Ndërlidhjet

SELMANI: SHTYLLA E KATËRT E UNMIK-UT, PËRGJEGJËSE PËR NDËRPRERJEN E PRIVATIZIMIT


Njazi Selmani, këshilltar i lartë i Ministrit për Ekonomi dhe Financa

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selmani, a është vendosur diçka lidhur më kërkesën e ministrisë suaj, për mbajtjen e mbledhjes urgjente të bordit të drejtorëve të Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit?

NJAZI SELMANI
Kjo nuk është kërkesa e parë e Ministrisë për Ekonomi dhe Financa për mbajtjen e mbledhjes së AKM-së, pasi më rregullore është e paraparë se në qoftëse dy ministrat, gjegjësisht dy anëtarët e bordit kërkojnë mbledhje urgjente ajo duhet të thirret brenda 48 orëve. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Dhe deri më tani nuk kemi ndonjë informacion se kur do të thirret mbledhja e bordit të AKM-së edhe pse konsiderojmë se çdo ditë është vonë e më vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat ishin arsyet që kërkuat mbledhje të jashtëzakonshme?

NJAZI SELMANI
Mbledhje të jashtëzakonshme, janë shumë arsye ndërprerja e privatizimit, pëlqimi parimor dhe kërkesa e Këshillit të Sigurimit, shteteve të Kuintit, Qeverisë që privatizimi duhet sa më shpejtë të ecë përpara. Se një konstatim i përgjithshëm është që pa privatizim nuk do të këtë zhvillim ekonomik. Është një çështje tjetër që ndërmarrjet e tjera dhe kompanitë publike kanë mbetur në mëshirë të kohës. AKM-ja duhet të jetë ajo që duhet të menaxhajë ndërmarrjet shoqërore dhe ato publike. Por, për fat të keq kjo nuk është duke ndodhur, është një kaos i përgjithshëm i ndërmarrjeve shoqërore dhe kompanive publike.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e shtyllës së katërt të UNMIK-ut insistojnë që mbledhjes së bordit të drejtorëve t’i paraprijë një takim jo formal i anëtarëve të bordit. A është caktuar dita e mbajtjes së këtij takimi, dhe a mendoni se kjo është zgjidhje?

NJAZI SELMANI
Mbledhje joformale të bordit ka që gjashtë muaj. Çdo herë shtylla e katërt e UNMIK-ut thotë se privatizmi nuk është ndërprerë. Por, për kosovarët dhe investitorët e interesuar të investojnë në Kosovë është një pasqyrë shumë e qartë. Raundi i tretë i privitizimit nuk ndodhi, takime joformale mund të ndodhin për çdo ditë. Por, edhe unë shtroj një pyetje praktike për shtyllën e katërt. Pse nuk ndodh ajo formale dhe jo formale sa më shpejt?

RADIO EVROPA E LIRË
Ardhja e zotit Nikollas Lamsdorf në krye të shtyllës së katërt paraqet fillimin e problemeve lidhur me vazhdimin e privatizimit. Disa analistë ekonomikë por edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës konsiderojnë se aktualisht ai është pengesa me e madhe për vazhdimin e privatizimit. Cili është mendimi juaj?

NJAZI SELMANI
Mendimi im personal është se të gjitha politikat operative dhe rregulloret në AKM janë aprovuar në bordin e AKM-së ku ka qenë edhe shtylla e katërt e UNMIK-ut edhe zyra ligjore, dhe janë aprovuar më koncensus. Ndërrimi i njerëzve në AKM dhe në shtyllën e katërt kanë sjellë probleme. Problemi i vetëm dhe shumë i rëndesishëm është ndërprerja e privatizimit. Për çfarë arsye e ka bërë shtylla e katërt përmes zonjës Fuci, e cila tani nuk është këtu, ndoshta është përdoruar si figurë për të ndodhur ç'ka po ndodh. Mendoj se përgjegjësia mbetet në shkallën e katërt të UNMIK-ut. Në qoftë se shtylla e kartër e UNMIK-ut ka ardhur për të ndihmuar ekonominë kosovare se paku nuk duhet të pengojë.

Intervistoi Nadije Ahmeti
XS
SM
MD
LG