Ndërlidhjet

VDEKSHMËRIA E FOSHNJEVE NË KOSOVË, MË E LARTA NË EVROPË


Bekim Bislimi, Prishtinë

Vdekshmëria e foshnjeve në Kosovë është më e larta në Evropë, ndërkaq një nga qëllimet që parasheh strategjia shëndetësore e Kosovës është edhe fillimi i shëndetshëm i jetës që ka për qëllim zvoglimin e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së foshnjeve dhe nënave, thotë doktoreshë Merita Berisha, specialiste e mjekësisë sociale në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“Nga të dhënat, të cilat i disponojmë apo që na vijnë në dorë kohë pas kohe, në të cilat marrin pjesë edhe agjencionet e tjera, jo vetëm ato kombëtare por edhe ato ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNICEF-i apo organizata të tjera, thuhet se, sa i përket rajonit, Kosova ka vdekshmërinë më të lartë të foshnjeve në tërë Evropën”.
Ajo thotë se në bazë të hulumtimeve të vitit 1999, të cilat i kanë bërë Enti Statistikor i Kosovës dhe Organizata Botërore për Zhvillimin e Popullsisë, është theksuar se gjatë atij viti vdekshmëria e foshnjeve ka qenë rreth 35 promil, që do të thotë se në çdo 1000 foshnje të lindura gjallë, kanë vdekur është 35 prej tyre. Sipas doktoreshës Berisha, në bazë të të dhënave të Entit statistikor në vitin 2002 vdekshmëria e foshnjeve ka zbritur në 11.19 promil, ndërkaq në vitin 2003 ajo është ngritur përsëri.
“Të dhënat të cilat i kemi marrë për njësimin e treguesve të statistikës jetësore nga Enti i Statistikës së Kosovës, na tregojnë se, nëse përqëndrohemi te vdekshmëria e foshnjeve, treguesi është 15.77 promil. Do të thotë se për çdo 1000 të lindur gjallë, na vdesin afër 16 foshnje."
Megjithatë, shifrat në të cilat bazohet Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, sipas doktoreshës Berisha, rrjedhin nga të dhënat paraprake të Entit Statistikor të Kosovës. Në anën tjetër, ky ent më 29 mars të këtij viti ka publikuar të dhënat paraprake për sëmundshmërinë, vdekshmërinë, shtimin e popullsisë, kurorëzimet, shkurorëzimet, migrimet e brendshme si dhe disa të dhëna për shëndetësinë, por, pavarësisht se ky ent ka bërë hulumtime rreth vdekshmërisë së foshnjeve, të dhënat paraprake nuk janë publikuar. Lidhur me këtë çështje, Hysni Thaçi, shef ekzekutiv i Entit Statistikor thotë:
“Është e vërtetë se në lidhje me vdekshmërinë e fëmijëve nuk kemi ndonjë të dhënë për momentin, por besoj se së shpejti do të vimë deri te këto të dhëna, sepse këto të dhëna janë preliminare”.
Zyrtarë të Entit Statistikor, jozyrtarisht kanë përmendur se në bazë të të dhënave nga një hulumtimi që ka bërë ky ent, shifra paraprake e vdekshmërisë së foshnjeve gjatë vitit 2003 pretendon të jetë rreth 40 promil, por, zoti Thaçi, thekson se nuk mund ta konfirmojë asnjë shifër nga të dhënat që disponojnë.
“Kemi nevojë për një përpunim pak më të detajizuar, në mënyrë që para opinionit dhe para mjeteve të informacionit të dalim me të dhëna, të cilat vërtet i përgjigjen realitetit. Dhe nëse ka nevojë, të merren masat e domosdoshme nga vendimmarrësit lidhur me këtë aspekt. Kjo çështje, besoj që në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e gjatë”.
Sipas doktoreshës Berisha, një nga faktorët kyç për zvoglimin e vdekshmërisë së foshnjeve duhet të jetë kujdesi i shtuar për gratë gjatë periudhës së shtatzanisë.
“Mbrojtja gjatë shtatëzanisë është një moment që duhet t’i qasemi posaçërisht, me angazhimin edhe të gjinekollogëve, obstetërve dhe ne me qëllim parandalimin”.
Sidoqoftë, doktoresha Berisha thekson se qasja e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë është në drejtim të stabilizimit të situatës në institucionet shëndetësore dhe aktualisht është duke u përpiluar rregullorja për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijët dhe nënat.

XS
SM
MD
LG