Ndërlidhjet

CËRVENKOVSKI PRESIDENT, OSBE VLERËSON POZITIVISHT ZGJEDHJET


Isuf Kadriu, Shkup

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pasdite shpalli rezultatet e para zyrtare të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, duke konfirmuar fitoren e Branko Cërvenkovskit si kryetar i Maqedonisë.
Zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Zoran Tanevski tha se kanë votuar 53.4 % e trupit të përgjithshëm votues, i cili numëron rreth 1 700 000 votues. Sipas tij për Branko Cërvekonvskin janë deklaruar rreth 63 % e tyre, kundrejt kundërkanditatit të tij Sashko Kedev, i cili mori rreth 32 % të votave të elektoratit. Tanevski tha se deri tani nuk janë paraqitur ankesa nga partitë politike për rrjedhën e procesit zgjedhor, për të cilin sot vlerësimin e tij e dha misioni i OSBE-së.
"Raundi i dytë e zgjedhjeve presidenciale i mbajtur më 28 prill, në përgjithësi konsiston me angazhimet e OSBE-së dhe të standardeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike", tha shefi i Misioni Vëzhgues të OSBE-së ambasadori Fridrih Bauer. Ai tha se përkundër kësaj janë theksuar edhe parregullsi të theksuara në krahasim me rrethin e parë zgjedhor.
"Sikur edhe në raundin e parë zgjedhor kishte probleme rreth votimit në grupe, votimit për persona të tjerë, sikurse mbushje të kutive të votimit", tha ambasadori Bauer duke shtuar se janë regjistruar dhe frikësime të votuesve, ndërsa përmendi rastin e pranisë së një deputeti të Partisë Demokratike Shqiptare dhe të funksionarëve të lartë të kësaj partie në një vendvotim, ku thyen kutinë e votimit, ndërsa në një vend tjetër penguan qytetarët të votojnë. Shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së tha se dhe në rajone të tjera të Maqedonisë perëndimore dhe asaj veriore si dhe në rrethinën e Shkupit, ka patur parregullsi ku janë vërejtur dhe persona të armatosur, të cilët kishin për qëllim mbushjen e kutive apo frikësimin e qytetarëve për të votuar. Zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Zoran Tanevski nuk deshi të komentojë raportin e OSBE-së, dhe as të japë vlerësime për rrjedhën e votimit të djeshëm. Por duke komentuar vendimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për të shpallur të pavlefshme ankesat e partive politike në raundin e parë, ambasadori Bauer tha se ky institucion lëshoi shancin për t'i dërguar mesazhe partive politike se nuk do të tolerojë keqpërdorime në raundin e dytë zgjedhor.





XS
SM
MD
LG