Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

FËMIJËVE U MUNGOJNË VETËM KONTAKTET ME FAMILJARËT E TYRE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Ndarja e 18 fëmijëve me retardime mentale dhe fizike nga klientët e moshës madhore, të cilët janë të akomoduar në Entin Special në Shtime, si dhe vendosja e tyre në të ashtuquajturat Shtëpitë për Fëmijë brenda komuniteteve, ka rezultuar pozitivisht dhe ka ndikuar në përparimin e dukshëm të këtyre fëmijëve, thotë drejtori i Entit Special të Shtimes, Kujtim Xhelili. Dy vjet më parë, si rezultat i planit strategjik zhvillimor të këtij enti, këta fëmijë me përkatësi etnike të ndryshme, janë vendosur në dy shtëpi brenda komuniteteve, një në Graçanicë dhe një në periferi të Shtimes, të cilat janë nën përkujdesjen institucionale të Entit, si dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Zoti Xhelili thotë se këta fëmijë tani gëzojnë trajtimin e duhur.
“Kemi konsideruar se nuk është e drejtë që të bashkëjetojnë në një institucion me një numër kaq të madh të klientëve edhe fëmijët e moshës nën 18 vjeç. Vlerësojmë se është një gjendje shumë më e mirë e tyre edhe në aspektin shpirtëror, por kanë mundësi komunikimi edhe me bashkëmoshatarët e tyre dhe me siguri do t’i marrin edhe sjelljet e fëmijëve të komunitetit. Kurse, qëndrimi i tyre në institucion të tillë me klientë të moshave të ndryshme, me siguri do të kishte pasur atë anën negative të zhvillimit të tyre si fëmijë”.
Në shtëpinë për fëmijë brenda komunitetit në Graçanicë janë akomoduar 8 fëmijë, 6 me përkatësi etnike serbe, 1 shqiptare dhe 1 rome, ndërkohë që numri i personelit për përkujdesjen e tyre është 11. Ivana Gjokiç, 12 vjeçe, thotë se deri para 2 vitesh kishte qëndruar në Entin Special në Shtime, ndërkaq që jeta në shtëpinë në Graçanicë ishte shumë më e mirë se më parë.
“Jetoj mrekullueshëm, si princeshë. Çdo gjë ma përgatisin bukur, shkoj në shkollë, mësoj dhe kam mjaft për të ngrënë dhe për të pirë. Asnjëherë nuk jam e etur dhe e uritur”, thotë Ivana duke shtuar se personeli në këtë shtëpi ishte shumë i kujdeshëm me të, ndërkohë që kishte arritur të shoqërohet me shumë fëmijë të tjerë në shkollë dhe në rrethin ku jetonte në Graçanicë. Ngjashëm flet edhe Jasmina Stoilçeviç, 14 vjeçe, e cila po ashtu para dy vitesh, nga Enti i Shtimes ishte transferuar në shtëpinë e fëmijëve në Graçanicë:
“Unë vijoj klasën e tretë në Llapnasellë. Kur kam ardhur këtu para dy vitesh jam gëzuar shumë. Këtu kujdesen për mua dhe më përkëdhelin. Në Shtime ka qenë tmerr”, thotë Jasmina. Ndërkaq Snezhana Aksiç, menaxhere e Shtëpisë për Fëmijë në Komunitet në Graçanicë thotë se, 6 nga këta fëmijë, ndonëse me vonesë, tani janë duke vijuar mësimin në një paralele speciale në Llapnasellë, në gjuhën serbe, ku kuadri mësimor është adekuat. Zonjusha Aksiç thotë se personeli në këtë shtëpi është trajnuar nga organizata joqeveritare “Mjekët e Botës”, të cilët janë kujdesur për këta fëmijë deri në kohën kur përgjegjësinë për ta e ka marrë Ministria për Mirëqenie Sociale, me investimin e së cilës është duke u ndërtuar edhe një shtëpi e re në Graçanicë, e cila do t’ju dedikohet këtyre fëmijëve.
“Vazhdojmë të punojmë ashtu siç kemi punuar me “Mjekët e Botës”, ndërkohë që tani jemi nën përkujdesjen e Ministrisë. Ata me të vërtetë mundohen që këtyre fëmijëve t’ju sigurojnë të gjitha ato që ua kanë siguruar paraprakisht “Mjekët e Botës”. Ky është fakt. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë problem dhe funksionojmë shkëlqyeshëm”, tha zonjusha Aksiç. Ndërkaq në një shtëpi të ngjashme në Shtime, janë të akomoduar 10 fëmijë, 5 serbë dhe 5 shqiptarë, të cilët janë me retardime më të rënda mentale dhe fizike. Megjithatë, sipas menaxherit të kësaj shtëpie, Hamit Rizani, këta fëmijë kanë shënuar përparime të dukshme. Disa nga ta vijojnë mësimet në paralelen speciale në Shtime dhe gëzojnë përkujdesjen 24 orëshe të personelit profesional.
“Fëmijët, të cilët qëndrojnë këtu, kanë gjetur një shpëtim me ndarjen e e tyre nga klientët, të cilët janë të moshës mbi 18 vjeç. Unë shpresoj se këto efekte do të shihen më vonë, kur këta fëmijë, në moshën 18 vjeçare do të kalojnë me siguri në ndonjë shtëpi tjetër dhe do të vërehet ai dallimi në mes të klientëve, të cilët gjenden në institut, me fëmijët të cilët e kanë mbushur moshën 18 vjeçare dhe gjenden në një shtëpi tjetër, në një shtëpi të komunitetit”, tha zoti Rizani.
Sidoqoftë, sipas menaxherëve të këtyre dy shtëpive, e vetmja gjë që ju mungon këtyre fëmijëve janë kontaktet me familjarët e tyre, të cilët, shumicën i kanë braktisur qysh moti.



XS
SM
MD
LG