Ndërlidhjet

UNMIK-U DHE KFOR-I MARRIN PJESËN E PËRGJEGJËSISË PËR TRAZIRAT NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Administrata ndërkombëtare në Kosovë dhe KFOR-i kanë pranuar pjesën e tyre të përgjegjësisë lidhur me shpërthimin e dhunës së javës së kaluar që rezultoi me 28 të vdekur dhe me qindra të plagosur.
Zëdhënësi i UNMIK-ut Sunil Narula thotë se të gjithë kanë përgjegjësi për trazirat.
“Çdokush madje edhe UNMIK-u, KFOR-i por edhe qytetarët e Kosovës janë përgjegjës. Gjërat po përmirësoheshin dhe kjo nuk ishte vlerësim vetëm i KFOR-it dhe UNMIK-ut, por ishte vlerësim i bashkësisë ndërkombëtare, por edhe i qeverisë dhe liderëve të Kosovës. Dhe papritmas shpërtheu dhuna. Mendoj se çdokush edhe qytetarët e Kosovës duhet të kthehen në retrospektivë dhe të shohin se çka dhe pse ishte gabim," tha zëdhënësi i UNMIK-ut Sunil Narula.
Ai shtoi se edhe kryeadministratori Harri Holkeri në një letër dërguar popullit të Kosovës ka pranuar se misioni i Kombeve të Bashkuara ka bërë gabime, por sipas Narulës tani duhet që të gjendet mënyra se si të shkohet përpara. Kjo edhe ka qenë arsyeja pse shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri ka takuar sot kryeministrin Bajram Rexhepi dhe kryeparlamentarin Nexhat Daci.
Edhe zëdhënësi i KFOR-it Jim Moran pranon se përgjegjës për shpërthimin e dhunës janë të gjithë përfshirë edhe KFOR-in.
“Çdokush është përgjegjës, përfshirë edhe qytetarët e Kosovës," thotë Moran duke shtuar se në radhë të parë duhet që qytetarët e Kosovës të ruajnë qetësinë sepse KFOR-i nuk do të jetë gjithmonë në Kosovë dhe se njerëzit duhet të marrin përgjegjësitë për veprimet e tyre.
Ndërkohë, zëdhënësi Jim Moran ka bërë të ditur sot se ka përfunduar zbarkimi i 2000 trupave shtesë të NATO-së që u sollën në Kosovë si përforcim i kontigjentit prej 17 mijë trupave të KFOR-it.
Trupat e ashtuquajtura “Përtej Horizontit” janë vendosur në tërë Kosovën.
Ndërkohë, gjatë natës së kaluar në Kosovë janë shënuar dy incidente. Në Mitrovicë një serb ka hedhur një granatë dorë mbi dy ushtarë francëezë, të cilët kanë marë plagë të lehta. I dyshimti është arrestuar. Po ashtu, një shqiptar është arrestuar, pasi kishte hapur zjarr në drejtim të një veture të policisë në Smrekovnicë afër Vushtrrisë.


XS
SM
MD
LG