Ndërlidhjet

BRIGADA E QENDRËS NË KUADËR TË KFOR-IT DO VAZHDOJË AKTIVITETIN E SAJ


Albana Isufi, Prishtinë

Komandanti i KFOR-it , gjenerali Holger Kammerhoff thotë se kriza e mesit të marsit ka ndryshuar mënyrën e të menduarit rreth situatës së sigurisë në Kosovë. Ai thotë se tani duhet menduar ndryshe për mënyrën se si ushtarët e KFOR-it duhet të ballafaqohen me ambjentin e brishtë dhe të paqëndrueshëm në Kosovë.
Këto komente gjenerali Kammerhof i bëri në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Brigadës Shumëkombëshe të Qendrës, e cila nuk do të shuhet më 1 maj si qe paraparë.
“Tranzicioni i Brigadës Shumëkombëshe të Qendrës në një forcë ushtarake duhet të pezullohet për një kohë derisa ne do ta monitorojmë situatën e sigurisë gjatë verës deri në zgjedhjet e vjeshtës. Jam i bindur se ne në bashkëpunim me policinë e UNMIK-ut dhe SHPK-në, mund të zbatojmë masat, që na lejojnë ta përmirësojmë situatën e sigurisë. Ne po ashtu jemi të përgatitur që të ndihmojmë institucionet civile në arritjen e standardeve, tha Kammerhoff.
Komandanti i deritashëm i Brigadës Shumëkombëshe të Qendrës, Andres Branstrom, i cili për më shumë se 4 muaj ka punuar në drejtim të shuarjes së brigadës dhe transferimin e detyrave të saj në një forcë tjetër, thotë se situata e sigurisë nuk ka qenë aq stabile siç është menduar dhe se armiqësitë në mes të komuniteteve më të mëdha në Kosovë vazhdojnë të jenë të forta.
“Ne kuptuam që situata e sigurisë në zonën tonë të përgjegjësisë nuk është stabile. Ka mjaft njerëz në Kosovë, të cilët mund të paraqesin kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni," tha Branstrom, duke shtuar se ngjarjet e marsit kanë treguar se KFOR-i është edhe më tej i nevojshëm në Kosovë.
Ndërkaq, komandanti i ri i Brigadës Shumëkombëshe të Qendrës, gjenerali finlandez, Antti Lankinen, thotë se ngjarjet e marsit kanë qenë një thirrje për zgjim, si për Brigadën që ai do ta drejtojë ashtu edhe për KFOR-in. Lankinen thotë se së bashku me organet tjera të sigurisë do të bëjë çdo përpjekje për ta ndaluar rishfaqjen e dhunës. Por, sipas tij barra e përgjëgjësisë bie edhe mbi liderët kosovarë.
“Liderët shqiptarë, që përfaqësojnë grupin më të madh etnik kanë ndikim më të madh në komuna dhe është përgjegjësi e tyre që të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e të gjithë popullit të Kosovës. E ardhmja e Kosovës është vetë e ardhmja juaj ,” tha gjenerali Lankinen.
Brigada Shumëkombëshe e Qendrës qe paraparë që më 1 maj të shuhet dhe në vend të saj të krijohet një forcë ushatarake, e cila do të udhëhiqej nga Shtabi Qendror i KFOR-it. Përgatitjet për këtë transferim ishin bërë deri në shpërthimin e trazirave të marsit. KFOR-i ka hequr dorë nga ky qëndrim, pasi që ka vlerësuar se sektori që kontrollohet nga kjo brigadë ka nevojë për prani të forcave ushtarake të KFOR-it, për shkak të gjendjes së brishtë dhe të paqëndrueshëm të sigurisë.



XS
SM
MD
LG