekniko-ushtarake:
"Varet se si shikohet kjo çështje dhe për këtë do konsultuar eksperti ushtarak, mirëpo sa na përket neve, nuk i konsiderojmë të besueshme deklatatat e bëra, pasi janë thjeshtë një propagandë," tha komandanti Thomson.
Sidoqoftë, në nenin 1 të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake thuhet se Forcat e RFJ-së pajtohen për një tërheqje në faza të të gjitha forcave të RFJ-së nga Kosova në lokacione në Serbi, jashtë Kosovës. Ndërkaq, neni i parë i marrëveshjes shpjegon se me termin Forcat e RFJ-së përfshihen personeli dhe të gjitha organizatat e RFJ-së dhe të Serbisë me aftësi ushtarake. Këtu përfshihen ushtria e rregullt dhe marina, grupet e armatosura civile, grupet e bashkuara paramilitare, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët ushtarakë, policia ushtarake, shërbimet e zbulimit, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe ajo federale, policia speciale, antiterroriste dhe antiprotestuese dhe çfarëdo grupesh apo individësh të përshkruar si të tillë nga komandanti i forcës ndërkombëtare të sigurisë. Mirëpo, KFOR-i nuk dëshiron të besojë se forcat e tilla ekzistojnë në Kosovë.
Eksperti i të drejtës ndërkombëtare Enver Hasani thotë se vetëm deklarata si e tillë nuk mund të jetë shkelje e marrëveshjes:
"Mendoj se teknikisht, shikuar nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare nuk është shkelje e marrëveshjes, pasi është mendim i lirë, por ajo ishte e tillë sikur të pasohej nga një veprim teknik që do të ishte dëshmuar", tha zoti Hasani, ndërkohë që sipas komandantit Thomson po të kishte vërtet agjentë të Serbisë në Kosovë, atëherë ata nuk do ta bënin publike këtë gjë, por përkundrazi. Në anglisht thuhet se teneqet e zbrazëta bëjnë më shumë zhurmë, dhe këto deklarata nuk janë tjetër, pos teneqe të zbrazëta, tha Thomson.
Zoti Hasani, ndërkaq duke shpjeguar arsyet për një deklaratë të tillë nga kreu i shërbimit të kundërzbulimit thotë:
"Bëhen për qëllime personale dhe të konjukturave të brendshme në Serbi dhe që lidhen me involvimin e Stojanoviçit me ngjarjet në Kosovë. Tjetra që është mesazhi që ata duan ta përçojnë është ajo që është bërë edhe në kohën e Milosheviçit, domethënë të tregojnë se shqiptarët janë element permanent destabilizues për shkak të stofit të tyre kulturor dhe fetar," tha zoti Hasani. Ai mendon se e drejta ndërkombëtare nuk e kategorizon këtë deklaratë si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës:
"Sikur Kosova të kishte qenë shtet sovran reagimi i strukturave politike apo Ministrisë së Jashtme, do ta kishte cilësuar këtë si ndërhyrje politikisht, por jo se e drejta ndërkombëtare e kualifikon si të tillë."
KFOR-i ndërkohë e ka quajtur këtë një çështje të vdekur dhe nuk do ta shqyrtojë në grupet e përbashkëta implementuese me autoritetet ushtarake të Serbisë e Malit të Zi. Përndryshe, tha Thomson organizata e vetme ushtarake është KFOR-i, ndërsa çdo prani tjetër është ilegale.




XS
SM
MD
LG