Ndërlidhjet

THAÇI: NUK KEMI LUFTUAR PËR NJË KOSOVË TË DHUNSHME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, ka ndërprerë vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas trazirave të fundit në Kosovë, me ç'rast u është drejtuar të gjithë qytetarëve që të ndërpresin protestat dhe të përmbahen nga aktet e dhunshme. Këto thirrje Thaçi i ka bërë me t'u kthyer nga Shtetet e Bashkuara, pas një takimi urgjent me shefin e UNMIK-ut Harri Holkerin dhe komandantin e krahut jugor të NATO-s Gregory Johnson. Kosova NATO dhe perëndimi nuk kanë luftuar për një Kosovë vetëm të shqiptarëve dhe për një Kosovë të dhunshme, ka thënë Thaçi, duke rikujtuar kosovarët se liria e sotme në Kosovë është rezultat i angazhimeve të dyanshme të Kosovës dhe të botës perëndimore.
"Ne e dimë se në çfarë situate kemi qenë të rëndë, kur bota perëndimore na mbështeti fuqishëm dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që ishin të deportuar u kthyen në Kosovë, jetojnë të lirë. Nuk duhet të harrojmë se Kosova sot e gëzon lirinë edhe falë sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe mbështetjes së fuqishme perëndimore", tha Thaçi.
Takimi me zotin Thaçi, sipas zyrtarëve të UNMIK-ut ishte i një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh rolin që ai kishte gjatë luftës në Kosovë. Holkeri dhe Johnson thanë se pajtoheshin plotësisht me apelet e tij, ndërsa Hashim Thaçi theksoi se manifestimet e dhunshme, mund ta rrezikojnë të tërë atë që deri më tani është ndërtuar këto pesë vitet e fundit në Kosovë.
" Dhuna nuk është mënyrë e zgjidhjes së problemeve. Dhuna vetëm krijon probleme. As ne, as UNMIK-u, as NATO, nuk pajtohemi me ndarjen e Kosovës. Askush nga ne nuk pajtohet me funksionimin e strukturave paralele serbe. Askush nga ne nuk pajtohet me propozimet për kantonizimin e Kosovës. Askush nga ne nuk pajtohet që të ketë turbullira në Kosovë. Ne të gjithë kemi investuar që të kemi progres. Dhe ky progres i standardeve për Kosovën po përshëndetet edhe prej Uashingtonit, edhe prej Brukselit, dhe prej të gjitha forcave progresive në botë.
Ndërsa ky takim po mbahej aty rreth orës 19, një turmë njerëzish po protestonin para dyerve të administratës së UNMIK-ut. Thirrje qytetarëve që të ndërpresin protestat, u janë drejtuar sot dhe nga grupet më të mëdha parlamentare dhe gati prej të gjithë liderëve të forcave kryesore politike. Mirëpo në Kuvendin e Kosovës, krahas këtyre thirrjeve, është kërkuar që UNMIK-u dhe institucionet vendore të ulen dhe të definojnë pozicionet e tyre, si dhe është kërkuar që vendorët t'i marrin më shpejt përgjegjësitë duke rikujtuar, sipas grupeve parlamentare, se pavarësimi i Kosovës do ta qetësonte gjendjen në nivelin e kënaqshëm.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG