Ndërlidhjet

MOORE:"ANËTARËSIMI NË BE NUK ËSHTË DHURATË, ATE DUHET FITUAR..."


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, gjatë samitit të fundit të NATO-s presidenti Bush sërisht është angazhuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Këtij qëndrimi tërthorazi ose drejtpërdrejt i është kundërvënë presidenti francez Zhak Shirak. Si e shihni ju këtë epizod në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Parisit?

PATRICK MOORE
Ajo që tha saktësisht Shiraku ishte që çështja e pranimit apo mospranimit të Turqisë në Bashkimin Evropian, nuk është çështje që i takon presidentit amerikan. Këtë deklaratë e gjeta interesante, sepse nuk kalon asnjë ditë kur gazetat kryesore evropiane apo ndonjë nga liderët evropianë nuk u tregojnë Shteteve të Bashkuara se si ta drejtojnë politikën e tyre të jashtme, madje disa prej tyre edhe përpiqen të na thonë se si të drejtojmë politikën tonë të brendshme. Prandaj mendoj që zoti Shirak nuk ishte mjaft realist dhe madje jo shumë i mirësjellshëm. Në të përjavshmen britanike "The Economist" thuhej që francezët dhe madje dhe të tjerët po tregohen pa ndonjë nevojë tepër të ftohtë ndaj presidentit Bush, me shpresën se duke mos e ndihmuar tani do të kontribuojnë në disfatën e tij në nëntor. Kjo është si të luash me letra kur një vend përpiqet të influencojë politikën e brendshme dhe zgjedhjet e një vendi të caktuar. Por, "The Economist" gjithashtu theksonte që nëse Franca, Gjermania dhe miqtë e tyre do të vazhdojnë të përpiqen të bllokojnë Shtetet e Bashkuara sa herë që u jepet rasti, ashtu siç bllokuan NATO-n nga ndërmarrja e një roli serioz në Irak, kjo do të ketë rezultate të kundërta nga ato që do Parisi. Me fjalë të tjera do të shtyjnë udhëheqësit amerikanë dhe opinionin të arrijnë në përfundimin se shumë nga aleatët evropianë me përjashtim të britanikëve dhe disa të tjerëve, janë pavlerë, siç u shpreh "The Econimist". Kjo është një politikë e rrezikshme për francezët nëse do ta vazhdojnë.


RADIO EVROPA E LIRË
Franca edhe më parë ka patur rezerva rreth pranimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. A hapen në këtë mënyrë ndasi të reja politike dhe religjioze?

PATRICK MOORE
Mendoj se në këtë pyetje ka dy çështje. Së pari është situata demografike në vend dhe e dyta është çështja e kontrollit mbi Bashkimin Evropian. Sa i përket demografisë dimë që Franca ka një komunitet të madh musliman, kryesisht nga ish-kolonitë e tyre në Afrikën veriore. Shumë prej tyre kanë nënshtetësi franceze, sepse Franca ashtu si Shtetet e Bashkuara ka një ligj progresiv për nënshtetësinë, i cili mundëson njerëzit që të bëhen nënshtetas brenda një periudhe kohe mjaft të shkurtër, dhe përdor kritere qytetare dhe jo kritere gjaku dhe lindjeje siç ka Gjermania për përcaktimin e nënshtetësisë. Ky komunitet është i madh dhe në rritje e sipër. Ka shumë njerëz në Francë sidomos të spektrit të djathtë, të cilët frikësohen se ky komunitet do të rritet mjaft shpejt nëse një vend i madh mysliman si Turqia bëhet anëtar i Bashkimit Evropian dhe shtetasit e tij do të kenë të drejtën të lëvizin e të punojnë në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Kam jetuar 17 vjet në Gjermani dhe mund t'ju them se kjo është frika e gjermanëve të zakonshëm për anëtarësimin e Turqisë, që do të ketë turq me familje të mëdha që do të lëviznin në çdo lagje të Gjermanisë. Pra ky është një aspekt. Nga ana tjetër udhëheqësit francezë e dinë mjaft mirë se shumë prej këtyre muslimanëve janë nënshtetas me të drejtë vote. Për rrjedhojë nuk mund të paraqiten si shumë agresivë kundër Turqisë. Mendoj që kjo është arsyeja pse zoti Shirak, formalisht, zyrtarisht, por jo shumë ngrohtësisht mbështet anëtarësimin e Turqisë, sepse muslimanët në Francë votojnë.
Çështja e dytë përveç demografisë në vend, është kontrolli mbi Bashkimin Evropian. Deri tani Gjermania dhe Franca nuk e kanë patur shumë të vështirë që t'i jepnin Bashkimit Evropian formën që donin. Me shtimin e 10 anëtarëve të rinj këtë vit, vende me eksperienca të ndryshme, me këndvështrime të ndryshme, nuk do jetë e lehtë të vazhdojë e njëjta gjë. Një nga udhëheqësit në partinë e zotit Shirak, por që është gjithashtu rival i tij, e ka thënë mjaft hapur se Franca dhe Gjermania nuk mund të vazhdojnë të drejtojnë gjërat sipas mënyrës së tyre por tani do t'u duhet të punojnë më afër me Britaninë e Madhe, Spanjën dhe Italinë. Por çdo të thotë kjo për Turqinë? Kjo do të thotë se nëse Turqia bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, do të ketë një vend të ri të madh që hyn në gjirin e Unionit dhe kjo do ta bëjë edhe më të vështirë për Parisin dhe Berlinin për të vendosur gjërat. Prandaj kjo është një arsye tjetër pse nuk janë entuziastë për anëtarësimin e Turqisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, a mendoni se edhe Shqipëria, Bosnja dhe Kosova mund të ballafaqohen me qëndrim të tillë të rezervuar të një pjese të Bashkimit Evropian, sa i përket anëtarësimit të tyre të ardhshëm në të?

PATRICK MOORE
Jo nuk mendoj që çështja e Turqisë ka të bëjë me çështjen e Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës dhe duhet gjithashtu të përmendim Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Pse? Sepse siç sugjerova më lart, një problem i madh potencial që do rridhte nga anëtarësimi i Turqisë për shumë evropianoperëndimorë është madhësia e Turqisë dhe popullsia e saj e madhe mbi 100 milionë. Gjithashtu është e vendosur në periferinë gjeografike, në skaj të Evropës dhe nëse Turqia bëhet anëtare e Bashkimit Evropian atëhere Unioni do të gjendej në kufi me Irakun dhe kjo ide nuk preferohet shumë. Nëse flasim për Shqipërinë, Bosnjen, Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, këto janë të gjitha pa pikë dyshimi pjesë të Evropës dhe në fakt një nga argumentet shumë të forta është që për shkak se rrethohen nga vende të anëtarësuara në Bashkimin Evropian, është në interesin e Brukselit që t'i pranojë në rradhët e saj dhe jo t'i lerë jashtë. Ndryshe do të ketë një zonë gri në mes dhe ajo nuk është në interes të askujt. Prandaj mendoj se çështja për këto vende të përmendura më sipër nuk është refuzimi nga ana e Bashkimit Evropian i anëtarësimit të tyre, por fakti se sa shpejt do arrijnë të plotësojnë standardet e kërkuara dhe të vendosin rregull brenda vetes. Kjo për faktin se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është dhuratë por është diçka që duhet fituar.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG