Ndërlidhjet

SHPALLET RAUNDI I TRETË I PRIVATIZIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Agjensioni Kosovar i Mirëbesimit, ka shpallur sot listën prej 12 ndërmarrjeve të cilat do të hyjnë në raundin e tretë të privatizimit. Ky vendim është bërë publik pas një takimi të zhvilluar sot, ndërmjet shefit të shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Nikolas Lambsdorf dhe Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Ali Jakupit. Shpallja e raundit të tretë të privatizimit, sipas zotit Lambsdorf dhe ministrit Jakupi, shënon rifillimin e procesit, i cili qëndron i bllokuar që nga 8 tetori i vitit të kaluar. Lambsdorf tha se 12 ndërmarrjet e shpallura do të privatizohen përmes “spin-off-it” të rregullt, kurse parashihet që për herë të parë të zbatohet dhe “spinoff-i” special për ndërmarrjen e njohur, Feronikeli. Përndryshe, kjo është hera e dytë që shpallet raundi i tretë i privatizimit, por në këtë rast, Lambsdorf tha se shpresonte se nuk do të ketë ndërprerje si më herët:
“Çdo proces rrezikohet që të ndërpritet, por në këtë rast nuk e shoh këtë rrezik dhe se unë kam kërkuar nga AKM-ja që të përgatitet për raundin e tretë”, tha Lambsdorf, duke shtuar se pret që gjatë verës të shpallet dhe raundi i katërt i shitjes së ndërmarrjeve, ku do të përfshihej një numër shumë më i madh i ndërmarrjeve. Në anën tjetër, Ali Jakupi, e vlerësoi vendimin e shpallur sot si shumë të rëndësishëm dhe shpresëdhënës për vazhdimin e privatizimit:
“Ne e konsiderojmë se ky është një çelës i ri i ristartimit dhe tashmë hapen dyert që mos të ketë ngecje të mëtutjeshme. Ndërkohë do të punohet në përpunimin e politikave që duhet të bëhen në mënyrë precise”, tha ministri Jakupi.
Agjensioni Kosovar i Mirëbesimit ka mandatin e vet që të përfundojë me privatizimin deri në qershorin e vitit 2006, ndërsa sipas vlerësimeve të ekspertëve, dinamika e deritashme, tregon se privatizimi mund të zgjasë shumë më gjatë. Sipas zotit Lambsdorf, ndonëse nuk mund të garantohet asgjë, do të provohet që puna të kryhet me afatin e parashikuar:
“Jo natyrisht se nuk mund të garantoj, ngase askush nuk mund ta përcaktojë të ardhmen, por ajo që mund të garantoj është që unë do të përkujdesem që AKM-ja të kryejë punën e vet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Lambsdorf. Ndërsa ministri Jakupi, vlerësoi se me një punë më të përgjegjshme, mund të shpresohet në dinamizimin e procesit të privatizimit:
“Nëse vërtet i përcakton Bordi njerëzit përgjegjës, kompetentë dhe i jep vetes një përgjegjësi dhe hartohet një plan korrekt, unë mendoj se intensifikimi është i mundshëm dhe brenda dy vitesh, deri në qershorin e vitit 2006 mund të bëhet privatizimi”, vlerësoi Jakupi.
Pas shpalljes së listës prej 12 ndërmarrjeve që do të privatizohen, do të pasojë dhe një kohë shtesë prej dhjetë ditësh, për t’i informuar kompanitë përkatëse dhe komunat, para se të shpallet dhe data e shitjes, respektivisht privatizimit të tyre. Gjatë dy raundeve të para, janë privatizuar 16 ndërmarrje, ndërkohë që në listën e AKM-së për kompanitë që parashihen të privatizohen ka më tepër se 500 ndërmarrje.

XS
SM
MD
LG