Ndërlidhjet

SËMUNDJET E SHKAKTUARA NGA MJERIMI


Bekim Bislimi, Prishtinë

Tash e pesë ditë që kur është vendosur në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë për shkak të pezmatimit të mushkërive, Argentina Sadikaj, 6 vjeçe nga fshati Ponorc i komunës së Malishevës, refuzon të komunikojë me mjekët, personelin mjekësor, por edhe me fëmijët e tjerë, pacientë të shtrirë në këtë klinikë. E vetmja urë e komunikimit ndërmjet tyre është e ëma e saj Drita, të cilës rrallëherë Argentina e zbehur në fytyrë, i pëshpëriste në vesh, përkundër lutjeve të së ëmës që të fliste zëshëm.
“Thuaj qika ime…thuaj Argentina…fol….tri herë në ditë, 5 injeksione është duke i marrë”
Argentina vazhdonte heshtjen ndërkaq, zonja Drita, tha se bija e saj, si çdo fëmijë fshati, kishte dëgjuar për kryeqytetin kosovar nga prindërit, por kishte ëndërruar se ai ishte qyteti ku fëmijët mund të blenin ëmbëlsira pa kufi. Ndryshe nga kjo Argentina ishte ballafaquar me innjeksionet dhe me ambjentin e mbyllur të klinikës. Këtu ka përfunduar ëndrra e Argentinës, tha zonja Drita dhe shtoi se, kushte e rënda ekonomike në të cilat jetonte familja e saj 20 anëtarëshe, nuk mundësonin që të ngopeshin me bukë.
“Thjeshtë, çfarë po hamë, kos, speca, xhizë. Kur nuk ka njeriu, kështu është…Kush të na japi apo të na ndihmojë, dikush që e di se nuk i kemi kushtet dhe bie diçka”.
Ajo tha se, as vajzën e saj të sëmurë, nuk kishte pasur para që ta dërgonin me kohë në spital dhe vetëm pas dhjetë ditësh me temperaturë të lartë, me para të huazuara e kishin sjellë në Prishtinë. Në anën tjetër, doktor Hajdin Ymeri, pediatër, i cili e kishte marrë nën përkujdesje Argentinën, tha se një nga faktorët kyç të sëmundjes së saj janë pikërisht kushtet dhe rrethanat në të cilat jeton ajo, ndërkaq që, sipas tij pacientja ishte sjellë në spital, siç tha ai, në momentin e fundit, para se sëmundja ta dërmonte tërësisht.
“Rasti i Argjentinës është rast specifik. Ka një pezmatim të mushkërive, të anës së djathtë, pezmatim masiv. Faktorët janë, parasëgjithash, rrethanat e rënduara socioepidemike në të cilat jeton Argentina. Ky është reperkusion i rrethanave në të cilën gjendet kjo familje, kushtimisht po them, e pafatshme, kushtet ekonomike në të cilat jeton fëmija, domethënë, dendësia e anëtarëve të familjes në të cilën janë, pastaj, kushtet në të cilat jetojnë. Paushqyeshmëria është një faktor jashtëzakonisht me rëndësi”.
Ndërkaq, Ali Bekqeli, zyrtar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, thekson se 50 % e popullatës kosovare jeton në kushte varfërie ndërkaq 12 % të tjerë jetojnë në varfëri të skajshme.
“12% e popullatës nuk i kanë as kushtet minimale të jetesës. Ata jetojnë në një varfëri të skajshme. Kur e kemi parasysh se rreth 8% e popullatës e merr ndihmën sociale, edhe këtu, siç po shihet, e kemi një zbrazëtirë prej rreth 4% të cilët jetojnë në varfëri të skajshme, por nuk e gëzojnë ndihmën sociale”.
