Ndërlidhjet

FREEDOM HOUSE VLERËSON SE NË MAQEDONI KA LIRI TË PJESËRISHME TË SHTYPIT


Isuf Kadriu, Shkup

Organizata joqeveritare Freedom House ka vlerësuar se në Maqedoni pjesërisht respektohet liria e të shprehurit. Sipas raportit të kësaj organizate kushtuar pavarësisë së mediave, Maqedonia ndodhet në vendin e parafundit mes vendeve të Evropës Juglindore. Duke komentuar raportin gazetari Aco Kabranov, thotë se mediat në Maqedoni kanë avancuar shumë në drejtim të profesionalizmit. Ai vlerëson se gazetarët dhe mediat tanimë janë liruar nga presionet politike, por jo edhe nga ato ekonomike.
"Mendoj se këtu qëndron problemi më i madh. Dhe janë gazetarët ata që duhet të luftojnë për profesionin e tyre, pasi padronët ambicjozë është e qartë se po i shfrytëzojnë gazetarët dhe mediat për marrëveshje politike", tha gazetari Aco Kabranov. Ndërkohë gazetari Hysen Saliu thotë se raporti mban, pasi sipas tij gjendja e gazetarëve është tejet e rëndë edhe për shkak të miratimit të një ligji që parasheh dënime me burg për gazetarët.
"Prioritet për autoritetet në Maqedoni nuk është dashur të jetë futja e restriksionevesa i përket punës së gazetarëve, por duhet krijimi i hapesirës më të madhe për lehtësim të punës së gazetarëve dhe për krijimin e hapësirës që gazetarët të kenë liri më të madhe për shprehjen e mendimit të tyre, por edhe në informimin objektiv të opinionit."
Mediat në vend zhvillohen ashtu si fusha të tjera vlerëson Mile Boshnjakovski përfaqësues i Institutit maqedonas të Mediave.
"Në Maqedoni në përgjithësi respektohet liria e të shprehurit, ndërsa problemet janë të natyrës tjetër fare. Ato në më të shumtën e rasteve janë të ndërlidhura me kapacitetet individuale të gazetarit. Në Maqedoni nuk ka ndonjë ligj të veçantë i cili kufizon lirinë e shtypit, por problemi qëndron në të ashtuquajturën vetëcenzurë", tha Mile Boshnjakovski, sipas të cilit kjo është pasojë e formave të ndryshme të presioneve që bëhen ndaj gazetarëve."
Nga ana tjetër, zëvendësdrejtori i Agjencisë së Informatave të Maqedonisë Vai Tairo, duke mbështetur raportin e organizatës Freedom House u shpreh:
"Egziston një mosorganizim i mirëfilltë në sistemin e informacionit, në sistemin e komunikimit me opinionin, në sistemin e mirëfilltë të fjalës koordinim të punëve të informacionit, duke marë parasysh këtu qeverinë dhe opinionin e gjerë, qeverinë dhe mediumet"





XS
SM
MD
LG