Ndërlidhjet

NATO-JA KONSIDERON PRIORITET KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Kosova ka qenë temë e diskutimit të sotëm në Këshillin e NATO-s. Sipas burimeve të kësaj Aleance, situata është quajtur mjaft serioze pas vrasjes së një adoleshenti serb javën e shkuar. Mësohet se një gjë të tillë e ka thënë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer, i cili ka folur para ambasadorëve, për raportet që i vijnë nga Kosova. NATO-ja thotë se Kosova ende vazhdon të jetë një ambjent i brishtë i sigurisë, mirëpo thotë se tani situata po merret shumë seriozisht dhe NATO-ja pas mësimeve që ka nxjerrë nga zhvillimet e dhunshme të marsit, është më e gatshme që të reagojë në rast nevoje, për të parandaluar që incidentet të shkaktojnë dhunë me përmasat siç u pa gjatë marsit.
Ndërkohë me afrimin e pesëvjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, zyrtarët e NATO-s vazhdojnë të thonë se për këto 5 vjet kanë arritur një sukses të madh atje dhe përkundër faktit se situata është ende e brishtë, është arritur që të përmirësohet dukshëm gjendja në Kosovë. Mirëpo NATO-ja thotë se Aleanca nuk është i vetmi faktor që mund të bëjë sukses në Kosovë. Ndërsa suksesi i përgjithshëm varet edhe nga vetë kosovarët sikur edhe nga pjesë të tjera të bashkësisë ndërkombëtare. Kosova do të jetë temë edhe në takimin e liderëve të NATO-s që zhvillohet në fund të këtij muaji në Stamboll, ku përveç Kosovës, do të diskutohet edhe për situatën në Afganistan, ku NATO ka gjithashtu mision, ndërsa do të dalë ideja edhe për marrjen e misionit në Irak apo një rol në të ardhmen në atë shtet. Po ashtu, siç është konfirmuar edhe sot pritet që NATO-ja në Stamboll të marrë vendimin për t'i dhënë fund misionit të SFOR-it në Bosnje Hercegovinë. Sidoqoftë zyrtarët e NATO-s, vazhdojnë të pohojnë se edhe pas 5 vjetëve, pa marrë parasysh angazhimet diku tjetër, NATO-ja e sheh Kosovën si prioritet dhe do të vazhdojë që ta çojë deri në fund misionin e vet atje.



XS
SM
MD
LG