Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT VENDORË DHE NDËRKOMBËTARË BËJNË THIRRJE PËR QETËSI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zhvillimet e fundit në Mitrovicë si pasojë e rrethanave dhe mënyrës së mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër, ka hasur në reagime të ashpra të udhëheqësve kosovarë, ndërkohë që autoritetet më të larta kryetari, kryeministri i Kosovës dhe shefi i UNMIK-ut, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës për uljen e tensioneve.
"U bëj thirrje qytetarëve të Mitrovicës të tërhiqen nga protestat dhe të qetësohet gjendja, sepse eskalimi i gjendjes nuk është në të mirë të Kosovës. Me këtë rast, u shprehim ngushëllime familjeve të fëmijëve në Çabër që u mbytën në Ibër. Aktorët e këtij krimi do të dalin para drejtësisë. U shprehim ngushëllime familjeve të atyre që sot humbën jetën në protestat e Mitrovicës dhe të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejtë. Njëherësh u bëjmë thirrje qytetarëve serbë të Çagllavicës të zhbllokojnë rrugën dhe shqiptarëve të tërhiqen nga Veterniku, në mënyrë që të evitohet konfrontimi." Ishte ky apeli i presidentit Rugova drejttuar qytetarëve, ndërkohë që shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë Harri Holkeri, tha se është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve të Kosovës që t'i ulin tensionet dhe jo t'i rritin ato. Ai duke i ngushëlluar familjarët e tre fëmijëve të mbytur në lumin Ibër, tha se ishte shumë tragjike që ata kanë humbur jetën në atë mënyrë.
"E kuptoj se në momente të tilla njerëzit udhëhiqen nga emocionet, kështu që sërisht u bëj thirrje komuniteteve që të jenë të qeta, dhe të mos lejojnë që incidentet e tilla të tmerrshme të destabilizojnë situatën dhe të ardhmen e Kosovës", tha Holkeri. Thirrjeve për qetësimin e situatës u është bashkuar dhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, para se të nisej për në Mitrovicë.
"Tani do të shkoj të vizitoj edhe Çadrën edhe Mitrovicën, të provojmë që të ulen tensionet, për arsye se nëse eskalon dhuna, atëhere shumë vështirë mund të menaxhohet. Pra që të kenë qëndrim të njëjtë për të gjithë njëlloj".
Ndërkohë presidenti i Kosovës ka pohuar se incidentet fundit dhe orientimi i tyre mbi baza etnike është dhe rezultat i politikës destruktive të Beogradit dhe qeverisë së atjeshme, e cila angazhohet për ndarjen e Kosovës mbi vija etnike, projekte këto që sipas Rugovës nuk do të mund të realizohen kurrë.
"Për fat të keq edhe kjo udhëheqje e Beogradit, vazhdon "këngën e vjetër" që të krijojë shqetësime etnike në Kosovë, ju e dini disa vite nuk kemi patur kështu incidentesh, dhe ta shqetësojë Kosovën, ta destabilizojë. Është e pamundur që Kosova të ndahet në vija etnike dhe ky është qëndrim i institucioneve të Kosovës, i bashkësisë ndërkombëtare, shumë i fortë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm."
Në anën tjetër kryeparlamentari Nexhat Daci tha se Mitrovica si dhe incidente të tjera, po u shërbejnë qarqeve të ndryshme për dënimin e të gjithë popullatës së Kosovës, ndërsa tolerimi i bllokimit të rrugëve nga ana e pjesëtarëve të pakicës serbe sipas tij, është tendencë për ta shuar jetën në Kosovë.
" do të lutem që të mos hapet luftë verbale me ndërkombëtarët, por këto probleme duhet institucionet t'i kryejnë. Sepse i vetmi humbës në çdo keqësim të situatës do të jetë Kosova.
Të tre grupet parlamentare akuzuan ashpër policinë ndërkombëtare dhe autoritete e tjera përgjegjëse të UNMIK-ut për tolerimin e kaosit dhe për krijimin e një situate të tillë në Kosovë, që do të zbehë në masë të madhe imazhin e saj. Deputetët kosovarë kanë akuzuar ashpër policinë e UNMIK-ut për dështim në krijimin e një ambjenti të qetë e të sigurt në Kosovë dhe kanë kërkuar që policia vendore të fuqizohet në kompetenca, si mënyra e vetme për kthimin e situatës nën kontroll. Pakënaqësia me incidentet e fundit është shprehur edhe në një protestë të mbajtur sot në qendër të Prishtinës dhe të organizuar nga Lidhja Demokratike.




XS
SM
MD
LG