Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KUVENDI MBËSHTET NDRYSHIMET NË KORNIZËN KUSHTETUESE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka diskutuar lidhur me ndryshimet në Kornizën kushtetuese të Kosovës, mirëpo nuk është marrë ndonjë vendim lidhur me procedurën e mëtejme, ndërkohë që komisioni i veçantë për propozimin e amendamenteve të reja, ka përfunduar punën dhe ka finalizuar propozimet.
Kryetari i këtij komisioni, Dr. Arsim Bajrami tha se qëllimi i këtyre ndryshimeve është plotësimi i defekteve të Kornizës Kushtetuese, krijimi i bazës së re kushtetuese për bartjen e përgjegjësive tek vendorët dhe përmbushja e misionit strategjik të rezolutës 1244, që është përgatitja e Kosovës për statusin e saj përfundimtar.
"Qëllimi i tretë është krijimi i parakushteve ligjore dhe kushtetuese për përmbushjen e standardeve për Kosovën. Ne mendojmë që projekti Standardet për Kosovën, të cilin ky kuvend e ka miratuar si njërin nga projektet më të rëndësishme për Kosovën, kërkon kompetenca të reja për organet e Kosovës dhe kërkon një bartje të përgjegjësive në mënyrë që të arrihen përparimet e dëshiruara në këtë fushë. Qëllimi i fundit është në fakt progresi në realizimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe përgatitja e zgjidhjes përfundimtare për statusin e Kosovës".
Zoti Bajrami tha se baza kushtetuese që i jep të drejtë kuvendit për të miratuar ndryshimet e Kornizës Kushtetuese, është përcaktuar me kornizën aktuale dhe këto ndryshime nuk cënojnë mandatin dhe autoritetin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Duke folur për ndryshimet zoi Bajrami tha komisioni mendon që Korniza Kushtetuese duhet të emërtohet Kushtetutë Kalimtare, e cila do të ketë vlerë deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar dhe për këtë nuk ka asnjë pengesë ligjore, pasi Kosova në të kaluarën ka patur 2 kushtetuta. Zoti Bajrami tha se fusha e dytë është ajo që parasheh ndërrimin e raporteve mes kreut 8 dhe pesë dhe parasheh bartjen në disa fusha përfshirë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo është në frymën e qeverisjes thelbësore, tha Bajrami, sipas të cilit bashkë me 6 ministri të reja që parashihen me këto ndryshime, ndryshimi më i rëndësishëm është përcaktimi i mekanizmit të referendumit.
" Ne kemi marë përvojat e vendeve më të zhvilluara demokratike dhe kemi parë kushtetutat e këtyre shteteve dhe kemi parë që 80 % e shteteve të demokracive të zhvilluara perëndimore aplikojnë referendumin si një mekanizëm vendimmarrës apo si një mekanizëm plotësues".
Zoti Arsim Bajrami ka ftuar UNMIK-un që të ketë mirëkuptim për këto ndryshime dhe t'i kuptojë ato si ofertë partneriteti, për të arritur përparim thelbësor në përmbushjen e misionit të UNMIK-ut. Mirëpo zëvendëskryeadministratori i Kosovës Charles Brayshaw , i ka dërguar mbrëmë një letër kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci, duke i kërkuar atij që Kuvendi të mos miratojë ndryshimet në Kornizën Kushtetuese. Edhe Fatmir Sejdiu, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës në grupin punues për ndryshimet e Kornizës Kushtetuese, i quajti ndryshimet ofertë bashkëpunimi.
"Ndryshimet e ofruara janë një përpjekje dhe një ofertë e jona që të normojnë procesin e ri dhe realitetet e reja të ndërtuara në Kosovë dhe kjo vjen si rezultat i punës së përbashkët edhe të institucioneve të Kosovës edhe të institucioneve ndërkombëtare. Në këtë trend duhet të krijohet baza ligjore e mbështetjes së veprimeve të mëtejshme të këtyre proceseve posaçërisht në bartjen e përgjegjësive që duhet të kalojnë në institucionet e Kosovës dhe në këtë aspekt të krijohet baza e re e përshpejtimit të tyre". Zoti Sejdiu tha se amandamentet e propozuara normojnë edhe raportet e reja që duhet të ketë Kosova në raport me vetëveten, dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja në raport me bartjen e kompetencave.
Bajram Kosumi, anëtar i Komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha gjithashtu se UNMIK-u nuk duhet t'i kuptojë këto ndryshime si konfrontim me kompetencat e UNMIK-ut, por si një ofertë serioze në përparim, në përmbushjen e misionit të përbashkët për ta çuar Kosovën drejt statusit përfundimtar.Edhe përfaqësuesit e pakicave joserbe kanë përkrahur këto ndryshime, ndërkohë që në mbledhjen e sotme të Kuvendit nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e serbëve.


XS
SM
MD
LG