Në shtëpinë e familjes Sadikaj, në periferi të fshatit Ponorc, në një dhomë, të cilën anëtarët e kësaj familjeje e quanin dhomë dite, zhvillohej përditshmëria e kësaj familjeje. Derisa zonja e shtëpisë, Sabrie Sadikaj, 66 vjeçare, po e pastronte një nga fëmijët në një govatë llamarine të vendosur në një kënd të dhomës, 8 fëmijët tjerë pritnin në radhë, për tu pastruar.
“Krejt fëmijët këtu…Nuk po kemi…Ka rrezik, por çka të bëjmë, ngushtllëku e ka kështu, pa para, pa asgjë…”
Afër kubesë e cila po tymoste tërë dhomën e pasavatuar, ishte ulur kryefamiljari i kësaj shtëpie, Sahit Sadikaj, 71 vjeç, tek po pinte cigaren, fliste me mllef dhe dëshpërim njëkohësisht. Ai tha se për shkak të kushteve të rënda ekonomike, të 4 djemtë e tij dhe familjet e tyre ishin të detyruar të jetonin nën një strehë dhe rrjedhimisht nga kjo, asnjëri nga ata nuk kishin mundur ta sigurojnë asistencë sociale nga qeveria. Siç tha ai, e tërë barra e varfërisë së 20 anëtarëve, mbahej me pensionin e tij dhe të bashkëshortes së tij
“Njëzet anëtarë jemi. Ne, dy pleqtë i marrim nga 40 euro, krejt 80 euro dhe me ato jemi duke u mbajtur dhe jemi duke menduar bukën ta bëjmë. Me ato, 20 anëtarë jemi duke ngrënë, sepse nuk kemi se ku. A po e shihni? Sikur të ishte para 50 apo 60 vjetë ose 100… kjo jetesë nuk ka qenë kështu, e jo në kohën e tashme. Askush, asgjë ndihmë nuk më jep”.
Babai i Argentinës, Xhemaili, tregonte se ku e bënte gjumin familja e tij…
“Kjo dhomë është ku flen Argentina. Tetë veta flejmë në këtë dhomë e cila mund të jetë ndoshta 3 e gjysëm me 3. Këto janë dërrasa të thjeshta dhe janë direkt e në beton…Këto shpuza nga 2-3 cm. Vetë i teti flej, me këta tre jorganë mbulohemi. S’ka qare pa u sëmurur fëmija kur të flejnë 4-5 fëmijë nën një jargon, ne jemi në gjumë, e ata ja tërheqin njëri tjetrit, dhe shplohen gjatë natës, ftohen, prishen …kështu shkon kjo”.
Si dhe çfarë arrin të sigurojë për ushqim kjo familje, bashkëshortët Sabria dhe Sahiti rrëfejnë…
Sabria:
“Mjaft vështirë. Kallaballëk, skamje dhe nuk di njeriu se nga t’ia mbajë. Me fëmij e me të mëdhenj, më së shumti me bukë e kos. Tjerat ku t’i marrim, pasi që nuk ka? Vështirë”.
Sahiti:
“Nuk ka…Çdo kush le ta vëjë dorën në zemër dhe le ta dijë se sa i djeg, kur i thotë fëmijës prindi: s’kam çfarë të japë tjetër send përveç këtë bukë të thatë, kështu haje…”.
Pesë nga 10 fëmijët e kësaj familjeje vijojnë shkollimin fillorë, por Florentina, njëra nga vajzat e Xhemailit, e cila vijon klasën e 3, thotë së nuk i kishte siguruar librat e nevojshëm, përkundër kërkesave që ia kishte bërë babait të saj.
“Vetëm të ‘Gjuhës shqipe” e kam dhe ‘Matematikën’. Vetëm ato dyja, të tjerat nuk i kam. Nuk kemi para…I kam thënë babit të mi blejë librat dhe fletoret, por babi më ka thënë, nuk kam para”.
Florentina, ndërpren rrëfimin, sapo e pa babain e saj t’i dilnin lotët dhe tha se nuk brengosej më për librat, por priste që Argentina të kthehej nga spitali. Sidoqoftë, sipas doktor Ymerit, Argentina, kishte gjasa që brenda dy javësh të përmirësohej, por..
“Varianti pesimist është që, ajo, posa të shkojë në shtëpi, prap të ketë mundësi të infektohet, përballë zhvillimit jo të mirë fizik që e ka fëmija”.



XS
SM
MD
LG