Ndërlidhjet

SITUATA E SIGURISË NË MAQEDONI – PA NDRYSHIME


Isuf Kadriu, Shkup

Ambasadori i NATO-s në Maqedoni Nikolas Bigman, ka theksuar se edhe pas vdekjes tragjike të kryetarit Boris Trajkovski, nuk ka shenja që të mund të përkeqësohet gjendja e sigurisë në këtë vend.
"Mendoj se gjendja e sigurisë në Maqedoni, pothuajse është e njëjtë ashtu si para vdekjes së kryetarit Boris Trajkovski. Nuk shoh kurrfarë rreziku ndaj sigurisë dhe mendoj se kjo as që do të ndodhë pasi nuk ka arsye për këtë", tha për Evropën e Lirë, ambasadori i NATO-s në Shkup Nikolas Bigman. Ai ka komentuar dhe letrën e kryeministrit të Maqedonisë Branko Crvenkovski dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, në të cilën kërkohet ndihma e NATO-s për zbardhjen e tragjedisë ajrore, në të cilën humbi jetën kryetari Boris Trajkovski.
"Kuptohet se NATO-ja me aq sa ka mundësi është e gatshme të marrë pjesë në hetime pasi ka spekullime, disa prej të cilave janë edhe të shëmtuara. Është e natyrshme dhe e kuptueshme që kur ndodh diçka të ketë edhe spekullime. Mendoj se është në interes të NATO-s por edhe të Maqedonisë, të dihet saktë se çfarë ka ndodhur e kush është fajtor; NATO-ja, SFOR-i, aeroplani apo piloti. E vërteta duhet të zbardhet që raste të tilla të mos ndodhin në të ardhmen," vlerëson ambasadori Nikolas Bigman. Duke folur për aspektet tani kur Maqedonia ndodhet para zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, ambasadori i NATO-s u shpreh:
"Supozoj se do të ketë një periudhë të zgjedhjeve, fushatë zgjedhore për të cilën mendoj se do të jetë normale demokratike, fushatë të civilizuar dhe nuk shoh arsye të ketë probleme ndëretnike gjatë zgjedhjeve presidenciale. Do të kemi disa javë interesante në planin politik, por nuk ka vend për brengosje", deklaroi Bigman.
Duke u përqëndruar në përpjekjet integruese të Maqedonisë, ambasadori u shpreh se NATO-ja ka vizion për Maqedoninë dhe është vetëm çështje kohe se kur ajo do të anëtarësohet në Aleancën Veri Atlantike. Por sipas tij Maqedonia para se të pranohet në NATO, duhet të përmbushë disa standarde të cilat kanë filluar të realizohen. Ambasadori Bigman u shpreh se në Samitin e NATO-s në Stamboll nuk do të ndodhin mrekullira pasi Ballkani atje nuk do të jetë në plan të parë, por sidoqoftë sipas tij Stambolli për Maqedoninë do të jetë dhe një stacion në rrugën drejt Aleancës Veri Atllantike.


XS
SM
MD
LG