Ndërlidhjet

B. REXHEPI: NUK DUHET ZHAGITUR RISTRUKTURIMI I UNMIK-ut


Bajram REXHEPI, Kryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, sot është bërë një vit që nga samiti i Bashkimit Evropian në Selanik. Ku gjendet Kosova një vit pas në planin e integrimit evropian?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj se pas një viti Kosova ka bërë një përparim, sepse së pari ka qenë hera e parë në Samitin e Selanikut, ku është thënë shumë qartë se Ballkani Perëndimor është interes i Bashkimit Evropian dhe në të ardhmen duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian; në atë kontest edhe Kosova nëpërmjet mekanizmit tërheqës të Asociim-Stabilizimit. Në një samit joformal në Irlandë, ky fakt u rikonfirmua edhe njëherë dhe është një përkushtim i Bashkimit Evropian, që të investohet në Ballkanin Perëndimor. Perspektiva e këtyre shteteve do të jetë në Bashkimin Evropian, por me çfarë dinamike, do të varet nga ajo sesa ne i plotësojmë ato kritere, që paraqiten nga BE-ja, qoftë nëpërmjet Asociim Stabilizimit për shtetet që e kanë shtetësinë, ose për Kosovën niveli teknik, që është përmes mekanizmit përcjellës së Asociim Stabilizimit. Kemi bërë përparim në këtë drejtim dhe ndoshta në aspektin teknik, në disa fusha jemi edhe para vendeve që janë në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, çështja më e përfolur ditët e fundit është ajo mbi ristrukturimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Saktësish çfarë mendoni ju se duhet të bëhet apo të ndodhë me këtë mision?

BAJRAM REXHEPI
Ajo është një domosdoshmëri dhe ne kemi kërkuar gjithnjë që të bëhet një lloj ristrukturimi, ose racionalizim i misionit të UNMIK-ut në Kosovë; që të jetë me numër më të vogël dhe të rritet efikasiteti dhe gradualisht të kalojë në rolin më tepër monitorues këshilldhënës, sesa vendim marrës. Kjo është domosdoshmëri dhe është aktualizuar edhe në qendra të ndryshme vendosëse, flitet për të, por çfarë dinamike do të ketë ky ristrukturim varet. Nëse mbetet si deri tani me këtë burokracinë e ngadalësuar të Nju Jorkut, unë nuk jam shumë optimist, për arsye se flitet nganjëherë që do t'i shikojnë projeksionet buxhetore dhe të fillojë ky ristrukturim në vitin 2006, që është e deplasuar. Koha nuk lejon një ristrukturim të tillë dhe ky ristrukturim duhet të bëhet sa më shpejt që është e mundur, mundësisht brenda këtij viti, në mënyrë që pak a shumë të përmirësohen raportet mes institucioneve vendore dhe UNMIK-ut dhe bashkarisht të bëjmë një përparim mos lejohet ky status quo. Dua të citoj zotin Harri Holkeri, i cili tha njëherë që "armiku më i madh i Kosovës është status quo-ja". Dhe unë pajtohem me atë mendim.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë qeveria juaj është kritikuar për dinamikën me të cilën janë duke u rindërtuar shtëpitë e shkatërruara gjatë trazirave të marsit. Cila është përgjigja juaj ndaj këtyre kritikave?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj që gjithnjë ka vend që dinamizimi të jetë më në nivel, megjithatë ne jemi plotësisht të kënaqur me dinamikën me të cilën bëhet rindërtimi. Nuk janë ato procedurat tona, që ne i kemi vendosur, ku duhet të humbet 2 muaj për procedurat e tenderimit dhe çështje të tjera dhe në atë kohë ndoshta nuk janë parë shumë rezultatet fillestare. Mirëpo ka filluar tani, pasi janë kryer këto procedura, rindërtimi në të gjitha komunat dhe me një dinamikë të shpejtuar ne mund të arrijmë diku deri në fund të tetorit ose fillim të nëntorit, ta përmbushim rindërtimin e shtëpive. Do të fillojë edhe riparimi ose konservimi i kishave, shumë shpejt, sa ta kemi raportin. Nuk jemi të pakënaqur. Tjetër është dëshira dhe edhe ne kishim dashur që kjo të kryhet për një muaj dhe ne të mos merremi me pasojat e trazirave të dhunshme të marsit, mirëpo realiteti është krejt tjetër dhe ne nuk jemi të pakënaqur me këtë dinamikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mesazhin tuaj për Ditën Botërore të Refugjatëve, ju keni thënë se kthimi i të zhvendosurve nuk do të mbetet vetëm një ëndërr për ta. Si mendoni ta përmbushni këtë proces, i cili njëherësh është edhe një prej standardeve të përcaktuara?

BAJRAM REXHEPI
Ky është një proces shumë i vështirë, i cili kërkon kohë, kërkon vullnet, kërkon mjete financiare, mirëpo atë gadishmërinë ne e kemi shprehur edhe më parë me të gjithë liderët politikë. Por tani meqënëse ishte Dita Botërore e Refugjatëve, edhe njëherë e riaktualizova këtë ftesë, këtë apel të përgjithshëm dhe mendoj se të gjithë ata, të cilët janë të interesuar të kthehen në Kosovë, duhet t'u krijohen parakushtet, siguria, lëvizja e lirë dhe secili të kthehet në vendin e origjinës. Nëse do të kthehen të gjithë, apo do të kthehet një pjesë që kanë interes, ajo është çështje e tyre dhe duhet ta respektojmë vullnetin e tyre. Unë mendoj se me një gadishmëri edhe të faktorit ndërkombëtar, edhe me gadishmërinë e faktorit vendor, por edhe me një inkurajim pozitiv nga Serbia, ky proces mund të ketë sukses. Nëse edhe më tutje vazhdohet që personat e zhvendosur dhe refugjatët, t'i shfrytëzojnë më tepër dhe t'i instrumentalizojnë për qëllime politike, atëhere sigurisht se rezultatet do të jenë më të mangta.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, me cilat vështirësi po përballeni më së shumti në drejtim të përmbushjes, jetësimit të këtyre standardeve?

