Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

SCHEFFER: ELEMENTET EKSTREMISTE SHQIPTARE ORGANIZUAN DHUNËN


Albana Isufi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Jaap de Hoop Scheffer gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka dënuar dhunën e shkaktuar javën e kaluar dhe ka kërkuar nga liderët shqiptarë të Kosovës që ta dënojnë atë fuqishëm dhe të bëjnë çmos që të rivendosin besimin e humbur. Scheffer dhe shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri pas takimeve që kanë pasur me të gjithë liderët e institucioneve, kanë thënë se janë të zhgënjyer nga fakti se asnjëri nga ata nuk e ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj komuniteti serb.
“Ajo që ka ndodhur javën e kaluar, që ishte e orkestruar dhe e organizuar nga elemente ekstremiste të komunitetit shqiptar është e papranueshme, është turp dhe duhet të dënohet. Dhe kërkoj nga udhëheqësit përgjegjës shqiptarë që ta dënojnë fuqishëm atë," tha Scheffer duke shtuar se shumica shqiptare nuk mund t’i arrijë ambicjet e saj politike përmes dhunës së ushtruar.
Shefi i UNMIK-ut Hari Holkeri tha se është përgjegjësi e liderëve shqiptarë të Kosovës që të rivendosin besimin dhe kjo duhet të bëhet para se të vazhdohet me proceset e nisura në implementimin e standardeve dhe dialogun.
“Është shumë shumë vështirë që të vazhdohet mbi bazat që i kishim një javë më parë. Diçka është shkatërruar dhe ne duhet ta rindërtojmë sërish. Dhe të jemi realistë, unë nuk jam i gatshëm të vlerësoj se mesi i viti 2005 është një cak realist," tha Holkeri.
Ndërkohë kryesuesi i radhës i OSBE-së Solomon Passy, i cili ka qëndruar së bashku me Schefferin në Kosovë tha se ajo çka ka ndoshur javën e kaluar është serioze dhe shqetësuese për të gjithë fqinjët.
“Në 15 vjetët e kaluara kemi arritur shumë për krijimin e një shoqërie demokratike, shumë nga vendet e rajonit po bëhen anëtare të BE-së dhe nuk duam që t’i humbim ato të arritura dhe do të qëndrojmë së bashku," tha Solomon Passy, i cili premtoi angazhimin e OSBE-së për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, që do të mbahen në vjeshtë.
Liderët e institucioneve të Kosovës pas takimit që patën me udhëheqësit e NATO-s dhe të OSBE-së thanë se nuk kanë pritur tone optimiste nga ta. Por, ata thanë se janë duke u përpjekur që të fitojnë besimin e humbur.
“Do të qetësojmë situatën, do ta analizojmë së bashku me UNMIK-un punën tonë, dhe dhuna mos të na përsëritet më, sepse është kundër lirisë, kundër pavarësisë dhe kundër fëmijëve tanë," tha presidenti Rugova. Ndërkaq kryeministri Bajram Rexhepi tha se institucionet vendore dhe UNMIK-u kush më shumë e kush më pak kanë kontribuar në qetësimin e situatës por “nuk mund të jemi të kënaqur.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Jaap de Hoop Scheffer ka thënë se NATO do të mbetet e përkushtuar dhe do të japë angazhimin e saj maksimal për të ndihmuar misionin e KFOR-it dhe të UNMIK-ut në Kosovë. Pas trazirave në Kosovë NATO ka përforcuar kontigjentin e vet të KFOR-it më 2000 trupa shtesë.
XS
SM
MD
LG