Ndërlidhjet

EMA ADVIN: NUK PRANOJMË KRAHASIMET ME GJEORGJINË


Augustin Palokaj, Bruksel

Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë sot krahasimin e situatës së momentit në Republikën e Shqipërisë me situatën e mëhershme në Gjerogji, kur atje u rrëzua nga pushteti ish presidenti Eduard Shevarnaxe, krahasime këto që po bëhen në Shqipëri. Këtë e tha sot në Bruksel zëdhënësja e Komisionit Evropian, e drejtorisë për politikë të jashtme Ema Advin.
"Ne nuk pranojmë krahasimin e situatës në Shqipëri me atë në Gjeorgji. Ne mendojmë se shqiptarët, të cilët dëshirojnë të kritikojnë dhe kundërshtojnë qeverinë, duhet ta bëjnë këtë duke shfrytëzuar metoda demokratike", tha Ema Advin.
Kjo zëdhënëse e Komisionit Evropian po ashtu shtoi se ndonëse në demokraci njerëzit kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, është e padëshirueshme që këto protesta të përzihen me dhunë, prandaj shtoi ajo, është e natyrshme që policia, e cila përballet me sulme të tilla, duhet të mbrojë institucionet legale. Zyrtarët në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel shpresojnë se situata momentale në Shqipëri dhe protestat e fundit atje, nuk do të lëkundin këtë shtet në plotësimin e obligimeve ndaj BE-së në negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Zyrtarët në Bruksel pohojnë se qeveria duhet të vazhdojë të jetë e fokusuar në reforma dhe në forcimin e institucioneve shtetërore, që mund të implementojnë ato reforma, që vijnë si obligim i Shqipërisë në rrugën drejt integrimeve evropiane. Moszhvillimi i duhur i institucioneve të tilla në Shqipëri edhe ka bërë që të ngecë negociata me BE-në në të cilat Shqipëria ka filluar të angazhohet që nga viti i kaluar, por ato po shkojnë për Brukselin tepër ngadalë.



XS
SM
MD
LG