Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS CAKTOJNË PËRFAQËSUESIT NË GRUPET PUNUESE PËR DIALOG


Albana Isufi, Prishtinë

Koalicioni serb “Kthimi” ka caktuar sot anëtarët për grupet punuese që do të zhvillojnë bisedimet për zgjidhjen e çështjeve praktike mes Prishtinës dhe Beogradit. Për secilin nga 4 grupet punuese, për të zhdukurit, për telekomunikacionin, për të kthyerit dhe për energjetikën janë emëruar nga 2 anëtarë të Koalicionit serb “Kthimi”.
Anëtari i Grupit punues për Energjetikë, Oliver Ivanoviç thotë se secili nga anëtarët ka edhe bashkëpunëtorët e vet që janë ekspertë në grupet përkatëse.
Ndërkaq Koalicioni serb “Kthimi” ende nuk i ka caktuar anëtarët nëpër grupet punuese për plotësimin e standardeve. Por, emërimi i anëtarëve për dialogun sipas Oliver Ivanoviçit është bërë pasi dialogu nuk ka alternativë tjetër.
"E kundërta e dialogut është konflikti. Mendoj që vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen shumë çështje praktike dhe të gjenden kompromise për kërkesat ekstremiste ose maksimale që janë bërë të ditura nga të dyja palët," thotë Ivanoviç.
Ndërkohë tashmë janë emëruar anëtarët e grupeve punuese nga institucionet e Kosovës dhe nga UNMIK-u. Por ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për agjendën, vendin dhe për kohën e mbajtjes së bisedimeve.
Takimi i parë i nëngrupeve punuese për të zhdukurit dhe për energjetikën qe paraparë të mbahej sot. Por, shefi i UNMIK-ut ka njoftuar se ky takim është shtyrë për javën e parë të muajit të ardhshëm, sepse, sipas tij është dashur të zgjidhen disa çështje praktike.
Institucionet e Kosovës, ndërkaq kanë refuzuar që të fillojnë bisedimet me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën. Por shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri, ka bërë të ditur se do bisedohet me cilindo delegacion që autorizohet nga qeveria serbe, qoftë kjo edhe Qendra Koordinuese Serbe.


XS
SM
MD
LG