Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

HOLKERI: NË KOSOVË KANË NDODHUR EDHE KRIME KUNDËR NJERËZIMIT


Bekim Bislimi, Prishtinë

Gjatë trazirave të fundit në Kosovë, ka pasur edhe krime kundër njerëzimit, ka thënë sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Harri Holkeri, gjatë vizitës që i ka bërë fshatit Graçanicë, i cila kryesisht është i banuar me popullatë të përkatësisë etnike serbe. Këtë deklaratë, zoti Holkeri e ka bërë pas takimit me peshkopin Artemije në Manastirin e Graçanicës.
“Krime kundër njerëzimit kanë ndodhur, por në anën tjetër ne e dimë se shumica absolute e njerëzve dhe të gjitha komunitetet dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe të respektojnë të drejtat e fqinjëve të tyre”, tha zoti Holkeri. Ai ka shtuar se autorët e akteve të dhunës duhet të dalin para drejtësisë.
“Këto forca ekstremiste duhet të izolohen dhe të sillen para gjykatave dhe të dënohen”, tha shefi i UNMIK-ut. Ai sot e ka vizituar edhe Kuvendin Komunal në Obiliq, përkatësisht Kastriot ku ka thënë se caqet të cilat janë goditur nga dhuna gjatë trazirave, tregojnë se autorët e akteve të dhunës kanë vepruar me plan të përgatitur
“Kjo tregon se ata kanë pasur plan të përgatitur dhe komuniteti ndërkombëtar është tërësisht i vendosur që të gjejë autorët e këtyre akteve, sepse ata janë munduar që të shkatërrojnë ardhmërinë e Kosovës” tha zoti Holkeri. Ai kërkuar nga Kuvendi Komunal i këtij qyteti që të bëjë atë që është e mundur në ripajtimin e komuniteteve dhe riparimin e të gjitha objekteve që janë shkaktuar. Ai tha se jo vetëm në Obiliq, por edhe në mbarë Kosovën, donatorët ndërkombëtarë nuk mund të ndihmojnë, ndërkohë që, sipas tij, mundësitë e Qeverisë së Kosovës kanë relativisht të kufizuara. Zoti Holkeri ka vizituar edhe kishën ortodokse në këtë qytet, e cila është dëmtuar gjatë trazirave të javës së shkuar. Ai ka theksuar se duhet ofruar ndihmë të zhvendosurve
“Njerëzit e zhvendosur kanë nevojë për ndihmë. Te gjitha orvatjet duhet të orientohen drejt asaj që këta njerëz të kthehen në shtëpi dhe shtëpitë të rindërtohen”, tha zoti Holkeri duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë ç’është e mundur që dhuna e cila ka ndodhur të mos përsëritet më. Ai tha se duhet vazhduar me programe të reja të cilat e çojnë Kosovën drejt një ardhmërie më të mirë dhe u premtoi serbëve lokalë se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë t’u ofrojë ndihmë me qëllim që të krijohet ardhmëri stabile, jetë normale dhe e qetë.



XS
SM
MD
LG