Ndërlidhjet

ZGJEDHJA E KOMPANISË MOBIKOS SHKAKTON REAGIME


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshow që të suspendojë nënshkrimin e kontratës për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë, ndërkohë që edhe shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries ka shprehur rezerva lidhur me mbarëvajtjen e tenderit, sidomos duke pasur parasysh kohën e shkurtër të tenderimit dhe shqyrtimit të ofertave. Autoriteti Rregullator për telefoninë Mobile ka vendosur sot që të shpallë fitues të tenderit për operator të dytë të telefonisë mobile, kompaninë Mobikos, ndërkohë që deri më tani në Kosovë ka operuar vetëm Vala 900 në kuadër të Post Telekomit të Kosovës.
Këshilltari i lartë politik i kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi, zoti Ilir Dugolli tha se arsyeja e një kërkese të tillë të kryeministrit janë dyshimet se procesi nuk ka shkuar si procedurave ligjore:
"Sot kryeministri i është drejtuar zotit Brayshow me një letër ku numërohen shkaqet të cilat hedhin dyshimet mbi mbarëvajtjen e tenderit për zgjedhjen e operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë dhe duke u bazuar në ato informata që janë në qarkullim dhe në informacionet se procesi nuk ka shkuar në mënyrën e duhur ligjore, të suspendojë nënshkrimin e kontratës deri sa të mos qartësohen ato dyshime."
Ndërkohë që qeveria nuk e di se cila do të jetë përgjigja e UNMIK-ut, zëdhënësi i UNMIK-ut, Christian Lindmeier tha:
"Pasi e kemi marrë këtë letër sot pasdite, unë nuk mund të them shumë, përveç se po e shqyrtojmë çështjen dhe ajo do të ecë përpara, nesër kur të kthehet zoti Brayshow," tha Lindmeier, sipas të cilit UNMIK-u deri më tani nuk ka marrë ndonjë vendim dhe një gjë e tillë nuk pritet të bëhet deri nesër kur Brayshow kthehet në Kosovë. Mirëpo, pas shpalljes së fituesit të tenderit, zyrtarët e autoritetit rregullator thanë se vendimi hyn në fuqi ditën e nesërme. Duke komentuar këtë situatë, zoti Dugolli tha:
"Ne i kemi parasysh përgjegjësitë e PSSP-së, përgjegjësitë e rezervuara dhe pushtetin e tij për të anulluar vendimet apo për të suspenduar rastet, kështu që pushtetin e tillë nuk e prek asgjë tjetër brenda Kosovës, për fat të keq, do të thosha."
Ndërkohë, shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries, përmes një komunikate ka thënë se procesi i tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën. Investitorët potencialë do të dëshirojnë të dinë nëse është kryer ky proces në mënyrë transparente dhe profesionale, thuhet në kumtesë, për të vlerësuar se njoftimi i befasishëm i sotshëm për vendimin e Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, shtron pyetje rreth procesit që është ndjekur që të arrihet te ky vendim. Ne jemi të brengosur ka thënë zonja Ries, nëse ka patur kohë të mjaftueshme që të bëhet një shqyrtim i plotë i mijëra faqeve të dokumentacionit teknik të dorëzuar vetëm në gjuhën angleze dhe ka inkurajuar institucionet e Kosovës që të shikojnë me kujdes nëse ky proces është kryer në mënyrë të drejtë dhe të duhur. Dhe, letra e kryeministrit Rexhepi ka pasuar pikërisht letrën e zonjës Ries. Në komunikatën e kryeministrit thuhet se sipas infomatave në qarkullim, ka të dhëna se procesi lidhur me zgjedhjen e operatorit të dytë të telefonisë mobile nuk është zhvilluar në mënyrën e duhur, thekson më tej Rexhepi. “Në mesin e tjerave, dyshimet për korrupsion janë duke u përmendur përderisa pavarësia e Bordit të ART-së nga influencimet politike, industriale dhe të tjera, ashtu siç kërkohet me ligj, është vënë në pikëpyetje të madhe”, është shprehur kryeministri. Sidoqoftë, vendimi përfundimtar për këtë çështje i mbetet ushtruesit të detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshow.




Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG