Ndërlidhjet

ANALIZA E TRAZIRAVE BËHET NDARAZ


Albana Isufi, Prishtinë

Analizimi dhe vlerësimi i ngjarjeve të 17 dhe 18 marsit do të bëhet ndaras nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë. Trupi për Menaxhimin dhe Inspektimin e Krizave i themeluar nga shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë Harri Holkeri, do të përbëhet vetëm nga ekspertë ndërkombëtarë. Sipas zëdhënësit të UNMIK-ut Sunil Narula në këtë trup nuk do të përfshihen anëtarë vendas, pasi ky trup do të merret vetëm me përgjegjësinë që UNMIK-u ka pasur për trazirat.
“UNMIK po vlerëson se çfarë ka shkaktuar trazirat e 17 dhe 18 marsit dhe cila ka qenë përgjegjësia e tij. Secila organizatë duhet ta bëjë vlerësimin e vet”, thotë Sunil Narula, duke shtuar se për emërimin e anëtarëve të trupit do të nevojiten disa javë.
“Do të marrë disa javë ky ekzekutiv pasi duhet të identifikohen anëtarët, aftësitë e tyre, duhet të merret parsysh koha kur mund të vijnë në Kosovë. Ne po ashtu po identifikojmë shtetet nga të cilat do të vijnë anëtarët e këtij trupit," tha Narula.
Ky trup sipas Narulës do të bëjë rishikimin e krizave më 17 dhe 18 marsi dhe do të ketë në duar të veta mekanizma për të parashikuar dhe krizat e ngjashme në të ardhmen.
Mekanizmi do të udhëhiqet nga një gjykatës apo jurist ndërkombëtar, nga ekspertë ndërkombëtarë për menaxhimin e krizave që do t’i emërojë shefi i administratës ndërkombëtare. Trupi ekzekutiv do të bëjë edhe vlerësimin e përgjigjes së UNMIK-ut ndaj krizave dhe do të bëjë rekomandime për shtimin e efikasitetit të sigurisë dhe të procedurave të mbrojtjes në rast të paraqitjes së krizave në të ardhmen.
Zëdhënësja e qeverisë së Kosovës Mimoza Kusari, thotë se qeveria zyrtarisht nuk di asgjë për themelimin e trupit për Menaxhimin dhe Inspektimin e Krizave.
Megjithatë, sipas Kusarit, qeveria do të bëjë një analizë të vetën në nivel këshilltarësh lidhur me ngjarjet e 17 dhe 18 marsit.
“Ajo që ka bërë qevria që prej kohës kur filluan këto kriza, ka qenë ideja që të bëhet një analizë e detajuar në lidhje me shkaqet dhe pasojat e krizës. Kështu në nivelin e këshilltarëve është duke u përgatitur dokumenti, i cili do t’i prezantohet qeverisë, gjithashtu edhe subjekteve politike dhe parlamentit për atë se çfarë mendohet se e ka shkaktuar situatën e 17 dhe 18 marsit, “ tha Mimoza Kusari.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës nuk e ka themeluar ende komisionin ad hoc për vlerësimin e ngjarjeve, siç qe vendosur javën e kaluar. Tani zyrtarë të Kuvendit thonë se analizmi i ngjarjeve të 17 dhe 18 marsit duhet të bëhet vetëm nga qeveria.
Nga ana tjetër Misioni i Kombeve të Bashkuara vazhdon të publikojë të dhëna të ndryshme lidhur me pasojat e 17 dhe 18 marsit. Të dhënat më të fundit tregojnë se në trazirat e javëve të kaluara janë vrarë 19 persona, 11 shqiptarë dhe 8 serbë, janë lënduar mbi 900 vetë, përshirë 65 policë ndërkombëtare dhe 58 pjesëtarë të SHPK-së, janë dëmtuar 29 kisha, 800 shtëpi si dhe mbi 150 vetura. Zëdhënësi për polici dhe drejtësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, thotë se hetimet janë duke vazhuar edhe më tej dhe se këto shifra përsëri mund të ndryshojnë.





XS
SM
MD
LG