Ndërlidhjet

BUGAJSKI:"STANDARDET ME STATUSIN - PROCES PARALEL"


Janusz BUGAJSKI, drejtor në Qendrën për Studime strategjike (Washington)


RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është pa udhëheqësin e saj. Disa analistë thonë se kjo do të ketë ndikim në procesin e tërësishëm politik. Çka mendoni ju për këtë çështje?

JANUSZ BUGAJSKI
Natyrisht, do të ketë ndikim dhe mund të thuhet se tashmë ka ndikim. Çështja që shtrohet tash është se kush do të zgjidhet në këtë post. Pikëpamja ime personale është se do të duhet të ishte një amerikan, por nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Nëse jo një amerikan, atëherë së paku një evropian i nivelit të lartë, me një përvojë në rajon dhe me një reputacion të mirë në mesin e popullatës shumicë dhe po ashtu edhe në mesin e minoriteteve. Mendoj se kjo zgjidhje nuk do të jetë e lehtë, por do të thosha, se duhet një person i tipit të Paddy Ashdown në Kosovë gjatë periudhëse së ardhshme një vjeçare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt a keni ju ndonjë kandidat favorit?

JANUSZ BUGAJSKI
Mbase ndonjë ish president i Shteteve të Bashkuara...kuptohet po bëjë shaka, por e dini, ka disa kandidatë të mirë siç janë disa ish liderë të lartë nga vendet kryesore të Evropës Perëndimore. Nuk dëshiroj të përmend emra por ka disa emra të mundshëm. Çështja është poashtu se çfarë autoriteti do të ketë ai që do të zgjidhet...Mendoj se fokusi gjatë vitit të ardhshëm vërtetë duhet të jetë në transferin e sa më shumë kompetencave dhe të përgjegjësive në qeverinë e përkohshme dhe poashtu në qeverinë që do të dalë nga zgjedhjet në Kosovë më vonë këtë vit. Kjo është shumë e rëndësishme nëse jemi serioz lidhur me sigurinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt, si i vlerësoni ju të arriturat e zotit Holkeri në postin e kryeadministratorit të Kosovës?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se ai më tepër ishte burkorat se sa lider...Nuk mendoj se kishte ndonjë vizion të veçantë. Ai realisht nuk e kuptonte Kosovën shumë mirë, ai nuk dinte se në çfarë drejtimi po shkonte. Ai ishte i kufizuar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe UNMIK-ut. Ai ishte nga një vend që vërtetë nuk kishte luajtur rol në rajon, prandaj nuk kishte shumë respekt...Pra, në këtë kuadër, unë nuk do të doja ta degradoj atë por vetëm do të thoja se ai më tepër ishte burokrat se sa lider.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkësia Ndërkombëtare këmbëngulë në arritjen e standardeve para se të hapet procesi për statusin final të Kosovës. ka pasur mendime se ato duhet të shkojnë paralelisht. Nga këndvështrimi juaj cili është drejtimi i duhur për ta ndjekur?

JANUSZ BUGAJSKI
Drejtimi i duhur është standardet me statusin. Ju nuk mund të shkoni rrugës nëse nuk e dini destinacionin final. Thënë thjeshtë nëse jeni duke u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ju duhet t'i përmbushni standardet, por ju e dini se ku do të arrini. Ngjashëm është edhe për hyrje në NATO, ngjashëm është për anëtarësim në çfarëdo organizate. Është irracionale dhe jologjike të kemi standarde por nuk e dimë se cili do të jetë përfundimi. Standardet dhe statusi duhet të shkojnë në mënyrë simultane dhe mendoj se, përfundimisht duhet të jenë disa kushte rigoroze për një marrëveshje eventuale për asocim në Bashkimin Evropian dhe poashtu edhe për shtetësi dhe eventualisht për anëtarësim në NATO. Por, ju nuk mund të keni standarde pa status.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, ekspertë dhe analistë për Ballkanin po diskutojnë shumë lidhur me angazhimin e Shteteve të Bashkuara në këtë rajon dhe veçanërisht në Kosovë. Pasi ky është vit zgjedhor në Amerikë, si i parashihni ju angazhimet e ardhshme të administratës aktuale ose eventualisht të administratës së senatorit Kerry, nëse ai do të zgjedhej?

JANUSZ BUGAJSKI
Nëse kjo administratë e shikon situatën në Ballkan do të shohë se ka pasur disa suksese në ndërtimin e shtetit, në paqeruajtje, në rikonstruktimin në periudhën e pas konflikteve, në Bosnjë Hercegovinë dhe në Kosovë. Por mendoj se këto suksese duhet të kompletohen. Në rastin e Kosovës kjo do të kompletohet vetëm nëpërmjet të shtetësisë dhe eventualisht integrimit të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Mendoj se kjo është e arritshme nën administratën e ardhshme, qoftë ajo e zotit Bush ose e zotit Kerry. Mendoj se është ende herët të flitet për atë se kush do të fitoj dhe unë sinqerisht nuk do të dëshiroja të futem në këtë debat në këtë moment.

RADIO EVROPA E LIRË
Më herët ne diskutuam për procesin lidhur me statusin final të Kosovës. Këtë vit mbahen zgjedhjet në Kosovë dhe aktualisht, administrata e Kombeve të Bashkuara është pa udhëheqësin e saj. Sipas jush, ky proces a mund të hapet në mesin e vitit 2005?

JANUSZ BUGAJSKI
Po. Mendoj se shumë vendime duhet të merren. Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar. Nuk pres asgjë në periudhën ndërmjet kësaj që ndodhemi tash e deri në inaugurimin e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, qoftë ai presidenti i tashëm ose ndonjë tjetër, në janarin e ardhshëm. Por mendoj se në pranverë dhe verë të vitit të ardhshëm do të ketë disa lëvizje madhore lidhur me Ballkanin, sepse nuk është vetëm çështja e Kosovës, por, për shembull edhe marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi e Serbisë duhet të zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Do të duhet të veprohet edhe për disa çështje të tjera, siç është transferi i autoritetit në Bosnjë, e të tjera. Pra, mendoj se vitit i ardhshëm do të jetë vit shumë i rëndësishëm për Kosovën, pavarësisht se cili person do të caktohet nga Kombet e Bashkuara në Prishtinë.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI.
XS
SM
MD
LG