Ndërlidhjet

NJU JORK


Mbrëmë vonë në Kombet e Bashkuara është publikuar raporti i rregullt i sekretarit të përgjithshëm, Kofi Annan, për punën e Unmikut në Kosovë. Në këtë raport vlerësohet se dhuna e marsit paraqet një hap prapa në stabilizimin dhe në normalizimin e gjendjes në Kosovë. Në raport, pos tjerash, theksohet se gjatë trazirave të marsit në Kosovë janë vrarë 19 persona, prej të cilëve 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa ishin plagosur 954 persona. Ndër të plagosurit, thuhet mëtutje në raport, ishin edhe 65 policë ndërkombëtarë, 58 pjesëtarë të trupave mbrojtëse të Kosovës, dhe 61 ushtarë të Kforit. Në raport shkruan se valës së dhunës i paraprinë dy ngjarje që kishin ndodhur disa ditë më parë. Në incidentin e parë ishte plagosur një i ri serb në Çagllavicë ndërsa një ditë më vonë "së paku dy fëmijë shqiptarë" ishin mbytur në një lumë. "Rrethanat në të cilat ndodhi kjo fatkeqësi ende nuk janë zbuluar" – shkruan pos tjerash në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan për situatën në Kosovë. Është paralajmëruar se ky raport do të jetë bazë për debat në Këshillin e Sigurimit që pritet të mbahet më 11 të këtij muaji.
XS
SM
MD
LG