Ndërlidhjet

GALLACH: NUK KA PLANE PËR KALIMIN E MISIONIT NË KOSOVË NËN DREJTIMIN E BE-SË


Cristina GALLACH, zëdhënëse e Havier Solanës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Solana i paraqiti Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian raportin për Kosovën, një ditë para udhëtimit të tij në Prishtinë. Cilat janë rekomandimet e reja që zoti Solana do dërgojë atje për institucionet vendore dhe ndërkombëtare?

CRISTINA GALLACH
Rekomandimet kryesore që zoti Solana bëri para Ministrave të Jashtëm janë si vijon:
"2004 do jetë një vit shumë i rëndësishëm për plotësimin e standardeve. Bashkimi Evropian dëshiron të luajë një rol shumë aktiv në mbështetje të procesit të plotësimit të standardeve, të funksionimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor, kthimit dhe të drejtave të të gjitha bashkësive, të drejtën e pronës, zhvillimin ekonomik dhe në veçanti dialogun. Ne duam të shohim që dialogu të ecë përpara."
Në paraqitjen e zotit Solana ka qenë një seri idesh specifike për të siguruar se në këtë vit ne presim dhe duhet të shohim shumëçka të realizuar në procesin e politikës së përmbushjes së standardeve. Bashkimi Evropian do luajë një rol shumë aktiv për të arritur përparime të dukshme në procesin e plotësimit të standardeve deri në fund të këtij viti.
Dhe qasje shumë aktive do të thotë bashkëpunim i ngushtë me UNMIK-un, me autoritet vendore dhe brenda vetë Bashkimit Evropian. Ne presim që ky plan, i cili është në përgatitje e sipër, të zbatohet shpejt. Ne nuk flasim sot për një politikë të re të Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën, nuk po flasim për përcaktimin e statusit përfundimtar, ne po flasim se si të sigurojmë plotësimin sa më të shpejtë e të plotë të standardeve në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas kësaj qasje për të punuar më afër me Kosovën, cili do jetë roli i Kosovës në politikën e re evropiane për Ballkanin?

CRISTINA GALLACH
Vendi i Kosovës, nëse e shohim rajonin në tërësi, pavarësisht faktit se cili do jetë statusi, që për momentin askush nuk dëshiron ta paragjykojë, ne kemi mekanizmin mbikqyrës në Kosovë. Përmes këtij mekanizmi duam të shohim stabilizmin e Kosovës. Bashkimi Evropian nuk është i përfshirë në diçka të re në Kosovë, por thjesht synon që të sigurojë se standardet po plotësohen. Ne po vazhdojmë me të njëjtat programe që kemi pasur, të cilat synojnë zbatimin e standardeve.
Me duhet të them se këto janë diskutuar me Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe të gjithë kanë shprehur mbështetjen e tyre. Dhe kjo pasi mbështetja e standardeve është pjesë e politikës ndërkombëtare. Njeherësh mbështetja për plotësimin e standardeve do të thotë ta kemi Kosovën më afër Bashkimit Evropian, pavarësisht dhe pa paragjykuar diskutimet për statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë shqetësimet kryesore të Bashkimit Evropian lidhur me zhvillimet më të fundit në Serbi dhe a planifikoni marrjen e masave që ta mbani Serbinë në drejtimin e duhur?

CRISTINA GALLACH
Ne jemi shumë të shqetësuar për zhvillimet e fundit në Serbi. Ne duam të shohim atje një qeveri që ndjek katër drejtimet kryesore: atë të reformave politike, ekonomike, marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, përfshi dhe bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës. Këtë e kemi bërë shumë të qartë dhe në deklaratën e nënshkruar nga gjithë Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Procesi i afrimit të Serbisë dhe Malit të Zi me Bashkimin Evropian padyshim varet nga ndjekja dhe zbatimi i atyre katër drejtimeve kryesore që përmenda.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se zhvillimet më të fundit në Serbi po i largojnë Serbinë e Malin e Zi gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri?

CRISTINA GALLACH
Qeveria e Serbisë do të gjykohet nga veprimet, aktivitetet dhe vendimet. Kjo do të marrë kohë, derisa të krijohet qeveria dhe më pas të fillojë punën. Ne nuk duam aspak të paragjykojmë, ndaj vetëm po themi se cilat janë drejtimet kryesore që qeveria e Serbisë duhet të ketë parasysh, nëse dëshiron që rruga drejt Bashkimit Evropian të vazhdojë dhe një ditë të jetë pranë institucioneve evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Derisa Bashkimi Evropian po përgatitet të marrë një rol drejtues në Bosnjë a planifikoni të njëjtën gjë dhe për në Kosovë?

CRISTINA GALLACH
Në këtë moment ne vetëm kemi filluar përgatitjet për të marrë rolin drejtues ushtarak në Bosnjë Hercegovinë, derisa NATO-ja të deklarojë se misioni i SFOR-it atje ka përfunduar. Ka ende përgatitje për këtë mision dhe jemi në bisedime me NATO-n për detajet.
Por në këto momente nuk ka asnjë plan të ngjashëm për Kosovën. Misioni i KFOR-it do vazhdojë të jetë nën kontrollin e NATO-s. Por misioni i SFOR-it mund të përfundojë dhe Bashkimi Evropian të marrë rolin drejtues ndoshta deri nga fundi i vitit.

Intervistoi Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG