Ndërlidhjet

VAZHDOJNË KUNDËRTHËNIET RRETH PËRZGJEDHJES SË OPERATORIT TË DYTË TË TELEFONISË MOBILE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Drejtuesi i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, Anton Berishaj ka kundërshtuar sot reagimet e zyrës amerikane dhe të kryeministrit Rexhepi lidhur me shpalljen e djeshme të firmës Mobikos, si fitues të tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë. Zoti Berisha ka thënë sot se reagimi nuk është i qeverisë, por i kryeministrit, ndërsa, sipas tij, ART e ka marrë vendimin në pajtim me kompetencat që ka. Ai ka kritikuar edhe zyrën amerikane dhe ka thënë se afati kohor prej një muaji është respektuar dhe është vlerësuar i mjaftueshëm për shqyrtimin e ofertave:
"Ka pasur ndikime në ta dhe presione që të mos e votojnë atë raport dhe ka pasur thirrje të tepruara nga zyra amerikane rreth shqetësimeve se ne e kemi vlerësuar, s’e kemi vlërsuar, është anglisht s’është anglisht, por të hënën nuk ka pasur se si të jetë befasi, pasi ne kemi paraparë afatin njëmujor dhe ai afat është respektuar."
Mirëpo, zyrtari për informim i zyrës amerikane, Michael McClellan tha se zyra amerikane nuk ka se çka t’i shtojë deklaratës së qartë të zonjës Marcie Ries:
"Ajo për çka jemi të brengosur është procesi dhe ne kemi shqetësime serioze lidhur me procesin dhe e gjithë kjo është thënë qartë në deklaratën e zonjës Ries," tha zoti McClellan.
Reagimit të zonjës Ries dhe kryeministrit Rexhepi u është bashkuar sot edhe Mark Dickinson, shef i zyrës britanike, e cila sipas kumtesës nuk ka interesa komerciale në këtë tender, por shpreh shqetësimin lidhur me procesin. Është keq për Kosovën nëse proceset me kaq interes strategjik bëhen në mënyrë jotransparente, ndershmëria e të cilëve është në dyshim. Veprimet e tilla vetëm sa mund të largojnë investuesit e huaj legjitimë që të investojnë paratë e tyre në Kosovë, thuhet në reagimin e zotit Dickinson, për të shtuar se ky tender përmendet në mënyrë të veçantë edhe në planin për jetësimin e standardeve. Dickinson ka thënë se çështjet si kjo mund të ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, prandaj mosmarrja me këtë çështje është shmangie nga përgjegjësitë.
Mirëpo, me gjithë faktin se telefonia mobile është e drejtë e rezervuar për UNMIK-un, zyrtarët e shtyllës së katërt thanë se përfaqësuesit e kësaj shtylle nuk kanë qenë të përfshirë në shpalljen e tenderit dhe zgjedhjen e kompanisë fituese.
Ndërsa ftesa për veprim i është drejtuar edhe UNMIK-ut, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka kërkuar dje nga ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshow që ta pezullojë vendimin për ta licencuar Mobikosin si operator të telefonisë mobile në Kosovë. Mirëpo, UNMIK-u deri më tani nuk ka përgjigje, pos që e ka konfirmuar letrën e kryeministrit, pasi pritet kthimi i zotit Brayshow në Kosovë.
Ndërkohë, zoti Anton Berisha ka kritikuar edhe ministrin e transportit dhe telekomunikacionit zotin Zef Morina për presion politik ndaj anëtarëve të bordit:
"Tani sa mora vesh se ministri ka ftuar një anëtar të bordit në takim dhe e konsideroj si presion politik, pas ministri është funksion politik dhe thirrja në bisedë për një orë e më shumë, e anëtarëve të bordit, përderi sa anëtari i bordit është këtu, është presion i dukshëm".
Deri më tani nuk ka patur përgjigje nga ministri Morina dhe as zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, që nuk kanë dashur të flasin për media që nga dita e djeshme.




XS
SM
MD
LG