BAJRAM REXHEPI
Plani i standardeve për Kosovën dihet se në fillim ka patur një humbje të kohës në harmonizimin e qëndrimeve, mirëpo kjo nuk është befasi me këtë strukturë të UNMIK-ut dhe në këtë kohë ne kemi filluar implementimin. Qeveria i ka bërë disa lëvizje vetë pa UNMIK-un, e mund të them lirisht se ne jemi më të avancuar sesa strukturat e UNMIK-ut, në procesin e implementimit të standardeve, mirëpo jemi të hapur për bashkëpunim dhe gradualisht përsëri do të kemi vlerësime të përbashkëta të punës. Mirëpo pavarësisht nga UNMIK-u ne i kemi krijuar disa mekanizma edhe në kuadër të zyrës për Stabilizim Asociim, pra mekanizmit tërheqës së Stabilizim Asociimit, që të bëjmë edhe hapa konkretë si në legjislacion, si në shumë lëmi të tjera të standardeve. Përkushtimi dhe serioziteti maksimal i institucioneve egziston, ndërsa sesa do të arrijmë, nuk varet vetëm nga institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, ju më herë keni thënë se deri në mesin e vitit 2005 nëse nuk definohet statusi i Kosovës, Kosova do të mbajë referendum për statusin e saj. A vazhdoni ta mbani këtë qëndrim?

BAJRAM REXHEPI
Jo, ndoshta është gabim në interpretim; jo se unë jam tërhequr, nuk kam thënë nëse definohet, sepse është irreale në vitin 2005 që të përcaktohet definitivisht,nëse nuk fillon, kam thënë, definimi i statusit dhe qëndroj mbas asaj. Pra në mesin e vitit 2005 duhet të fillojë definimi i statusit. Sesa do të zgjatë ai 6 muaj, apo një vit, është çështje tjetër. Mirëpo nëse nuk ka gadishmëri të faktorit ndërkombëtar, nëse e neglizhojnë këtë situatë edhe propozojnë një datë tjetër pas një viti apo dy, atëhere ne do të jemi të mbështetur për muri dhe nuk shoh unë mundësinë se si të menaxhohet kjo situatë në Kosovë. Atëherë ne do të jemi të detyruar të shpallim ndoshta referendum për pavarësinë e Kosovës, ose të gjendet formë tjetër. Edhe njëherë që të mos ketë spekullime, edhe atëherë kam thënë edhe në Finantial Times, duhet të fillojë definimi i statusit të Kosovës, por jo të definohet në mesin e vitit 2005, sepse kjo nuk bëhet vetëm me një vendim, por është një proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund zoti kryeministër, shefi i Shtyllës së katër të UNMIK-ut, Nikolas Lambsdorf, ka deklaruar se privatizimi duhet të rifillojë me disa ndryshime të vogla. Cili është qëndrimi juaj për një rifillim të tillë dhe për ato ndryshime, të cilat janë propozuar?

BAJRAM REXHEPI
Së pari, nuk ka qenë e domosdoshme që të bëhet kjo vizita e fundit në Nju Jork, për arsye se ekspertët ligjorë dhe anëtarët e Kuintit, kanë arritur një pajtueshmëri edhe me qeverinë, që nuk ka nevojë më të konsultohet Nju Jorku, por duhet të rifillojë sa më shpejt. Megjithatë e kanë bërë atë vizitë dhe kanë dalë edhe disa propozime të reja, konkretisht tre propozime të reja, të cilat disa janë të pranueshme, disa lenë hapësirë për keqpërdorim ose korrupsion. Megjithatë sot anëtarët e bordit të drejtorëve do të marrin në formë të shkruar se çfarë mendohet me ato konkretisht. Qeveria edhe njëherë do të diskutojë nesër në mbledhjen e rregullt dhe do të marrë një qëndrim. Unë mendoj se do të jetë qëndrim pozitiv, për arsye se është interes i Kosovës të rifillojë edhe pse jo në formën më të mirë. Qeveria asnjëherë nuk ka qenë e interesuar ta bllokojë këtë proces, por të vazhdojë procesi i privatizimit. Ne do të kishim kërkuar të mos vazhdojë vetëm nëse dëmtohen interesat e Kosovës. Prandaj ne duhet të shihemi si palë, e cila ka qenë e gatshme që ta shtyjë procesin e privatizimit me qëllim të një perspektive të Kosovës dhe asnjëherë palë, e cila ka penguar, për arsye se në asnjë moment, qeveria nuk ka qenë ajo palë, e cila e ka dëmtuar procesin e privatizimit. Përkundrazi, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion, ne kemi bërë presionin e duhur që ai të rifillojë sa më shpejt. Dhe ndoshta dhe si formë e këtij qëndrimi konsekuent është edhe mundësia që të rifillojë sa më shpejt gjatë muajit.

Intervistoi Rrahman Paçarizi




XS
SM
MD
LG